Darkë humanitare në Zürich për fëmijët e Kosovës
15 Gusht 2017, Prishtinë – ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, fondacion humanitar që vepron në Prishtinë, Kosovë, në bashkpunim me organizatën Zvicerane ‘Solidar Suisse’, organizon darkë humanitare në lokalin Eni’t në Zürich të Zvicrës, me datë 29 Shtator 2017.
Qëllimi i kësaj darke humanitare është ngritja e fondeve të nevojshme për uljen e shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në vend. Që nga paslufta, kur shkalla e vdekshmërisë ka qenë 29 foshnje në 1,000 linjde, tash kemi arritur t’a ulim në 11 vdekje në 1,000 lindje – shifër që ende mbetet më e larta jo vetëm në rajon por edhe në Evropë.
Me qëllim e uljes së shkallës së vdekshmërisë, Fondacioni zhvillon programe shëndetësore, si furnizimin e Klinikës Neanatologjike dhe Gjinekologjike në QKUK me medikamente esenciale dhe pajisje të nevojshme mjekësore, hapjen e ‘Klasave për Nëna’, zhvillimin e transportit neonatal, dhe programeve të tjera.
Andaj, arsyeja e organizimit të kësaj darke bamirëse, është ngritja e fondeve për mbështetjen e këtyre programeve. Ngjarja do të përfshijë muzikë, fjalime nga personalitete shqiptare dhe zvicerane si dhe aktivitete të tjera përgjatë mbrëmjes. Ngjarja është e hapur për publikun përmes blerjes së biletës në vlerë prej 100 CHF për person. Persona të biznesit dhe filantrop ftohen të mbështesin mbrëmjen në cilësinë e sponzorëve.
Ngjarja bëhet e mundur falë mbështetjes së lokalit Eni’t, Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, dhe mediumit AlbInfo si dhe orgaizatës ‘Germin’. Për informata shtesë shihni uebfaqen www.amchealth.org ose kontaktoni direkt në [email protected].
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës. Për më shumë www.amchealth.org
Kontakt:
e-mail: [email protected]
tel: +381 38 748 309
mob: +386 49 110 333
www.amchealth.org