Globalizimi dhe identiteti ynë kombëtar
Shkruan: Kopi Kyçyku
Fitues i Shqiponjës së Artë “Zëri i Komunitetit në Diasporë”
E kam thënë edhe me rast tjetër se njerëzit e kulturuar në vende të ndryshme janë kurreshtarë të dinë sa më shumë për historinë, folklorin e përgjithësisht për qytetërimin iliro-shqiptar.
Për këtë, para së gjithash duhet të njohim sa më mirë vetveten që të dimë t’u përgjigjemi bindshëm pyetjeve të tyre. Karakter i fuqishëm, vendosmëri, shpirt luftarak, vetëmohim, mbajtje e fjalës së dhënë, zhdërvjelltësi, frymë krijuese, ndjeshmëri e lartë, atmëmëdhedashuri, mall… Këto tipare tonat i joshin studiuesit e huaj të zhbirojnë më në thellësi botën e begatë shqiptare, – këtë enigmë dhe mrekulli, – në përpjekje për të gjetur shpjegimin e dinamizmit e të vitalitetit shqiptar, të pazbehur as nën thundrën e pushtuesve të huaj, as nën trysninë e diktaturës vendëse.
Identiteti na është dhënë nga zëri i shënjtë i historisë: kemi qëndruar si shkëmb graniti dhe, sa më të egra e të parreshtura kanë qënë tallazet, aq më fort na kanë kalitur, “lëmuar” e pastruar.
Ndër idetë e pandryshueshme të historisë sonë bëjnë pjesë ato të unitetit e të pavarësisë, të vazhdimësisë e të lirisë. Uniteti, i kuptuar në tërë kompleksitetin e vet, si unitet i kombit, i zanafillës historike të tij, i gjuhës, i territorit, i interesave ekonomike, i organizimit politik, i jetës shpirtërore dhe kulturore, përfton përmbajtjen thelbësore të vetëdijës historike shqiptare, në të gjitha etapat e përshkuara prej saj.
Duke sintetizuar prirjet themelore të zhvillimit tonë historik, shpaloset një program i gjerë për historiografinë shqiptare të çpolitizuar. Na duket se në këtë kuadër detyrë kryesore është hartimi i historisë së njësuar të shqiptarëve, që duhet të japë me vërtetësi çdo etapë të zhvillimit ekonomik e shoqëror, çdo periudhë historike, luftrat sociale përkatëse, veprimtarinë politike, dhe të shtjellojë, në dritën e argumenteve, fakteve dhe dokumenteve, si rolin e popullit e të klasave e shtresave shoqërore, ashtu edhe të udhëheqësve të ndryshëm të shtetit, të personaliteteve të shkencës e të kulturës. Një analizë e tillë e thelluar do të çonte në përcaktimin e vendit në histori, e prejardhjes dhe vazhdimësisë sonë në trevat eurojuglindore. Aq më tepër kur dihet që kemi një të kaluar lavdiplotë, që përfaqëson trashëgiminë më të çmuar të popullit tonë. Prej këtej del edhe detyra për ta ngritur në një shkallë më të lartë këtë trashëgimì, duke e pasuruar me arritje të reja materiale dhe shpirtërore.
Uniteti i historisë sonë nuk është ideologjik apo propagandistik, siç është orvatur ta paraqitë ndonjë autor nga zona të tjera gjeografike, por është i lidhur me vërtetësinë e fakteve, me faktorë objektivë, me dëshmi të pakundërshtueshme dhe kuptimplota. Ndër këta faktorë rreshtojmë: zanafillën historike të përbashkët të shqiptarëve, gjuhën e përbashkët, njëjtësinë e jetës shpirtërore dhe kulturore, unitetin e territorit e të organizimit politik. Vërtetësia e faktorëve të sapopërmendur është vënë në dukje nga zbulimet e panumurta arkeologjike, nga hulumtimet etnografike, gjuhësore dhe kulturore. Gjithashtu, dijetarët humanistë evropianë, që janë marrë me popullin shqiptar, e kanë pohuar realitetin e unitetit tonë gjithëpërfshirës. Në të njëjtën kohë, duhet mbajtur mirë parasysh që uniteti, njëjtësia e historisë sonë, përshfaqet si tripërmasore. Së pari, ajo është hapësinore; së dyti është njëherazi kohore, – ekziston një lidhje organike mes drejtimeve të zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare, – ashtu sikurse është edhe strukturore, falë ndërvarësisë midis fushave të ndryshme të jetës sonë gjatë kohërave. Ky tripërmasim ka mbarështruar një bazë edhe më të qëndrueshme për zhvillimin e vetëdijes historike.
Pra, përfundimi i pamohueshëm në të cilin çojnë objektivisht dëshmitë e të gjithë burimeve të historisë së popullit shqiptar është ekzistenca e një uniteti të fuqishëm dhe e një vijimësie të jetës shoqërore në të gjithë rrafshet. Konfiguracioni i territorit të Ilirisë së lashtë ka mundësuar vazhdimësinë dhe unitetin etnik të shqiptarëve të të gjitha krahinave historike të banuara prej tyre, pavarësisht nga sundimi i huaj apo nga karakteri i marrëdhënieve juridike që ata kanë pasur me shtetet e tjerë.
Lidhjet e panumurta e të përhershme ekonomike, sociale dhe kulturore, – të paktën qysh nga mesjeta e hershme, – ndërmjet trevave mbarëshqiptare, e fuqizuan bashkësinë e gjuhës dhe ngjizjen psikike të popullit tonë. Kjo ka përcaktuar edhe paprerëshmërinë, pandalshmërinë e luftës së tij për bashkim dhe pavarësi. Bashkimi dhe pavarësia janë sumus-i i ekzistencës sonë historike. Ato nuk kanë ardhur në mënyrë të copëzuar, as si diçka e rënë nga qielli; tradita e tyre nuk ka rreshtur asnjëherë. Si të gjitha tendencat e vërteta, ato kanë qënë përherë të pranishme, duke u gjendur në “hije” vetëm gjatë periudhash kalimtare.
Finalizimi i unitetit kombëtar e shtetëror i luftrave për çlirim shoqëror e për pavarësi më 28 Nëntor 1912, afirmimi i fuqishëm shoqëror e kulturor i Shqipërisë demokratike në ditët tona, përbëjnë kurorëzimin e përpjekjeve shekullore me gjak e me penë, e aspiratave të shqiptarëve të kudondodhur për të pasur një shtet unitar të pavarur, për të jetuar të lirë, në paqe, mirëkuptim e bashkëpunim me fqinjët e me të gjithë popujt.
Një tjetër përbërëse e vetëdijës historike shqiptare përfaqësohet nga themelësia morale-humane e veprimeve tona historike, nga fisnikëria dhe drejtësia e kauzës për të cilën kemi luftuar, nga konseguenca dhe koherenca, nga karakteri unitar i akteve tona historike.
Populli ynë nuk ka zhvilluar luftra grabitqare, pushtuese, nuk ka lakmuar tokat e pasuritë e të tjerëve, dhe nuk ka qëndruar shpërfillës ndaj luftrave të popujve të tjerë, në radhë të parë të fqinjve, për çlirim kombëtar dhe pavarësi.
Ai ka luftuar me vendosmëri për ruajtjen e trashëgimisë stërgjyshore, për mbrojtjen e gjithçkaje që i përket, që është de jure dhe de facto e tija.
Në mbështetje të të dhënave historike mund të pohojmë se populli ynë është ngjizur gjatë mijëvjetshave në hapësirën ballkanike (haemusiane) dhe çdo metër katror tokë, çdo gur, janë spërkatur me djersën e gjakun e të parëve tanë.
Lidhur me problemin që po trajtojmë, më duket domethënës fakti që, si në mitologjinë e popullit tonë, në folklor, ashtu edhe në shkrimet tona historike, paraqitjet triumfaliste, ekzaltuese, nuk kanë pasur vend. Gjithçka është dhënë në masën e duhur, si jehonë e së vërtetës historike, sidomos në momente ngjarjesh të mëdha, të papërsëritshme. Lavdimi i këtyre të fundit dhe i protagonistëve përkatës jo rrallë ka mbushur edhe zbrazëtitë që janë vënë re nga varfëria e dokumenteve, ose nga mungesa e plotë e tyre. Traditat dhe kultura mbarëpopullore kanë nxjerrë në dukje disa tipare shpirtërore dhe vlera morale veçorizuese për mënyrën e perceptimit dhe kremtimit nga masat e gjera të evenimenteve historike.
Në shekullin XIX, kur letërsia e kultivuar zuri të pasqyronte evenimentet historike të kohës, populli ynë e përjetoi si një krijimtari të mirëfilltë të vetën dhe e përfshiu në folklor. Kjo dukuri shpjegohet vetëm e vetëm përmes njëjtësisë së qëndrimit dhe të mënyrës së interpretimit të ngjarjeve themelvënëse të historisë sonë. Mbartja e disa heronjve nga realiteti historik në letërsinë popullore dëshmon se bëmat e tyre u përgjigjeshin disa përmasave morale të psikologjisë kolektive. Si të tilla u shndërruan natyrshëm në shprehje të mitologjisë kombëtare.
Në lidhje të ngushtë me themelësinë morale-humane të akteve tona historike, një dallojë e vetëdijës historike shqiptare është baraspesha e qëndrimit ndaj popujve të tjerë, çka duhet të bashkëshoqërohet me karakterin e theksuar aktiv, progresist të shkrimeve historike.
Natyrisht, në zanafillë të literaturës historike shqiptare qëndron ideja e detyrës dhe e përgjegjësisë ndaj atdheut e kombit. Nga ky këndvështrim, shkrimi i historisë është mision i shënjtë. Në të duhet të gjejë pasqyrim përmasa prometease e vetëdijës historike shqiptare, sidhe përpjekjet e parreshtura krijuese të popullit në organizimin e së sotmes, të qartësuar nga e vërteta e së kaluarës dhe nga perspektiva e së ardhmes.
Në çdo epokë, populli ynë ka ditur t’i jetësojë idealet e veta; suksesi në luftën e ashpër për jetën është varur kryekëput nga përpjekjet, nga serioziteti dhe nga vendosmëria me të cilat i ka ndjekur hap pas hapi pikësynimet e veta.
Veçoritë dalluese të shqiptarëve të mërguar sot në Evropë janë të varura para së gjithash nga statusi i të mosqënit qytetarë të Bashkimit Evropian, rrjedhimisht i të drejtave më të kufizuara nga ato që gëzojnë personat e ardhur nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Përsa u përket lidhjeve me shtetin mëmë të bashkëkombësve tanë me banim e punë në Kontinentin e Vjetër, ato janë më të prekshme e të konkretizueshme më lehtë se sa të shqiptarëve të SHBA, Kanadasë apo Australisë për shkak të largësisë së madhe gjeografike.
Por për të gjithë bashkëkombësit tanë të kudondodhur është e njëjtë përparësia e mësimdhënies së gjuhës amtare me metoda sa më të efektshme me synim që, mundësisht fëmijët e mërgimtarëve ta përvehtësojnë me themel, me shkrim e me gojë. Vendosja e një dialogu me autoritetet e vendeve përkatëse duhet të çojë në pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve në të gjithë segmentet e massmedias e veçanërisht në emisione radiotelevizive e organe shtypi ku flitet e shkruhet shqip.
Jo më pak e rëndësishme është edhe mbështetja e përbërëses shpirtërore të bashkësive shqiptare, pra fesë, e cila, krahas arësimit laik, ndikon në ruajtjen e identitetit kombëtar. Objektet e kultit, përveç rolit specifik të besimit në Zot dhe aksioneve bamirëse, mund të ndihmojnë edhe në ndërmarrjen e realizimin e projekteve me karakter edukativ dhe forcimin e solidaritetit atdhetar të besimtarëve.
Promovimi i vlerave tona kulturore tradicionale, si tjetër element i identitetit kombëtar, ka ndikim të fuqishëm për të na njohur e për të na pranuar bota si të denjë për të na bërë pjesë të organeve e forumeve vendimmarrëse rajonale e botërore.
Globalizimi, – jo gloBANALIZIMI!, – dhe identiteti kombëtar janë realitete të dobishme të botës së sotme, nga të cilat vetvetiu duhet të nxjerrim përfitimet përkatëse, pa hequr dorë nga themelet shpirtërore sepse kurrsesi tregu global dhe sistemi informacional nuk mund të zëvendësojnë identitetin. Në këtë kontekst mendoj se po të harronim rrënjët stërgjyshore që kemi hedhur në këtë truall duke i vaditur me djersë e gjak në shekuj, nuk do të jemi këta që jemi dhe kështu si jemi, por të tjetërsuar, hushkulur, pra ashtu siç kanë dashur gjatë kohërave armiqtë tanë. Në Kontinentin e Vjetër hapi vendimtar drejt globalizimit do të hidhet përmes krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës, çka nuk do të ndalet vetëm në ngritjen e disa institucioneve të qeverisjes në shkallë kontinentale, në caktimin e një Dite të Evropës, e një flamuri, steme, himni, kushtetute evropiane, e një monedhe të vetme të përbashkët. Evropa e Bashkuar synon të krijojë edhe një identitet të vetin, me tradita e mendësi të përbashkëta, të cilat t’ia përligjin ekzistencën. Megjithatë, problemet fetare ka të ngjarë t’u shkaktojnë telashe strategjive të Bashkimit Evropian (BE), që e venë theksin në “rrënjët e krishtera” të Evropës së Bashkuar. Kjo formulë mund të ketë jehonë negative sidomos në myslimanët, që janë të shumtë në Evropën Qëndrore dhe në atë Lindore, sidhe tek hebrejtë (Izraeli ëndërron të anëtarësohet në BE, megjithse gjeografikisht nuk është pjesë e Evropës).
Me rëndësi është të theksojmë se, sidoqë të ndodhë, bashkësitë kombëtare nuk do të pranojnë t’u cënohet sadopak identiteti. Madje Franca, një nga promotorët e BE-së, ka vënë në dukje se, në asnjë mënyrë nuk ka për të hequr dorë nga identiteti i saj. Franca dëshiron (dhe nuk është e vetmja!) një Evropë të kombeve (ide e Sharl de Golit), e ndërtuar sipas një logjike të integrimit në “mirëkuptim” e me logjikën e diferencimit, pra të pajtimit të projektit kontinental me parimin e mbrojtjes së identitetit kombëtar.
Ndërkaq “Globalizimi dhe kultura kombëtare” është një sintagmë me peshë të madhe, sepse ballafaqon procesin e globalizimit me trashëgiminë kulturore të secilit komb. Zgjidhja do të ishte moskundërvënia, madje pranimi i kulturës perëndimore, – evropiane e sidomos amerikane, – krahas paprekshmërisë së identitetit kulturor kombëtar. Pra, siç thotë populli: Mishi të piqet, helli të mos digjet!
Në shoqërinë në të cilën jetojmë asgjë nuk mbetet pa u prekur nga dukuria e globalizimit. Kjo dukuri është bërë një symbol i kohës, një proces i pakthyeshëm. Ka mendime që globalizimi është sistemi i ri, i konceptuar shumë më mirë se sa i mëparshmi, i cili ishte i plogët dhe anemik për shkak të Luftës së Ftohtë që dominoi politikën ndërkombëtare qysh nga viti 1945. Falë globalizimit, të gjithë, sikurse shprehet Thomas L. Friedman, përbëjmë “një lumë të vetëm” dhe të gjithë mbartemi nga valët e të njëjtave ujra që na çojnë në të njëjtin kah. Të gjitha përbërëset e shoqërisë sonë moderne: ekonomia, financat, kultura, politika, madje në një farë mase edhe feja, gjallojnë në epokën e kapitalizmit të tregut të lirë dhe kanë përfitime nga ky system që është bërë forca qëndrore e globalizimit.
Termi “globalizim” është vënë në qarkullim nga amerikanët. Francezët kanë parapëlqyer termin “mondializim” sepse, sipas tyre, mondializimi përkufizon respektin ndaj kulturave të shteteve pjesëmarrëse në dukurinë e globalizimit ekonomik. Por edhe francezët, me gjithë teprimet specifike kombëtare, e pranojnë faktin që ekzistojnë përfitime nga globalizimi veçanërisht në fushën informatike dhe në atë ekonomike. Por përsa i përket ruajtjes së vlerave identitare të kulturës kombëtare, gjërat ndërlikohen. Globalizimi ka një ndikim vendimtar mbi kulturat dhe identitetet kombëtare. Jo gjithmonë globalizimi nënkupton një shkallë të lartë komunikimi ose shkëmbim ndërmjet kulturave të ndryshme. Për më tepër ekziston prirja që një kulturë mbizotëruese t’u imponohet të tjerave duke çuar në një proces homogjenizimi kulturor. Shkalla e intensitetit të këtij homogjenizimi nuk varet nga vlera e kulturave kombëtare, por nga fuqia ekonomike e çdo shteti. Përgjigjja për pyetjen nëse informatika dhe ekonomia mund ta pasurojnë kulturën kombëtare, kërkon disa sqarime. Me të drejtë pohohet që procesi i globalizimit mund të jetë vërtet diçka e përkryer vetëm po qe se kulturat dhe shoqëritë e ndryshme kombëtare marrin pjesë në këtë proces në mënyrë të barabartë. Por në rast se globalizimi trajtohet vetëm si një proces i drejtuar tërësisht nga shoqëritë dhe kulturat, që kanë në dorë fuqinë më të madhe ekonomike, atëhere homogjenizimi i kulturave mund të ketë rrjedhoja të papritura.
Sistemi i standardizimit kulturor, veçorizues për globalizimin, promovohet, ndër të tjera, edhe me anë të internetit, televizionit dhe spoteve publicitare. Impakti kulturor i tyre mbi brezat e rinj është i fuqishëm në shkallë planetare dhe mund të integrohet në kulturën kombëtare, por gjuha, traditat e kultura kombëtare mbeten përcaktuese për identitetin kulturor. Asnjëherë nuk mund dhe nuk duhet të fshihen si me fshesë kultura kombëtare, letërsia, arti, feja, traditat folklorike dhe muzikore dhe para së gjithash historia e një populli. Bota do të ishte më e varfër pa larminë e kulturave kombëtare. Lidhjet bashkëkohore midis jetës kulturore dhe jetës politike duhet të gjejnë trajtat e natyrshme me të cilat kombet në përgjithësi, pra edhe kombi ynë, t’i konsolidojnë tiparet dhe arritjet shpirtërore e lëndore. Ndryshe çfarë do të lemë pas nesh? Pra lipset të gjejmë një rrugë të mesme ndërmjet pranimit të globalizimit dhe ruajtjes së rrënjëve. Nga mënyra se si do të menaxhojmë globalizimin dhe identitetin kombëtar, do të varet edhe e ardhmja jonë. Globalizimi përbën etapën e parë të ngjizjes së ekonomisë botërore si një e tërë. Kjo do të gjejë pasqyrim të plotë në hapjen e kufijve, në gjithanshmërinë e shkëmbimeve (të njerëzve, ideve, kapitaleve, mallrave) dhe përmban shumë përmasa: politike, ekonomike, kulturore, shpirtërore etj. Nga ana tjetër, globalizimi dhe regjionalizimi janë procese plotësuese të shoqërisë bashkëkohore, procese që synojnë vendosjen e një baraspeshe ndërmjet mundësive për të përmbushur kërkesat për qytetërim dhe ato për kulturë. Duhet të shtojmë këtu se midis globalizimit dhe integrimit vështirë se bëhet një dallim i qartë. Pjesa delikate e “rikonstruksionit” mendor të idesë evropiane lidhet me faktin që kjo e fundit nuk mund të ketë sukses përveçse po të ketë një vlerë globale. Ashtu sikurse ne, shqiptarët, për të qënë evropianë, duhet të pranojnë që të jenë në një farë mënyre “më pak” shqiptarë; njëlloj edhe evropianët, për të qënë globalë, duhet të dëshmojnë faktin që janë të aftë për të qënë “më pak” evropianë.
www.kkycyku.blogspot.com