ARMA SEKRETE E KOSOVËS – DIASPORA

Cili është kontributi i diasporës në Kosovë?

Kosovarët që jetojnë jashtë shtetit llogaritet të jenë afro 800,000, që i bie të jetë i barabartë me rreth 45% (gati gjysma) të banorëve që jetojnë brenda vendit. Diaspora e Kosovës është shumë zemërgjërë; vetëm në vitin 2015 ata kanë dërguar mbi 750 milionë euro (remitenca) në Kosovë. Kjo shumë është rreth 2.5 herë më e madhe sesa shuma e investimeve direkte të huaja, dhe rreth 17% e bruto produktit vendor (GDP-së) në vitin e njëjtë. Këto para zakonisht përdorën për ta zvogëluar varfërinë e familjarëve të tyre në Kosovë; për veshmbathje, ushqim, ndërtim të shtëpive, vetura, etj. Me gjithë kontributin e saj në Kosovë, diaspora ndihet e papërfaqësuar. Ajo ka nevojë për fuqizim të mëtutjeshëm dhe ofrim të mundësive për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse në vend.

Si shpenzohen dhe si mund të shpenzohen më mirë paratë e diasporës?

Sa i përket shpenzimit të parave të diasporës, a është kjo mënyra më e mirë e mundshme? Përveç plotësimit të nevojave themelore, një pjesë e remitencave si dhe paratë tjera që diaspora i kursen mund të kanalizohen drejt investimeve në sektorin e ndërmarrësisë në Kosovë – hapjes së bizneseve të reja. Kjo do të ndikonte në fuqizimin e kosovarëve që jetojnë brenda vendit dhe do të krijonte kushte për zhvillim ekonomik më cilësor, i cili do të pasonte me zvogëlimin e papunësisë, që paraqet sfidën më të madhe në vend. Kjo gjithashtu do të paraqiste një mundësi shumë të mirë për diasporën; përpos ndjenjës së kontributit në vendin e tyre, një investim i tillë do të paraqiste mundësi ideale për kthim të favorshëm nga investimet. Është shumë e rëndësishme që vendimi për të investuar në Kosovë të jetë vendim racional biznesor, e jo emocional.

Si duhet të jetë qasja e shtetit të Kosovës ndaj diasporës?

Diaspora nuk duhet parë vetëm si burim për financim, por edhe si partner zhvillimor dhe pjesëmarrës në procesin e vendimmarrjes. Si kontribues kyç, diasporës duhet t’i jepet hapësirë më e madhe dhe t’i mundësohet të jetë pjesë e proceseve të ndryshme shtetndërtuese. Një çështje shumë e rëndësishme për ta është çështja e përfaqësimit në Kuvend të Kosovës. Praktikat për ndarje të ulëseve të veçanta për diasporën në Kuvend mund të merren nga vendet e ndryshme si Kroacia e Franca, të cilat i rezervojnë 3-4% të ulëseve. Ministria e Diasporës e Kosovës ka propozuar ndarjen e ulëseve për diasporën, por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret. Qeveria e Kosovës duhet ta trajtojë diasporën me një kujdes të veçantë dhe  duhet t’i krijojë kushte të favorshme për të qenë pjesë e këtyre proceseve.

Çfarë është duke u bërë dhe çfarë mund të bëhet më shumë për diasporën?

Si mund të arrihet deri tek rezultatet e prekshme në këtë drejtim? Kohën e fundit janë marrë disa nisma nga shoqëria civile. Në nëntor të këtij viti është lansuar platforma DiasporaFlet.org që mundëson rrjetëzimin e organizatave shqiptare të diasporës, dëgjimin e kërkesave të tyre si dhe shprehjen e opinioneve. Gjithashtu është krijuar rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare. Gjatë kontaktit të shpeshtë me pjesëtarë të diasporës, është parë një interesim jashtëzakonisht i madh për angazhim. Pjesa më e madhe e tyre janë të interesuar të kontribojnë përmes donacioneve në sektorë të ndryshëm në Kosovë. Megjithatë, mbetet të krijohen kushte më të mira për të hapur biznese, ashtu që të dy palët të përfitojnë – investuesit (diaspora) dhe kosovarët brenda vendit, pra të krijojmë një plan win-win (të dy palët të përfitojnë). Duke luajtur këtë rol mendohet që do të arrihet deri tek një fuqizim më i madh i diasporës në një të ardhme të afërt dhe vendi të përfitojë më shumë.

Pjesëtarët e diasporës mund të jenë ose të mos jenë të interesuar për t’u kthyer në vendin e origjinës, mirëpo një gjë është e sigurtë, të gjithë duan ta ndihmojnë vendlindjen në krijimin e ndryshimeve pozitive, qoftë përmes remitencave, investimeve, shkëmbimit të përvojave e shkathtësive, etj. Kosova ka një diasporë shumë të kualifikuar që jeton në  vende të ndryshme të botës, dhe krijimi I mekanizmave për kontribut në vendlindje do të ndihmonte shumë në rritjen e prosperitetit në vend. Përfshirja e diasporës në politikëbërje, përdorimi i përvojave dhe shkathtësitë të tyre do të luante rol kyç në ndryshimet e nevojshme për të mirën e vendit.

Çfarë nismash mund të merren për t’i mundësuar diasporës të kontribojë më shumë në Kosovë në periudhën afat-shkurtër?

Çfarë mund të bëhet në këtë drejtim? Ka shumë mënyra për angazhim të diasporës, ndër to po i përmendim disa konkrete: krijimi i mundësive për të filluar biznese që do të bashkonin ndërmarrësit vendor me bashkëfinancuesit nga diaspora; krijimi i programeve të ndryshme (p.sh. doktorëve) për t’i ndihmuar institucionet vendëse; sjellja e akademikëve në Kosovë për të ligjëruar/punuar si pjesë e përpjekjeve për “të kthyer trurin” në Kosovë; krijimi i grupeve për rrjetëzim të profesionistëve që veprojnë jashtë dhe brenda Kosovës. Këto janë vetëm disa mënyra, ndërkaq mundësitë për të shfrytëzuar potencialin që e ka diaspora në funksion të zhvillimit të vendit janë shumë më të mëdha se kaq. Kosovarët janë shumë krenarë me diasporën dhe me sukseset që ata i kanë arritur në vendet ku jetojnë në fusha të ndryshme: në art, muzikë, sport, etj. Për këtë arsye, duhet bërë më shumë që të gjitha këto t’i përdorim në të mirën e Kosovës.

Kush duhet të jenë lojtarët kyç për t’i udhëhequr këto ndryshime? Padyshim, rolin më të madh në këtë aspekt e ka Qeveria e Kosovës, e në veçanti Ministria e Diasporës si organi përkatës për dëgjimin e kërkesave të diasporës dhe rekomandimin tek Qeveria për ndryshimet e nevojshme në ministritë përkatëse. Gjithashtu, rol të rëndësishëm duhet të luajnë edhe organizatat e shoqërisë civile si në vendin amë si dhe në disporë.

Nehat Dobratiqi ka përfunduar studimet baçelor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet Master në Ekonomiks në Universitetin e Maine në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e programit të bursave të USAID-it për Lidership Transformues (TLP). Aktalisht Nehati është i angazhuar në Germin si hulumtues me fokus në politikat socio-ekonomike.