Njoftim: Darka e Diasporë
Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, në bashkëpunim me organizatën zvicerane “Solidar Suisse”,organizon ngjarjen bamirëse “Darka e diasporës” në lokalin Eni’t në Zürich të Zvicrës, më 29 shtator 2017, prej orës 19:00 – 21:00.
Në këtë darkë bamirësie, Dr. Omer Dzemali, ndër 100 kokat e mençura të Zvicrës, do të mbajë një fjalë rasti për musafirët. Ngjarja do të përfshijë muzikë dhe aktivitete të tjera përgjatë mbrëmjes, si dhe është e hapur për publikun përmes blerjes së biletës në vlerë prej 100 CHF për person. Persona të biznesit dhe filantropë ftohen të mbështesin mbrëmjen në cilësinë e sponsorëve.
Kjo darkë organizohet me qëllimin e shpëtimit të jetëve të fëmijëve dhe uljes së shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë. Që nga paslufta, kur shkalla e vdekshmërisë ka qenë 29 foshnja në 1,000 lindje, tash kemi arritur ta ulim në 11 vdekje në 1,000 lindje, shifër që ende mbetet më e larta jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.
Me qëllim e uljes së shkallës së vdekshmërisë, Fondacioni zhvillon programe shëndetësore, si furnizimin e Klinikës Neonatologjike dhe asaj Gjinekologjike në QKUK me medikamente esenciale dhe pajisje të nevojshme mjekësore, hapjen e ‘klasave për nëna’, zhvillimin e transportit neonatal dhe programeve të tjera.
Ngjarja bëhet e mundur falë mbështetjes së Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, lokalit Eni’t, platformës AlbInfo.ch, kompanisë Eurokoha, si dhe organizatës “Germin”.