Pse duhet diaspora të votojë në zgjedhjet e përgjithshme 2017?

Pse duhet diaspora të votojë në zgjedhjet e përgjithshme 2017?

1.  Votuesit nga jashtë janë më pak të politizuar dhe për këtë arsye mund të jenë aktorë kryesor të ndryshimeve rrënjësore të cilat janë të duhura për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

2. Diaspora shqiptare duhet të votojë, sepse vetë pjesëtarët e diasporës dhe familjet e tyre, të cilat jetojnë në Kosovë ndikohen nga proceset politikëbërëse të Kosovës – Donika Nushi, Chicago, ShBA.

3. Diaspora është grupi më i madh dhe më i fuqishëm shoqëror në Kosovë. Për këtë arsye, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje do të bënte që Kosova të ketë demokraci përfaqësuese – Kaltrina Kusari, Germin.

4. Përmes votimit diaspora ka rastin ta shprehi vullnetin e saj dhe të ndikoj që të arrihen ndryshime në Kosovë. Votimi është e drejtë që duhet të shfrytëzohet – Brikena Muharremi, avokate, Mbretëria e Bashkuar

5. Diaspora duhet gjithsesi ta shfrytëzojë të drejtën e votës. Janë pjesa më vitale dhe profitable e vendit. Duke votuar vlerat mund të jetë shembull edhe për votuesit në Kosovë – Dali Baliedemaj, politikan, Gjermani.

6. Vota e diasporës (parakushtet më të lehta për të votuar nga diaspora) përveç të mirave të tjera, ndikon të lidh gjeneratën e re të diasporës me vendin e origjinës, si në kuptimin e njohjes më të mirë të sfidave socio-politike në vendin e origjinës, ashtu edhe në kuptimin e angazhimit më të madh për zgjidhjen e sfidave socio-politike në vendin e origjinës. Votuesi shqiptar i gjeneratës se re nga diaspora, duke qenë pjesë e shoqërive të konsoliduara demokratike në shtetet perëndimore, e ka referencën dhe reflektimin me konstruktiv për demokracinë si mënyrë e udhëheqjes, dhe rrjedhimisht si qellim parësor me votën e tij e ka progresin e Kosovës si tërësi, duke mos u ber rob dhe i varur nga politizimi partiak etj – Fatmir Lekaj, politolog, Norvegji.

7.Përjashtimi dhe vështirësitë e rinisë shqiptare nga diaspora për të votuar, është në korrelacion të drejtpërdrejtë me asimilimin klasik dhe krizën identitare të rinisë shqiptare në diasporë. Sepse përjashtimi nga mundësia e votës e gjeneratës së re shqiptare nga diaspora, në një perspektivë të gjatë ndikon edhe për përjashtimin e tyre nga identiteti kombëtar-shqiptar. Rrjedhimisht, mundësia e lehtë dhe efektive për të votuar, ndikon që gjenerata e re e shqiptarëve në diasporë ta ndjen vetën pjesë e pashkëputshme e vendit të origjinës dhe të jenë qytetar lojal, krenar dhe të integruar socio-politikisht, edhe në vendin ku jetojnë, edhe në vendin e origjinës – Fatmir Lekaj, politolog, Norvegji.

#VotaeDiasporës2017