Disa fjalë për Mërgatën e sotme
Shkruan: Kopi Kyçyku
[Fitues i Shqiponjës së Artë “Zëri i Komunitetit në Diasporë”]
Sot, fjalën “mërgim”, që përdorej deri në fundvitet ’80 të shekullit të kaluar, e kemi zëvendësuar me “diasporë”, e cila dikur nënkuptonte tërësinë e bashkësive hebraike të shpërndara nëpër botë. Termi “diasporë” bazohet në idenë e rrënjëve dhe të kujtesës kolektive në kontekstin e vazhdimësisë së kombit në të tjera kushte dhe rrethana kohore e hapësinore. Kjo dukuri mund të këqyret edhe si një luftë kundër harresës, luftë që ngjiz një “ikonografi” të mirëfilltë.
Në të vërtetë ekzistojnë shumë lloje të diasporave: njëra është krijuar pas luftrash, të cilat janë shoqëruar me migrime ndërkombëtare, deportime dhe spastrime etnike; një tjetër përfaqësohet nga bashkësi që mbetën në trojet e veta, por u ndryshuan kufijtë e shteteve kombëtare; diaspora më e re është ajo që u ngjiz nga migrimi ekonomik sidomos i dhjetëvjetshave të fundit. Disa autorë, si Gabriel Sheffer, profesor i shkencave politike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit (Sheffer, Gabriel, Diasapora Politics: At Home Abroad, Cambridge University Press; 1 edition, 2006), flasin për diaspora – viktimë (si ajo afro-amerikane), diaspora perandorake (indiane dhe britanike), diaspora tregtarësh (kineze, libaneze, greke), diaspora kulturore (karaibase). Nga sa më sipër, është shtruar nevoja për një studim të thelluar të këtij realiteti kaq të larmë, në të cilin shfaqen identitete hibride dhe transkulturore, tranzicione dhe tranzaksione ndërmjet kulturave, procese negocijuese dhe dialog ndërkulturor.
Është rasti të bëjmë këtu dallimin e qartë ndërmjet diasporës shqiptare dhe shqiptarëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, të cilët jetojnë në trevat e tyre stërgjyshore dhe nuk mund të konsiderohen kurrsesi diasporë. Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Diasporës po jep ndihmë konkrete të institucionalizuar për shqiptarët e kudondodhur, në përputhje me pikësynimet madhore të politikës së jashtme të shtetit shqiptar për ruajtjen dhe afirmimin e identitetit të tyre etnik, gjuhësor, kulturor e fetar, në pajtim e në rezonancë me rëndësinë që institucionet perëndimore i kushtojnë respektimit të të drejtave të pakicave etnike në shtetet përkatëse.
Para së gjithash, duke pasur parasysh që aktualisht përqindja e shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të atdheut është e lartë, strategjia kombëtare parashikon fillimisht për periudhën 2018-2024 ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor të Shqipërisë, që do të garantojnë njohjen e “rolit të diasporës me nënshtetësi shqiptare dhe të migracionit të ligjshëm” (Shih: Ministri i Shtetit për Diasporën, “Diaspora shqiptare”, Analiza dhe studime, Periodik 1, 2019, f. 40). E drejta e votës dhe përfaqësimi i shqiptarëve të diasporës në Parlamentin e Shqipërisë është një kërkesë themelore e përfshirë tashmë në strategjinë e qeverisë shqiptare. Sikurse doli edhe nga Samiti II i Diasporës Shqiptare, që u zhvillua para pak ditësh në Tiranë, me sukses të plotë, në frymën e tolerancës e të mirëkuptimnit vllazëror, të shprehjes së lirë të mendimeve nga mëtë ndryshmet, në Parlament duhet të zgjidhen atmëmëdhetarë të mirëfilltë, që njohin gjithanësisht problemet e bashkëkombësve të kudondodhur, pra jo vetëm në vendin ku kanë mërguar, dhe, krahas ndihmesës për atdheun në aspektin ekonomik-financiar, përmes investimeve, të ndikojnë realisht në përcaktimin e masave konkrete dhe të efektshme për mbajtjen gjallë të shqipes e të traditave tona në bashkësitë përkatëse, në radhë të parë në radhët e fëmijëve dhe të rinjve. Me rëndësi maksimale është ta edukojmë brezin e ri të mërgimtarëve me krenarinë për të qënë shqiptar. Diplomacia jonë duhet t’i fuqizojë përpjekjet për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetet ku jetojnë e punojnë. Ndërkohë nuk duhet anashkaluar as studimi i historisë së mërgatës shqiptare gjatë kohërave, çka, ndër të tjera, do të shërbejë si një mjet i pazëvendësueshëm shkencor e politik, në dritën e të cilit do të këqyren me sy kritik hapat e hedhur deri më sot, do të përmirësohen parreshtur metodat e do të përsosen mjetet për rezultate gjithnjë e më të larta në të ardhmen. Duke shfrytëzuar burimet arkivore, shtypin, kujtimet e shkruara, dëshmitë e ndryshme gojore, albumet fotografike etj, do të grumbullohet lëndë e parë e mjaftueshme për të përgatitur monografi me vlera historike për ngjarje të rëndësishme dhe për figura të shquara, që kanë dhënë ndihmesë të ndjeshme në përparimin e atdheut, por edhe të vendeve ku kanë mërguar. Kujdes e nderim duhet treguar edhe për varret e personaliteteve më në zë të kombit, duke mos përjashtuar as riatdhesimin e eshtrave të tyre.