Samiti si skenë
Atyre që morën pjesë në Samit, me siguri nuk u ka shpëtuar detaji i organizimit të mirë të tij nga pikëpamja skenike. Nisma u duk formalisht e organizuar mirë. Duke filluar nga logo dhe telekamerat, deri tek sistemimi i skenave dhe i megaekraneve ultra të sheshta; çdo gjë që kishte të bënte me skenografinë dhe imazhin, ishte menduar më së miri. Por Samiti ka mbaruar prej tre muajsh, ditët në kalendar vazhdojnë të kalojnë dhe nuk është shënuar asgjë thelbësore në ndërtimin e urave midis Shqipërisë dhe diasporës që u premtuan
Shkruan: Rando DEVOLE
Ka një kategori politikanësh që kujtohen për migrantët në çastet e nevojës, zakonisht gjatë fushatave parazgjedhore, ose kur opinioni publik në Shqipëri duket tejet i ngopur dhe i velur nga gjellët e zakonshme të kuzhinës politike. Në kësi rastesh shtohen edhe takimet e ndryshme me diasporën. Qasja instrumentale ndaj migrantëve shqiptarë ka variante të shumta dhe është e shtrirë në kohë, por ajo me karakter politik dallohet kryesisht nga retorika me të cilën trajtohen çështjet e diasporës[i].
Si rrjedhim, dyshimet fillestare se mos Samiti i Diasporës, që u zhvillua në nëntor 2016, ishte thjesht një nismë propagandistike, ishin pa diskutim legjitime. Synimet dhe objektivat e deklaruara paraprakisht, vështirë të qortoheshin, pasi tregonin vullnetin e mirë për ndërtimin e urave me diasporën dhe ishin qëndisur mirë edhe nga pikëpamja leksikore. Por, pikërisht, karakteri i tyre i përgjithshëm, fjalë të mëdha por pa propozime konkrete, e rriste edhe më shumë skepticizmin.
Atyre që morën pjesë në Samit, me siguri nuk u ka shpëtuar detaji (që detaj nuk është) i organizimit të mirë të eventit nga pikëpamja skenike. Me ndonjë përjashtim të vogël, nisma u duk formalisht e organizuar mirë. Duke filluar nga logo dhe telekamerat, deri tek sistemimi i skenave dhe i megaekraneve ultra të sheshta; çdo gjë që kishte të bënte me skenografinë dhe imazhin, ishte menduar më së miri. Madje nuk mungonin edhe mesazhet e mirëseardhjes në rrugët qendrore të Tiranës.
Nga pikëpamja organizative, të gjitha aktivitetet në kuadrin e samitit, si pritja në Pallatin e Brigadave, panelet e ndryshme të diskutimit, takimi me Kryeministrin Rama në Pallatin e Kongreseve, koncerti në TOB, mbrëmja përmbyllëse gjatë së cilës u dhanë çmimet “Shqiponja e Artë”, nuk ngecën në ndonjë pikë dhe kaluan pa incidente. Edhe disa probleme të vogla me menaxhimin e kohës, si p.sh. ndërhyrjet e tepruara të politikanëve gjatë mbrëmjes përmbyllëse dhe falënderimet e zgjatura të fituesve të çmimit “Shqiponja e artë”, mund të faleshin, për sa kohë rezultuan domethënëse dhe treguese gjërash interesante.
Në një vend që e ka fiksim imazhin, në një politikë që e kultivon atë deri në obsesion, ky aspekt nuk do të përbënte lajm në vetvete, as do të tërhiqte vëmendjen. Mirëpo, ajo që nuk mund të anashkalohet është pikërisht kontrasti i fortë i aspektit skenik me përmbajtjen dhe rezultatet konkrete të samitit, të cilat mbetën në nivelin zero, ngaqë fjalët ishin të bukura e të mëdha, por në thelb boshe. Ndjesia e zbrazëtisë rritet me kalimin e kohës, meqë ende nuk po shihen rezultate të prekshme.
Vetë Kryeministri shqiptar kërkoi falje, që në fillim, për probleme eventuale të organizimit, meqë ishte hera e parë në histori, që zhvillohej një samit i tillë. Faljet ishin preventive, megjithatë të panevojshme nga ana organizative, në kuptimin logjistik të kësaj fjale. Nuk çalon puna se autobusi vjen me pak vonesë, ose dreka e shtruar nuk është e pasur me gjellë tipike shqiptare.
Që samiti kishte disa probleme, u pa që në fazën përgatitore. E nuk është fjala vetëm për mosfunksionimin e duhur të procesit të ftesave. Meqë ra fjala, në fillim ftesat u nisën me firmën e Kryeministrit në bazë të sinjalizimeve të përgatitura nga përfaqësitë diplomatike. Sipas gjasës, këto sinjalizime janë kryer në bazë të aktivizmit dhe angazhimit të personit në jetën politike apo shoqërore të komunitetit shqiptar në emigracion, siç thoshte më pas vetë faqja në internet e samitit[ii]. Kjo procedurë u ndërpre kur u hap faqja e regjistrimit në internet tek siti zyrtar në ueb. Që nga ai çast, ftesat bëheshin pasi pjesëmarrësit regjistroheshin në formularin përkatës.
Procedura e re krijoi konfuzion, sepse pati nga ata që prisnin tashmë një ftesë dhe nuk u regjistruan online. Nga ana tjetër, pati raste që ftesat e bëra nuk mbërritën në destinacion. Për njerëz të angazhuar seriozisht në diasporë, mosardhja e ftesës ishte e barasvlershme me injorimin, pra me fyerjen. Përgjegjësinë duhet ta gjejnë institucionet përkatëse, midis të tjerash me qëllimin që të mos përsëriten në të ardhmen. Duken probleme të papërfillshme, por janë të rëndësishme, ngaqë tregojnë diçka thelbësore: shteti shqiptar nuk e ka një hartë të saktë të shqiptarëve të angazhuar në diasporë.
Siç mund të merrej me mend, synimet e këtij samiti kërkonin medoemos një punë parapërgatitore në rrafshin e përmbajtjes dhe rezultateve. Nuk do të kishte qenë keq sikur të ishin krijuar grupe pune në vende të ndryshme për të nxjerrë në pah kërkesat e migrantëve dhe mënyrat e ndërveprimit midis Shqipërisë dhe diasporës së saj. Dëgjesat publike dhe e-malet kolektive nuk përbëjnë mjetin më të mirë, sidomos kur lipset një veprim i koordinuar e sintetizues.
Fakti që samiti zhvillohej për herë të parë u përsërit si refren, herë si justifikim, herë si mburrje, ja për t’u shfajësuar për probleme të mundshme, ja për ta evidentuar nismën si event historik. Në të dyja rastet u duk e tepruar, sepse vërtet një samit i tillë u bë pas 26 vjet emigracion, por nuk është hera e parë që po flitet për diasporën dhe rëndësinë e migrantëve. Konferenca dhe takime ndërkombëtare me këtë temë e për të tjera janë bërë plot në Shqipëri.
Nga ana tjetër, fakti që politika dhe institucionet shqiptare kujtohen pas kaq shumë vitesh për diasporën duhet të fillonte me një falje për vonesën, jo me mburrje për “takimin historik”. Fundja, qeveria Rama e promovoi nismën pas 3 vjet e ca pushtet, pra me shumë vonesë, pa llogaritur faktin se partitë e koalicionit qeveritar nuk kanë lindur dje, pra mund ta kishin organizuar edhe më parë. Ky nënvizim nuk shërben për ta mohuar proverbin “më mirë vonë se sa kurrë”, si rrjedhim edhe zhvillimin e samitit, por për ta ndërgjegjësuar klasën politike se ajo gjykohet nga vendimet konkrete, jo nga njoftimet me efekt mediatik.
Për t’iu kthyer samitit si skenë, mund të thoshim se aktivitetet e ndryshme vuanin nga një monopolizim të përbërë nga rrathë bashkëqendrorë. Në të parin ishte qeveria, e cila u paraqit jo vetëm si bashkëbiseduesja, por si ndërfaqja e diasporës. Qeveria ishte gjithkund: nga panelet tek vlerësimi me çmime. Kishte ministra panelistë e ministra dhënës çmimesh. Një mbiekspozim i tillë ishte disi i tepërt, mund të ishte shmangur, për sa kohë në qendër të vëmendjes ishte diaspora dhe jo qeveria. Asnjë institucion tjetër, përveç Kryetarit të Parlamentit ditën përmbyllëse, nuk mori pjesë në samit, çka vërtetoi se kritikat paraprake në këtë drejtim nuk u morën parasysh[iii].
Një rreth tjetër brenda monopolizimit ishte ai i personalizimit. Prania e kryeministrit ishte e tepruar, çka u vu re edhe nga ai vetë, meqë mbrëmjen e galasë, e cila u mbyll me shumë vonesë, u shpreh me një batutë se e kishin këshilluar bashkëpunëtorët që të fliste. Në fakt, Kryeministri Rama foli disa herë, praktikisht çdo ditë: ditën e hapjes së samitit, gjatë takimit të drejtpërdrejtë me pjesëmarrësit në Pallatin e Kongreseve dhe në mbylljen e samitit kur u dhanë edhe çmimet e ndryshme. Politikisht, ishte Rama që i vuri vulën samitit të diasporës.
Mungesa e protagonistëve të tjerë të jetës politike e sociale shqiptare, që shkojnë përtej koalicionit mazhoritar, detyrimisht i varfëroi diskutimet për një nga temat më komplekse të modernitetit, siç është migracioni. Prania e aktorëve të tjerë të jetës publike, qoftë edhe të opozitës, nuk do t’ua kishte hequr meritën promotorëve të nismës, dhe njëkohësisht do ta kishin shpërndarë hijen e dyshimit se samiti bëhej vetëm për qëllime propagandistike dhe paraelektorale.
Analizë të posaçme kërkon takimi i Kryeministrit me pjesëmarrësit në Pallatin e Kongreseve – me një skenografi prej “one man show” e me shumë telekamera përreth -, gjatë të cilit Kryeministri iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve pa asnjë ndërmjetës ose moderator. Ishte në atë rast që Rama sqaroi disa mendime personale dhe qëndrime të qeverisë së tij ndaj migracionit shqiptar, e midis të tjerash lidhur me çështjen e votës së emigrantëve. Për këtë temë ai nënvizoi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë hera e fundit që do të zhvillohen pa votën e diasporës. Arsyetimi që qëndron pas këtij përfundimi është se nuk ka ende një regjistrim të emigrantëve, përderisa ligji i regjistrimit ka hyrë në fuqi në vitin 2016[iv], çka e bën procesin e votimit të pamundur.
Regjistrimi i emigrantëve, për ecurinë e të cilit ende nuk ka informacione të sakta, është paraqitur që në fillim si gur themelor për të drejtën e votës dhe për përmirësimin e shërbimeve konsullore. Tema e votës kërkon hapësirë tjetër, sepse është shumë e gjerë, por në rast se regjistrimi është conditio sine qua non për votimin e diasporës, atëherë nuk kuptohet përse nuk ka filluar më parë si proces, në mënyrë që, në rast se ekzistonte vullneti politik, emigrantët të votonin që në zgjedhjet e 2017-s. Sepse në këtë mënyrë duket sikur qeveria ka fituar kohë, nëpërmjet një eskamotazhi, duke e zhvendosur temën e votimit pas katër vjetësh. Deri atëherë, kush do të rrojë, do të shikojë.
Duket sikur jo vetëm arsyetimet, por edhe dokumentet për diasporën, janë qëndisur për mrekulli dhe janë të blinduara nga kundërargumentimet. A nuk është hera e parë që bëhet një samit i tillë? Kush tjetër e mori mundimin ta bënte? A nuk u konfirmua publikisht rëndësia e votimit të diasporës? Kush tjetër ka bërë një ligj që hedh themelet në këtë drejtim? A nuk u angazhua qeveria publikisht për përfshirjen e Diasporës? Kush tjetër e ka bërë kaq solemnisht?
Të gjitha pyetjet, retorike ose jo, e kanë një përgjigje. Por përgjigjen përfundimtare do ta japë koha. Sepse qeveria u angazhua publikisht se do “të zhvillojë dhe fuqizojë, përmes masash konkrete, kapacitetet institucionale brenda vendit, për të përfshirë më shumë dhe konkretisht Diasporën në zhvillimet ekonomiko-shoqërorë në Atdhe[v]“. Për t’u shënuar përsëritja e fjalës “konkrete”, si mbiemër e ndajfolje, në një fjali të vetme.
Ndërkohë, jo vetëm akrepat e orës lëvizin, por edhe ditët në kalendar vazhdojnë të kalojnë pa shënuar asgjë thelbësore në ndërtimin e urave midis Shqipërisë dhe diasporës.
[i] Rando Devole, Mërgimtarët e përdorur, “Peizazhe të fjalës”, 5 Shkurt 2008.
[ii] Shih faqen internet http://samitidiaspores.al/[iii] Rando Devole, Kur marrëdhënia dyshe nuk mjafton, “Peizazhe të fjalës”, 9 shtator 2016.
[iv] Ligji 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” është botuar në Gazetën zyrtare n. 37, më 9 mars 2016.
[v] Shih Deklaratën e samitit.
Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.