DIASPORA E BASHKUAR NË MBLEDHJEN E FONDEVE PËR VIKTIMAT E TËRMETIT NË SHQIPËRI

Diaspora Shqiptare ka përcjellur me shqetësim të madh zhvillimet pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit në afërsi të qytetit të Durrësit. Kjo tragjedi rezultoi me dhjetëra jetë njerëzish të humbura, qindra të lënduar dhe mijëra të tjerë të larguar nga shtëpitë e tyre, të cilat ose janë  shkatërruar tërësisht ose janë të pabanueshme, gjë që nënkupton rrezikun e shembjes.

 

Duke marrë për bazë këto pasoja, Organizatat GERMIN dhe Fondacioni Global Shqiptar, së  bashku me Shoqërinë Shqiptaro-Amerikane të Masaçusets “BESA”, kanë nisur kampanjën për ngritjen e fondeve, duke ju bërë thirrje të gjthëve e në veçanti pjesëtarëve të diasporës që të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi për të zbutur pasojat e kësaj tragjedie. Vlen të theksohet se organizatat e ndryshme në Diasporë tashmë kanë arritur që brenda pak ditësh të mbledhin disa milionë dollarë, të cilat do të dedikohen për viktimat dhe të prekurit e këtij tërmeti.

 

Ndërkohë, sot po zhvillohet kampanja “#GivingTuesday”/“E Martja Dhuruese”, e cila simbolizon ditën kur anë e mbanë botës mblidhen qindra miliona dollarë donacione nga fushatat individuale për ngritjen e fondeve. Kjo kampanjë po përcillet edhe nga shqiptarët që jetojnë në diasporë, të cilët kanë krijuar mini-kampanjat e tyre individuale për dhurimin e mjeteve financiare për të prekurit nga tërmeti i tmerrshëm i datës 26 nëntor në Shqipëri. Më shumë informata rreth këtyre kampanjave mund të gjeni KËTU.

 

Gjithashtu, kampanja e nisur nga GERMIN dhe FGSH do të zgjasë deri në fund të muajit dhjetor. Ne u bëjmë thirrje edhe njëherë të gjithë pjesëtarëve të diasporës që të dhurojnë në kampanjën kryesore online duke klikuar KËTU, ku deri më tani kemi grumbulluar rreth $130,000 dhe deri në fund të vitit shpresojmë të arrijmë në 1 milion dollarë. Gjithashtu, GERMIN dhe FGSH do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar transparencë për të gjitha donacionet e pranuara, në mënyrë që që ky proces të jetë i sigurt dhe besimi i mijëra pjesëtarëve të diasporës të shkojë aty ku është më se e nevojshme.

 

Solidariteti me viktimat e prekura nga kjo fatkeqësi, i treguar gjatë këtyre ditëve është shembulli më i mirë i bashkimit të njerëzve për një kauzë të përbashkët. Periudha emergjente pothuajse ka kaluar, por sfida e vërtetë fillon tash kur njerëzve që kanë humbur të afërmit dhe shtëpitë e tyre duhet t’u dalim në ndihmë për të rifilluar jetën pothuajse nga e para.

 

Për të arritur këtë, na nevojitet bashkimi edhe i faktorëve politik dhe koordinimi i Qeverisë së Shqipërsë me Qeverinë e Kosovës dhe Diasporën Shqiptare, sepse në kohë tragjedie sikur kjo, pikëpamjet dhe dallimet politike janë të parëndësishme në raport me jetët e njerëzve. Prandaj, urojmë që faktorët politik në Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë të tejkalojnë ndasitë dhe të bashkojmë forcat në mënyrë që të përballemi më lehtë dhe të zbusim pasojat e këtij tërmeti shkatrrimtar.

Në këtë momente të tragjedisë kombëtare, roli i Diasporës shqiptare është vendimtar dhe ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që të vazhdojnë mbështetjen e tyre dhe të jenë sa më të bashkuar në ndihmë të bashkëatdhetarëve tanë në Durrës dhe zonat përreth. #DhuropërShqipërinë #DonateforAlbania