Bashkëbisedim virtual: Ministri Majko përballë Diasporës
Vendimet e miratuara së fundmi nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë lidhur me zgjedhjen e përfaqësueseve të Këshillit Koordinues të Diasporës dhe mbi kriteret e mënyrën e ndarjes së çmimit “Ambasador i Kombit”, ishin arsyet e organizimit të një bashkëbisedimi virtual (26.06.2018) në mes të Diasporës dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën.
Germin, si ndërmjetësues i këtij takimi, ftoi 16 pjesëtarë nga komunitet e Diasporës të cilët vinin nga 10 shtete të ndryshme të botës si: ShBA, Kanada, Turqi, Gjermani, Zvicër, Greqi, Itali, Britani e Madhe, Francë dhe Spanjë.
Ministri Majko, përballë një paneli divers nga diaspora, u përgjigj dhe dha sqarime për pyetjet dhe kërkesat që pjesëtarët patën për këto dy tema, por edhe për të tjera si vota e diasporës, rrjeti i bizneseve në Diasporë, angazhimi i Diasporës në diplomaci & lobim dhe për Samitin e Diasporës 2.0.
Përballë kërkesës së pjesëmarrësve në diskutim, që Këshilli Koordinues të jetë gjithëpërfshirës i njëanëshëm dhe jo-partiak, z. Majko siguroi se mekanizmi që do të garantojë funksionimin e strukturës së këtij organizmi do jetë transparenca. Sipas Ministrit të Shtetit për Diasporën, legjislacioni i ri, i hartuar dhe miratuar në kohë rekord, nuk le vend për mangësi apo shkelje në procesin e zgjedhjes së pjesëtarëve të Këshillit. Lidhur me çmimin “Ambasador i Kombit”, Ministri shprehu qëllimin për krijimin e një rrjeti “ambasadorësh”, që do të vlerësohen mbi bazë të kontributit, meritokracisë, transparencës dhe mirënjohjes publike.
Panelistët po ashtu rekomanduan që ky Këshill të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë shqiptarët e shteteve Ballkanike, duke kërkuar kështu krijimin e një Këshilli Global për Diasporën Shqiptare dhe jo çdo qeveri të krijojë mekanzima të tjera përfaqësuese. Poashtu, kërkesë e tyre ishte që të respektohet edhe parimi i barazisë gjinore në përfaqësim.
Liza Gashi, Drejtoreshë e Programeve në Germin në fund potencoi se së bashku me Ministrin e Shtetit për Diasporën do të vazhdojnë këtë lloj komunikimi me bashkëatdhetarët me qëllim të njoftimit dhe avancimit të rolit të Diasporës në proceset që lidhen me të drejtat e tyre.
Diskutimin mund ta ndiqni këtu: