Organizatat rinore dhe studentore shqiptare nëpër botë dhe puna e tyre

Përmes projektit “Rrjeti i organizatave dhe shoqatave të të rinjëve” të financuar nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Kosovës, GERMIN ka arritur që të njohë ose të forcojë lidhjet me organizata studentore dhe rinore shqiptare nëpër botë. Ky projekt solli në vëmendjen tonë përsëri rëndësinë e organizatave shqiptare që në fokus të tyre kanë të rinjët/rejat shqiptare që janë studentë apo profesionistë të fushave të ndryshme nëpër botë.

Gjatë punës shumëvjecare të GERMIN, është vërejtur që numri më i madh i organizatave dhe shoqatave shqiptare nëpër botë janë të themeluara si shoqata kulturore dhe misioni dhe puna e tyre shtrihet në këtë domen. Duke mos minimizuar asnjëherë rëndësinë jetike që këto shoqata kanë, është e rëndësishme të kujtojmë rëndësinë e organizimit dhe mobilizimit të të rinjëve shqiptarë nëpër botë që paraqesin një burim të pashterrshëm ekspertize dhe njohurie në fusha të ndryshme. Të rinjët shqiptarë nëpër botë paraqesin një grup që mund të kontribuojë tash dhe në të ardhmen për zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor e politik të vendeve amë. Por, sa ekzistojnë organizata rinore dhe studentore shqiptarë nëpër botë që janë funksionale dhe si veprojnë ato?

Gjatë këtij projekti, GERMIN pati mundësinë të ritakohet me disa nga këto organizata dhe nga numri i madh i organizatave anë e kënd botës, sot sjellim në fokus dy nga to që kanë ndihmuar aktivisht në dizajnimin e aktiviteteve të GERMIN e që janë Organizata Vlera në Bruksel, Belgjikë dhe AYO Activism në Gjermani.

Organizata studentore shqiptare VLERA është e pozicionuar në Bruksel, Belgjikë dhe është një inspirim për organizimin dhe mobilizimin e të rinjëve shqiptarë në diasporë. VLERA ka për qëllim bashkimin e të gjithë studentëve shqiptarë në Belgjikë, krijimin e lidhjeve profesionale dhe shoqërore mes studentëve, organizimin e ngjarjeve të ndryshme prej atyre me karakter edukativo-arsimor deri tek ato argëtuese, reagimin e përbashkët të studentëve shqiptarë në Belgjikë në lidhje me mërgatën tonë në Belgjikë si dhe me ngjarje të natyrës madhore në trojet shqiptare, vetëdijësimin e nxënësve dhe prindërve shqiptarë në lidhje me rëndësinë e studimit, si dhe mundësitë që ofron shteti belg për të studiuar dhe  riorganizimin dhe rizgjimin e mërgatës shqiptare në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave gjuhësore e kulturore. Organizata VLERA përtej qëllimeve që janë plotësisht të inspiruara nga dëshira për organizim dhe mobilizim, synon edhe ngritjen e kapaciteteve të komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e shkollimit që është një element me shumë rëndësi. Komuniteti shqiptar në botë përmes shfrytëzimit të mundësive në vendin pritës siguron jo vetëm zhvillimin profesional e akademik individual por edhe atë të të gjithë komunitetit shqiptar dhe të vendit amë. VLERA mbledh rreth vetes një numër të madh të studentëve shqiptarë në Belgjikë dhe e mban komunitet të angazhuar në baza të rregullta përmes takimeve e aktiviteteve. Përvec kryesisë së vendosur në Bruksel, VLERA ka edhe koordinator lokal në qytete të tjera të Belgjikës në mënyrë që organizimi të jetë i decentralizuar dhe mos të fokusohet vetëm në Bruksel. GERMIN ka një bashkëpunim aktiv dhe frytdhënës me organizatën VLERA duke qenë se anëtarët e organizatës janë të gatshëm të kontribuojnë për vendin e tyre amë në forma të ndryshme. Ekspertiza e anëtarëve është një shtesë e vyeshme në procesin e dizajnimit të aktiviteteve dhe programeve në GERMIN. Po ashtu, organizata lehtëson komunikimin e GERMIN me organizata të tjera rinore dhe studentore shqiptare nëpër botë dhe është gjithmonë aktive në konferenca, takime dhe aktivitete tjera të GERMIN. Nëse keni interesim të anëtarësoheni, bashkëpunoni apo mësoni më shumë për punën e VLERA atëherë mund të vizitoni faqen e tyre VLERA

Sic u përmend më lartë, në fokus në këtë shkrim është edhe organizata AYO Activism në Gjermani. E themeluar në vitin 2020, AYO Activism është organizatë rinore shqiptare që poashtu shërben si inspirim mbi organizimin në diasporë dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të komunitetit të të rinjëve shqiptarë. AYO Activism mbështet të rinjët dhe studentët në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional përmes konsultimeve, materialeve informative dhe mënyrave të tjera dhe ndërton partneritete me qëllim forcimin e marrëdhënieve me vendlindjen. AYO Activism është një organizatë tejet aktive në cështjet e vendlindjes dhe kontribuon vazhdimisht përmes reagimit për cështje të ndryshme, organizimit të aktiviteteve që në fokus kanë Kosovën dhe trojet shqiptare, bashkimit në cështje sociale të nivelit global e të tjera. Nëse keni dëshirë të anëtarësoheni apo mësoni më shumë rreth AYO Activism, mund t`i ndiqni në Instagram apo të vizitoni uebfaqen e tyre AYO Activism

VLERA dhe AYO Activism janë vetëm dy shembuj të organizatave rinore dhe studentore shqiptarë nëpër botë që angazhohen aktivisht në forcimin e marrëdhënieve me vendin amë, zhvillimin e komunitetit shqiptar në vendin ku jetojnë dhe kanë vullnet të pafund të kontribuojnë përmes ekspertizës së tyre për Kosovën dhe komunitetin. Fatmirësisht, komuniteti i diasporës, vecanërisht komuniteti i të rinjëve, cdo ditë e më tepër po organizohet dhe mobilizohet dhe po zë vendin e merituar në skenën shoqërorë, politike e ekonomike të Kosovës. Të rinjët shqiptarë gëzojnë një kapacitet të pafund dhe njohuri e ekspertizë në fusha të ndryshme dhe këto njohuri dalëngadalë po kanalizohen edhe drejt Kosovës. Bashkëpunimet e ndërsjella mes organizatave rinore dhe studentore shqiptare nëpër botë tani mundësohen edhe përmes platformës më të re të lansuar nga GERMIN – Platforma Interaktive e Organizatave Rinore dhe Studentore. Ju ftojmë të regjistroheni si dhe të nisni bashkëpunime të reja me qëllim zhvillimin e komunitetit shqiptar dhe vendeve tona amë.