Ambasadorë jozyrtarë
Shkruan: Lirim Krasniqi
DIASPORA – FUQIA E BUTË E SHQIPTARËVE
DALLIMI MES TË QENIT PJESËTAR I DIASPORËS DHE EMIGRANT QËNDRON PIKËRISHT NË FAKTIN E (MOS)ANGAZHIMIT PËR SHTETIN AMË DHE MBAJTJEN E LIDHJEVE ME TË.
Në konferencën “Diaspora Flet” që u mbajt më 17-20 Maj në Prishtinë, u dëshmua edhe njëherë që diasporë nuk janë vetëm remitancat financiare, por edhe kapacitetet intelektuale, biznesore, shkencore dhe politike. Kingsley Aikins, themeluesi i “Diaspora Matters” nga Irlanda (njëra nga organizatat më të mëdha të diasporës në botë), duke folur me termat e politiologut amerikan Joseph S. Nye, theksoi në këtë konferencë se diaspora është fuqia e butë (soft power) e një kombi e shteti.
Vlerat politike dhe intelektuale, rrjetet e biznesit dhe organizatave të kulturës, sportit dhe shkencës janë ato që e përbëjnë diasporën. Të gjitha këto bashkë përbëjnë faktorë influencues në politikë, ekonomi dhe më gjerë, të cilat shumë shtete i përdorin çdo herë e më shumë, në favor të interesave të tyre.
GJENERATËS SË TRETË APO TË KATËRT NUK I OFROHET MËSIMI I GJUHËS DHE KULTURËS SHQIPE NË SHUMË VENDE TË BOTËS, DUKE RREZIKUAR SERIOZISHT HUMBJEN E NDJENJËS SË PËRKATËSISË DHE IDENTITETIT KULTUROR.
Por, pavarësisht potencialit të madh, gjendja e raporteve të shteteve amë me diasporën shqiptare në botë lë për të dëshiruar. Diaspora shqiptare akoma nuk arrin të realizojë të drejtat politike, të zgjedhë dhe të zgjidhet në mënyrë të barabartë. Shtetasit e Kosovës jashtë vendit kanë të drejtë të votojnë, mirëpo për shkak të procesit të vështirë shumica prej tyre nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë, kështu duke mos mundur ta realizojnë këtë të drejtë. Ndërsa shtetasit e Shqipërisë jashtë vendit, nuk kanë të drejtë vote.
Diaspora e Kosovës, akoma pret radhëve në kufi për të paguar një taksësigurimi që shihet si plaqkë për të hyrë në vendin amë. Gjeneratës së tretë apo të katërt nuk i ofrohet mësimi i gjuhës dhe kulturës shqipe në shumë vende të botës, duke rrezikuar seriozisht humbjen e ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit kulturor – një nga elementet kyçe të të qenurit pjesëtar i diasporës shqiptare. Gjatë punimeve të konferencës “Diaspora Flet”, pjesëtarë të diasporës kanë ngritur si shqetësim mungesën e literaturës dhe shkollave e klasave për mësimin e gjuhës shqipe në vendet ku jetojnë, duke u ankuar për mungesë të përkrahjes nga shtetet amë në këtë drejtim.
Gjithashtu, diaspora shqiptare e ka shumë të vështirë të sjellë remitanca sociale, të japë ide apo të implementojë projekte në shtetet amë.
Organizimet e diasporës në vendet ku jetojnë edhe pse të shumta në numër, janë më shumë kaotike se sa të harmonizuara, ndërsa organizimet në shtetet amë ndodhin vetëm gjatë sezonit turistik dhe janë më shumë të tipit karnevalesk – koncerte pa vlera artistike me një mbishkrim me titull “Mirësevini bashkatdhetarë”. Komunikimi me institucionet e shteteve amë është jashtëzakonisht i vështirë dhe nëse një pjesëtar i diasporës dëshiron të investojë, ai do të përballet me dhjetëra (për të mos thënë qindra) procedura burokratike.
Fakti që konferenca e parë për diasporën organizohet nga Germin – organizatë e shoqërisë civile e cila merret me angazhimin e diasporës dhe jo nga institucionet shtetërore – tregon për interesin e shteteve amë për të angazhuar grupin social më të madh që kanë.
Angazhimi – rruga përpara
Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe komunat shqiptare në Mal të Zi dhe Serbi, duhet të koordinohen dhe t’i hapin dyert diasporës shqiptare në botë. Potenciali i diasporës nuk duhet të pritet vetëm nga remitancat financiare që shkojnë vetëm për konsum – duhet të vijë edhe përmes remitancave sociale, shkëmbimeve të ideve dhe mallrave. Potenciali i diasporës duhet të vijë përmes profesionistëve që ndihmojnë dhe madje udhëheqin institucionet shtetërore.
Ndikimi politik dhe kulturor në vendet ku ajo jeton, i jep diasporës dimension diplomatik i cili duhet të mbështetet dhe shfrytëzohet. Idea e krijimit të Këshillit Kombëtar të Diasporës që u hodh në konferencën “Diaspora Flet” në Prishtinë nga Mark Cosmo, udhëheqës i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Massachusetts “BESA”, Boston, SHBA, duhet të shtyhet përpara.
Një këshill i tillë, i përbërë nga pjesëtarët e diasporës gjithandej botës do të adresonte të gjitha problemet që lidhen me diasporë dhe zhvillimin e shteteve të origjinës dhe do të shndërrohej në një lob të fuqishëm të kulturës dhe vlerave shqiptare në botë. Si grupi më i madh shoqëror shqiptar, diaspora duhet të shndërrohet në katalizator zhvillimi.
Tre ministra shqiptarë të diasporës në tre shtete të ndryshme, sot më shumë se kurrë kanë mundësinë ta angazhojnë potencialin e diasporës dhe të ndërtojnë ura komunikimi ndërinstitucionale në mënyrë që strukturat shtetërore të jenë të lidhura me pjesëtarët e diasporës pavarësisht nga kush udhëhiqen ato.
Ashtu siç tha Kingsley Aikins në konferencën 4-ditore në Prishtinë, “diaspora është fuqia e butë e një kombi” dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë duhet ta njohin dhe shfrytëzojnë ‘armën’ e fuqishme që e kanë.
Lirim Krasniqi ka përfunduar studimet master në shkenca politike për zhvillim ndërkombëtar dhe teori politike. Është analist dhe hulumtues i politikave në fushat e interesit si: Politika të Jashtme dhe të Sigurisë, partitë politike, zhvillimi i demokracisë dhe çështjet e Diasporës. Aktivizmi politik dhe pjesëmarrja qytetare hyjnë poashtu në sferën e angazhimeve të tij. Është bashkëpunëtor i NGO Germin dhe NGO PIPS (Pristina Institute for Political Studies).