Partneritet – pse jo?
Akad. Kopi Kyçyku
Fitues i Shqiponjës së Artë “Zëri i komunitetit në diasporë”
Jetojmë në një shoqëri në globalizim e sipër, që, mes shumë të tjerash, nënkupton përcaktim rrugësh e mënyrash të reja në marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe diasporës. Një nga këto, me efekt të shpejtë, të drejtpërdrejtë e dobiprurës, mendoj se mund të ishte krijimi i një partneriteti sui generis. Përmes këtij të fundit mund të vlerësohet shkalla e gatishmërisë, niveli i përvojës, sidhe i resurseve që bashkëkombësit tanë me banim e punë jashtë, janë në gjendje të ofrojnë – me dobi të ndërsjellë, për të dyja palët. Shqiptarët, pavarësisht ku ndodhen, janë pjesë përbërëse e pandarë e shoqërisë shqiptare e, për rrjedhojë, shteti ka për detyrë të dëgjojë e t’u përgjigjet njëlloj kërkesave, interesave, nevojave dhe shqetësimeve të shqiptarëve, si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve politikë të Shqipërisë: në shtete të Bashkimit Evropian ose jo, sidhe Përtej-Oqeanit. Gjithsa thamë më sipër mund të ushtrojë ndikim edhe në fuqizimin e solidaritetit mbarëkombëtar.
Dihet tashmë se lëvizja e lirë përfaqëson vlerë themelore dhe një përbërëse thelbësore për integrimin evropian. Shteti ynë demokratik respekton të drejtën e çdo individi për të vendosur ku dëshiron të jetojë dhe të përmbushë dëshirat e projektet që ka, për vete dhe për familjen. Me qëndrimet e veprimet e saj, qeveria shqiptare po tregon konkretisht se mirëpret ndihmesën e të gjithëve për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë, si nga ata që duan ta ndihmojnë atdheun nga brenda, ashtu edhe nga ata që ndodhen jashtë. Nga ana tjetër, janë me mijëra mërgimtarë, në radhë të parë të rinjtë, të cilët janë të pajisur me kulturën e nevojshme e me guximin për të ndërmarrë nisma të rëndësishme në fusha nga më të ndryshmet. Pavarësisht nga profesioni dhe lloji i veprimtarisë ekonomike-financiare apo shkencore me të cilën merren, diçka thelbësore i njëson: dëshira për të mbajtur lidhje të pashkëputshme me dheun e të parëve dhe gatishmëria për ta ndihmuar atë të çapitet në një hap me vendet më të zhvilluara në të cilat kanë krijuar kushtet për një jetesë familjare më të mirë. Nga ky këndvështrim diaspora, pra bashkëkombësit tanë, mund të këqyren edhe si përfaqësues e njëherazi ndërlidhës midis shtetit shqiptar dhe shtetit ku kanë mërguar. Një partneritet i mirëfilltë, i bazuar në besim të ndërsjellë, në dialog e në marrjen përsipër bashkërisht të përgjegjësive përkatëse, pra në jetësimin e nismave të reja, do të gjente pasqyrim në një axhendë e cila do të përfshinte si problemet me përparësi që kërkojnë zgjidhje urgjente, ashtu edhe ato që mund të zgjidhen me etapa e afate të përcaktuara saktë, brenda mundësive reale.
Po qe se do të shihen gjërat me këtë sy, mund të pohojmë se, në fund të fundit, bëhet fjalë për një ripërkufizim të strategjisë së shtetit shqiptar në marrëdhëniet e tij me bashkëkombësit e kudondodhur; për kalimin e natyrshëm nga marrëdhëniet sociale me karakter hierarkik në një partneritet publik – privat. Thënë ndryshe, duhet të kalohet nga këndvështrimi thjesht asistencial, ndihmues, – që duhet të vazhdojë në aspekte të tjera: ruajtja e gjuhës amtare, e traditave dhe përgjithësisht e gjithçkaje që i bën jehonë identitetit tonë kombëtar, – në një model participativ, në kuadrin e të cilit organizatat, shoqatat, fondacionet apo individët e veçantë sipërmarrës bëhen partnerë të institucioneve qeveritare shqiptare kur shtrohet çështja e përcaktimit të politikave të përbashkëta zhvillimore. Programet, projektet dhe aksionet që do të qëndrojnë në themel të strategjisë së re, duhet të jenë rezultat i një procesi transparent konsultimesh mes dy partnerëve: qeverisë shqiptare dhe diasporës.