Si t’i shndërrojmë vizitat e Diasporës ​​në atdhe në katalizator të Zhvillimit të Turizmit?

Pjesëtarët e diasporës, për dallim prej turistëve të huaj, vizitat në atdhe ose vendin e origjinës i realizojnë kryesisht të shtyrë nga faktorë si lidhja emocionale apo familjare, kultura dhe njohja e kontekstit lokal, ruajtja e trashëgimisë dhe gjuhës, ri-bashkimi familjar, ri-lidhja me rrënjët etnike, kulturore, etj. Këto motive implikojnë një dëshirë për të rijetuar apo përsëritur përvoja të kaluara, të cilat lidhen me momente gëzimi, kënaqësie, nostalgjie por edhe për të ri-konstruktuar ngjarje  të së kaluarës së errët apo të dhimbshme. Motivet formësojnë në masë të madhe edhe përvojat e diasporës në atdhe.

Vizitat e shumta e të shpeshta të diasporës në atdhe, e sidomos gjatë sezoneve të festave apo pushimeve, kanë marrë dimensionin e asaj që quhet “turizëm i diasporës”. Këto lloj vizitash kanë një potencial për të ndikuar në zhvillimin e industrisë së turizmit dhe sektorëve tjerë të ndërlidhur me të. Për të kapitalizuar turizmin e diasporës dhe për të shndërruar vizitat në atdhe në katalizator i zhvillimit të sektorit, nevojitet që nga perspektiva e subjekteve relevante në atdhe të kihen parasysh të paktën disa faktorë:

  1. Të kuptuarit e motiveve kryesore për ardhjet e diasporës. Fillimisht, është shumë e rëndësishme të kuptohen motivet që i shtyjnë bashkatdhetarët tanë të vizitojnë kaq shpesh e kaq të shumtë atdheun. Kjo pasi që edhe përvoja dhe përshtypjet e tyre formësohen nga motivet e vizitave. Rrjedhimisht, subjektet që ofrojnë shërbime apo produkte duhet ta kenë parasysh që nëse dikush ka ardhur me qëllim kryesor të çmallet me të afërmit dhe vendlindjen, ka më pak kohë të shpenzojë në aktivitete tjera. Prandaj, oferta duhet të jetë e përshtatur ndaj kërkesës – specifike dhe qartë e përcaktuar në kohë dhe hapësirë.
  2. Turizëm i orientuar kah autentikja lokale. Turizmi i diasporës nga natyra krijon ose veçse ka lidhje të forta me ekonominë lokale, në të cilën diaspora kontribuon në masë të madhe. Turistët e diasporës janë kryesisht në kërkim të autentikes dhe origjinales lokale, prandaj duke u nisur nga kjo premisë për ta është më e rëndësishme përmbajtja se sa sasia e gjërave. Ky element është shumë i rëndësishëm për ekonominë vendore, pasi që kultivimi dhe promovimi i produkteve ka efekt të shumëanshëm dhe tek shumë sektorë tjerë si: trashëgimia kulturore dhe historike, artizanat, bujqësia, blegtoria, etj. Pastaj, duhet kuptuar që ne mund të jemi konkurentë me të tjerët në turizëm vetëm duke kultivuar dhe ofruar produkte lokale dhe jo ato të importuara.
  3. Mbështetje direkte e ekonomisë lokale. Ky lloj turizmi karakterizohet me udhëtime jo shumë ekskluzive apo të shtrenjta, me vizita në vende autentike e të vogla. Këto përfshijnë dyqanet lokale, ngrënien në restaurante me receta tradicionale e me pronarë lokal, fjetje në vende të vogla më pak popullore, etj. Sipas të dhënave në nivel global, turisti/ja i/e diasporës në mesatare shpenzon më pak se një turist i huaj i zakonshëm. Jo për shkak të pamundësisë financiare aq sa për shkak të njohjes së kontekstit lokal dhe dëshirës së përjetimit të gjërave në formën autentike. Turistët e diasporës blejnë apo porosisin direkt më shumë se përmes operatorëve ndërmjetës, duke mbështetur direkt operatorët e vegjël ekonomik lokal.
  4. Vendosja në hartë e vendeve “të panjohura”. “Turistët e diasporës” vizitojnë vende të cilat turistët e zakonshëm nuk i vizitojnë edhe aq si p.sh. vendet rurale apo të thella me rastin e vizitave famiiljare, ngjarjet kulturore apo sportive lokale, atraksionet natyrore me infrastrukturë të dobët transporti, etj. Kjo nënkupton që turistët e diasporës kanë potencial të vendosin vende/lokacione të reja në hartat turistike. Kjo ndikon në shpërndarjen gjeografike të atraksioneve dhe rritjen e ofertës turistike edhe për turistët e huaj me kalimin e kohës. Poashtu, duke vizituar vende të thella me familjarë dhe miq, turizmi i diasporës mund t’i japë shtysë edhe turizmit lokal brenda vendit
  5. Kohëzgjatja. Përderisa pjesa më e madhe e turizmit është sezonal, turizmi i diasporës mund të jetë më i gjatë. Kjo për arsye se një pjesë e madhe e diasporës realizon vizita jashtë kalendarit të pushimeve për arsye të ndryshme (përfshirë edhe kostot më të ulta të udhëtimeve). Ky është një element që mund të ndikoj në qëndrueshmërinë e turizmit në vend. Prandaj, edhe oferta turistike (zakonisht sezonale) duhet të mirëmbahet për një kohë më të gjatë.

Pse duhet pasur parasysh këta faktorë? Për të shndërruar “turizmin e diasporës” në katalizator të zhvillimit të këtij sektori në vendin amë kërkohen ndryshime nga ofertuesit dhe oferta vendore. Duke pasur parasysh faktorët shtytës për turizmin e diasporës, edhe sikur oferta të mos ndryshojë, numri i vizitave ka gjasë të mos bie, të paktën nga gjenerata e parë e emigrantëve. Motivet e lartcektura shtytëse bëjnë që përvoja (qoftë edhe negative) e këtij  grupi dhe vlerësimi i shërbimeve gjatë vizitave të mos ndikojë në vendimet për të vizituar sërish të njejtat destinacione turistike.

“Turistët e diasporës” kanë të ngjarë të mos marrin parasysh cilësinë e shërbimeve në atdhe kur marrin vendimin për të ri-vizituar atë. Rrjedhimisht mungon kërkesa për rritje të cilësisë së shërbimeve. Por, kjo nuk duhet t’i bëj rehat ofruesit e tyre. Ndryshimi i  dinamikave dhe demografisë / gjeneratave të pjesëtarëve të diasporës me kalimin e kohës do të ndryshojë dhe bashkë me të edhe faktorët motivues të vizitave në atdhe. Kjo mund të ndikojë që numri dhe intenzitetin e vizitave të diasporës në atdhe të varet nga oferta dhe cilësia e shërbimeve që ne ofrojmë. Gjeneratat e reja në diasporë kanë më pak lidhje emocionale me vendin e origjinës, rrjedhmisht më pak faktorë motivues për të vizituar atë.

Prandaj, nga perspektiva e zhvillimit të turizimit është e nevojshme të diskutojmë për ofertën e Kosovës si destinacion kryesor turistik për diasporën. Ekziston potencial që t’i shndërrojë vizitat në katalizator zhvillimi, por ekziston edhe rrezik që ky potencial të humbet nëse nuk kuptojmë si duhet kërkesën dhe trendet aktuale.

Ky opinion është motivuar nga organizimi i edicionit të parë të festivalit “Eja n’Sharr Fest”, ku mes tjerash ishte temë diskutimi ‘turizmi dhe diaspora’.