A mjafton veç ‘qetësia shpirtërore’ ?!

Si fëmijë e mbajë mend, e vetmja mënyre për ta zgjuar nga gjumi i vonshëm vëllaun tim të vogël ka çenë duke i thënë “Ari, qu se ka ardh axhi Faruk”. Në fakt axhi Faruk, si i përndjekur politik, e kishte të pamundur të vij në Kosovë, deri ca vite pas mbarimit të luftës.

Ne vazhdojmë me e shiju çdo ditë me axhin Faruk, për çdo verë e dimër kur ai është këtu, edhe nxënësit e tij i shijojnë ato pak ditë të vlefshme sa ai është në Kosovë. Ky mërgimtar jep shumë për Kosovën, e në ato pak ditë, krejt çka merr prapa prej kësaj Kosove, është pak “Qetësi shpirtërore”, si e tha edhe Shemsi Bunjaku në panelin e Germin “Diaspora flet”. Se ëndrra që mbanë gjallë secilin mërgimtarë është kthimi në Kosovë, sepse materialen, rregullin jetësor, sistemin e edukimit adekuat, sistemin shëndetësor adekuat ua fal mërgimi, por veç Kosova ua falë shpirtëroren.

Por, a mjafton që në këmbim të të gjitha të mirave që ata i sjellin vendit tonë, ne t’ua japim veç qetësinë shpirtërore, apo po vet arsyetohemi duke thënë se ‘vet kanë dashtë me dalë” e ne nuk kemi kurrfarë përgjegjësie mbi vendimin e tyre për me u largu prej këtij vendi ?!

Brikena Muharremi, mitrovicasja jonë, kur në Kosovë filloi periudha e “shtëpive-shkolla” dhe Brikena ishte ndërë nxënësit e pafat shqiptarë që u largua nga institucionet shkollore nga forcat serbe, prindërit e saj, morrën vendim për të që ta largonin për në Londër që të përfundonte shkollimin e mesëm atje. Kur Brikena arriti si ndërë nxënëset më të suksesshme të përfundonte shkollën e mesme, në Kosovë veçse kishte filluar lufta, dhe e kishte të pamundur të kthehej, ndonëse për të “Braktisja e vendlindjes nuk ka çenë kurrë dëshirë e as ëndërr”.

Sot, Brikena është avokate dhe aktiviste e bazuar në Londër, njëherit është shqiptarja e parë që ka marrë licencën e avokates në Angli. Ajo, si shumë mërgimtarë shqiptarë, kontributin e saj për vendlindjen nuk e ndalë asnjëherë. Përtej vijës institucionale, Brikena me vetiniciativë ka themeluar dhe udhëhequr shoqatën e avokatëve shqiptaro-britanik dhe në këtë mënyrë ajo i kthen vendit të saj të mirat nga dija e vet, duke kontribuar në avancimin e avokaturës kosovare dhe kështu zhvillimin e sistemit të drejtësisë.

Por, ky sistem drejtësie, që Brikena po synon ta zhvilloj, pse po dështon në mbrojtjen e të drejtave të bashkatdhetarëve tanë, pse duhet që vet bashkatdhetarët të gjejnë alternativë për dokumentet që institucionet tona nuk ua ofrojnë?! Pra, a mjafton ‘qetësia shpirtërore’ pa sistem drejtësie?!

Shemsi Bunjaku, gazetar lajmesh në televizionin publik të Norvegjisë – NRK ka arritur të jetë një emër i respektuar në gazetarinë norvegjeze duke fituar çmimin e gazetarisë për gazetari hulumtuese. Ky çmim i është ndarë atij për ndikim pozitiv në ndërtimin e demokracisë, juria ka vlerësuar punën e tij për luftimin e padrejtësive dhe përmirësimin e jetës së shumë njerëzve në nevojë. Dhe, njerëz në nevojë më shumë se diaspora jonë kush mund të jetë.

Me anë të një reportazhi, në qendër të të cilit ishte çështja se si shqiptarët e Kosovës nuk mund të pajisen me dokumentet që liron ata nga nënshtetësia kosovare, për shkak se institucionet vendore nuk ofrojnë një dokument të tillë, Shemsiu ka arritur të ua sigurojë nënshtetësinë norvegjeze 199 kosovarëve që jetojnë në atë vend evropian. Pra, vetiniciativa, dhe vullneti i mirë i një bashkëkombësi, ka shpërblyer edhe 199 të tjerë.

Por, si shpërblim, kjo Kosovë (lexo: këto institucione), ia kthejnë të mirën Shemsiut, duke e lënë me pritë nëpër ‘shallterat’ (sic i quan vet ai), e institucioneve shëndetësore me nënën e sëmurë. Pra, a po e gjejnë të paktën qetësinë shpirtërore të cilën ata e kërkojnë në vendin e tyre dhe të prindërve të tyre. Them se jo!

Kur djali hyri në derë të oborrit, bashkë më filantropin norvegjez që kishte financuar operimet dhe shërimin e djalit të sëmurë nga eshtrat, filloj të këndonte gjeli i shpisë, në pikë të ditës. E kur nëna plakë e djalit e dëgjoj gjelin, ngazllyeshëm i tha mysafirit norvegjez “edhe knusi po knon që djali na u kthye me kambtë marë”. Kaç shpjegim i shkurtër duhet për me e përshkru një punë të madhe të Shemsiut, një kontribut për një jetë njeriu, një kontribut për të kthyer lumturinë në një familje. A është pak?! Kështu ishte fati i djalit nga Drenica, që iku për në Norvegji për të gjetur shërim për këmbët e tij, e që falë punës së Shemsiut si gazetarë, duke informuar opinionin e gjerë norvegjez mbi sëmundjen e djalit nga Drenica, u lajmërua donatori që financoi shërimin e tij dhe për këtë shërim i`u shtye leje qëndrimi në Norvegji.

Gjelat po këndojnë edhe ditën, vendi po ngjallet, ekonomia po ngritet, festat po shtohen, rrugët po mbushen fëmijë e të rinj, dritat s’po ndalen deri pas mesnate në secilën shtëpi tonën. Por, si me e mbajt këtë ritëm edhe në vjeshtë e dimër, si t’kemi një lidhje edhe ma shumë se shpirtërore me diasporën tonë, përtej pushimeve verore?!

Shoqata e avokatëve shqiptaro-britanikë nën udhëheqjen e Brikenës, ka filluar të japë një mësim të mirë për shoqatat dhe institucionet vendore, duke u munduar të rrjetëzoj avokatët dhe njerëzit kompetentë në fushën e drejtësisë, duke shkëmbyer përvoja dhe mësime të mira. Ajo çfarë ka nevojë Kosova jonë, është përtej idealit për me e ndërtu mirë Republikën, është të punohet praktikisht në realizimin e ëndrrave të qytetarëve të saj. Nëse ëndërr e Brikenës dhe Shëmsiut është kthimi në vendlindje, a të fillojmë ne t`ua shtrojmë rrugën për kthim. Sa shumë do kishte përfituar ky vendi ynë i varfër ekonomikisht por i pasur shpirtërisht, me mendjet që kanë arritur suksese ndërkombëtare e përvojë ndërkombëtare, e këtë përvoje ata me sjellë mu këtu.

Njeriu meriton shumë, përtej ideales e qetësisë shpirtërore, njeriu jetëshkurtër meriton jetë me dinjitet, jetë me ide të mira, dhe praktika të mira. Këto praktika dhe ide të mira, si marrim dot duke ofruar asgjë më shumë sesa ‘qetësi shpirtërore’, edhe atë ndonjëherë gjysmake.

***

Florentina Hajdari Hajra, është me profesion politologe, Master në ‘Shoqëri civile dhe zhvillim lokal. Florentina është aktiviste shumëvjecare e shoqërisë civile, duke punuar me organizata të ndryshme me bazë në komunitet, qytetare aktive që beson se ndryshimi në shoqëri fillon nga individi i cili beson në afinitetet e veta.

Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.