Konferencë ndërkombëtare : “Varësitë – midis sfidave dhe mundësive”

Shkruan: Migjen Kajtazi

Më 17.10.2019, në Kolegjin e shkencave mjekësore « Rezonanca » në Prishtinë, në praninë e mbi 200 personave me profile te ndryshme si: studentë, psikiatër, psikologë, punëtorë shkencor e social, u mbajt Konferenca ndërkombëtare mbi vartësitë.

Konferenca u organizua në bashkëpunim të drejtëpërdrejtë të Kolegjit Mjekësor « Rezonanca », të Spitalit Universitar të Gjenevës të Zvicrës, të Qendrës për këshillim dhe trajtim të varshshmërisë « Labyrinth », Shoqata e Psikiatërve të Kosovës, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, e shoqatës Oss-Man të Nyonit të Zvicrës. E për nismën në realizimin e kësaj Konference meritën më të madhe e kanë Doktor Bujar Berisha, psikiatër në « Rezonancë » dhe zotëri Visar Qusaj specialist i shkencave të infermierisë në Spitalin Universitar të Gjenevës.

Prania e specialistëve të ardhur enkas nga Zvicra, ishte mundësi e mirë që me bashkëpunim me profesionistët vendorë të trajtohen temat e ndjeshme prej të cilave  fatkëqesisht është e prekur edhe popullsia e Kosovës. 

Këndvështrimi dhe ndarja e përvojave të ndersjellta tërhoqi vemendjen e publikut që patën mundësinë t’i parashtrojnë pyetjet drejt specialistëve të ardhur nga Zvicra dhe specilistëve vendorë. Për përkthimin e këtij bashkë-bisedimi u kujdes zonja Lemane Kamberi, e njohur tani e shumë vitë për punën e saj që edhe një herë tregoi nivelin e të lartë profesional. 

Përgaditja e Konferencës në ambientin profesional të “Rezonancës” ishte dëshmi që kuadri i këtij institucioni ka kapacitet të marrë përsipër organizime të tilla që në fakt tejkaluan pritjet e organizatorëve.

Pas fjalës përshëndetëse të pranishëmëve nga ana e zt. Milazim Gjokaj, njëherish Dekan në Kolegjin Mjekësor “Rezonanca”, dhe nga Masterja e shkencave mjekësore znj. Alida Idrizaj Gara, më pas mundësia u erdhi profesionistëve radha që të paraqesin punimet e tyre si vijonë : 

  • Zt. Daniel Zullino, Doktor dhe Profesor në “Universitetin e Gjenevës”, specialist në fushën e varshmërive; doktor Francisco Gonzales, doktor Calzada Gerard në prezentimin e tyre lidhur me « varësitë këtu dhe gjetkë, midis sfidave dhe mundësive » së pari u ndalën në specifikimin e shtetit të Zvicrës me 26 kantone, dhe po aq organizime të sistemeve të shëndetësisë. Zvicra gjatë viteve 90 ishte e ballafaquar me konsumimin e madh të drogave dhe atë në menyrë publike, si në Zurich poashtu edhe në qendrat e tjera urbane. Ky realitet bëri që më pas tema e varshmërive të përfshihet në çdo debat politik. Qendra Spitalore universitare në Gjenevë përbëhet nga një numër i caktuar i mjekëve, të infermierëve që për mision kanë : shërimin, mësimin dhe kërkimet lidhur me varshmërinë. Trajtimet me përshkrimin e heroinës bëjnë pjesë në autorizimin federal që tani Konfederata Zvicrane është e mbuluar me kuadro ligjorë të definuar mbi llojet e trajtimeveve. Gjeneva ka një politikë parandaluese dhe me ekipe profesionale përcjell pacientët apo personat në rrezik të devijimit, duke i përcjellur personat e prekur nga varshmëria me projektet e tyre jetësore, duke favorizuar reduktimin e rreziqeve, të lejojë të gjejnë alternativa lidhur me automatizimin e varshmërive, të futjes së pacientëve në relacionet sociale, si formë e kyqjes të personave në varshmëri në jetën shoqërore dhe jo si barrë e shoqërisë mirëpo si pjesë përbërëse e shoqërisë. 
     
  • Zonja Ana M. Diez, infermiere e specializuar në shëndetin mendor dhe psikiatri në Spitalin Universitar të Gjenevës në Zvicër dhe me një përvojë profesionale pranë Universitet të Valencias në Spanjë mbi varshmëritë pa substanca dhe duke u bazuar në përvojën e saj 12 vjeqare me 850 pacientë. Prezentimi i Znj. Diaz zgjoi gjithashtu interesin e pjesëmarrësëve, të cilët u njohën mbi definicionet e varshmërisë pa substanca e që në jetën e përditëshme pothuajse çdo përson është në dijeni qoftë si shikues, qoftë si një dëshmitar apo qoftë si viktimë. Vetë fakti që përdorimi i internetit, i telefonave të dorës të lojërave elektronike, varshmëria në punë, në sporte përmbledhin varshmërinë që çdo person është në një formë i varur. Ndihma që kërkohet për personat që janë të prekur nga varshmëritë e tilla deri në atë shkallë që të gjitha fushat tjera të jetës humbin interesin në dallim me varshmëritë e cekura, bëjnë që pacientët të jenë në përcjellje nga ekipet shumë-diciplinore : mjekët, infermierët, psikologët, asistentët socialë etj. Zvicra ballafaqohet gjithashtu me përdorimin e tepruar të internetit , të lojrave elektronike sidomos tek të rinjtë, që në fakt i paraprijnë një jete imagjinare që gradualisht bëjnë që këta personat e tillë të humbin kontrollin dhe nuk gjejnë as një kënaqësi tjetër përpos varshmërive të tyre. Si rrjedhojë këta përsona kanë vështirësi ndër të tjera edhe në komunikim dhe në jetën e tyre sociale.

  • Zotëri Visar Qusaj, ekspert i shkencave të infermierisë në Spitalin Universitar të Gjenevës paraqiti punimin lidhur me « Ekspozimi, mjetet e ringritjes përmes qytet-trimit? ». Ekspozimi i përsëritur nga frika të ndryshme kërkon çasje terapeutike. Frika mund të jetë si shkaktar i fillimit të izolimit të një personi, andaj ky izolimii  lë hapësirë të kërkimit të substancave për qëtësim, sic janë: heroina, kokaina, BZD-ja, lojëra virtuale etj. Zt. Qusaj përmendi hapat që i ndërmerr institucioni ku ai punon, në parandalimin dhe trajtimin kundër varësive. Futja e pacientëve në program i ndihmon këtij të fundit që të merrë aftësitë të vetbesimit. Programi i mundëson pacientëve të eksperimentojnë aftësitë e tyre duke u ballafaquar me fobitë (frikat jo-racionale) drejtëpërdrejtë. Pacientët i vijonë këto programe nën mbikqyrjen e infermierëve të paktën për 8 javë.


– Znj. Argjiro Alija prezentoi punimin lidhur me «  Mbidozimet si tentim vetëvrasjeje e paqëllimshme në rajonin e Gjakovës për vitin 2010-2018 », definicionet lidhur me vetëvrasjen, hulumtimet mbi faktorët e ndryshëm socio-ekonomik që nxisin vetëvrasjet ishin tema që znj. Alija filloi prezentimin për ti lënë vend më pas paraqitjeve grafike që e ilustruan paraqitjen. Këto pamje grafike mundësuan që pjesëmarrësit të futën në temë dhe të kuptojnë këtë temë të ndjeshme për tërë popullatën shqiptare që tani e ka kapluar shkallën e fenomenit të shoqërisë të Kosovës të pasluftës.
Paraqitja e rastit klinik me të gjitha karakteristikat të një personi që ka shenja vetëvrasje ishte rast që tregon që mobilizimi i një ekipi profesional, me një diagnostifikim të shpejtë e të qëlluar, mund të ndikojnë që personi të shërohet dhe të fillojë një jetë të re. Rekomandimet lidhur me kujdesin mendor, të bashkëpunimit të institucioneve të ndyshëm për vetëdijësimin e popullatës etj ishin formë e përmbylljes të prezentimit profesional të Znj. Alija .

 – B. Berisha, N.Dakaj, B.Elshani, Sh. Berisha, N.Surdulli paraqiten punimin lidhur me Aplikimin e RTMS (Stimulimi Transkranial Magnetik i Përseritur) në vartësinë nga kokaina. Edhe pse kjo metodë është e panjohur për një numër të madh të personave në Kosovë, kjo metodë ka filluar të përdoret 20 vite më parë ku qëllimi kryesor i kësaj metode është se duhet përshtatur aktivitetit fiziologik të zonave specifike të trurit që nuk funksionojnë ashtu siç duhet për shkak të një çrregullimi psikiatrik. Me ketë metodë  përmisohen përshkueshmëria neuronale përmes molekulave kimike që janë përgjegjëse për çrregullimet psikiatrike. Kjo metodë RTMS ka treguar një efikasitet të rëndësishëm në trajtim të varësive në shumë studime dhe kjo metodë nuk ka asnjë nga efektet anësore të antidepresantëve.

– S.Braina, Sh.Aliaj, Sh.Ukshini, Sh.Mecinaj, Sh. Statovci, V.Serreqi, I.Kallaba, V.Tafilaj paraqiten një rast klinik mbi trajtimin hospitalor të varësisë nga heroina. Rasti i paraqitur i personit në varshmëri të plotë nga heroina bëri që pjesëmarrësit e sidomos studentët të kuptojnë historikun e një personi që gradulisht është zhytur në varshmërinë e drogës për të përfunduar në humbje të orientimit në kohë e hapësirë dhe përfundimisht në shkatërrimin e shëndetit. Masat e marrura që nga hospitalizimi deri në përcielljen e rastit paraqesin kronologjinë e trajtimit të personit të varur nga konsumimi i heroinës.

Ndërtimi i institutit kombëtar për trajtim dhe rahabilitim të personave abuzues të substancave psikoaktive – narkotike është propozim që i përgjigjet realitetit të Kosovës dhe që ekspertët e argumentuan me prezentimin e tyre. 

– Rushit ismaili, Gentiana Kuqi Tishukaj, Ibelinda Halili, Muharrem Ademi, në punim e tyre « Qasja multi-disiplinare në trajtimin e personave të varur nga droga », treguan për punë që është duke realizuar Qendra mjekësore – psikoterapeutike “Labyrinth” në përmirësimin e jetës së përdorueseve të drogës. Kjo qendër bashkëpunon me institucionet shtetërore si Ministrinë e punëve të brendshme, të OJQ-të, me Klinikën Psikiatrike etj. Pacientët janë të grupmoshave të ndryshme por prijnë të rinjtë e gjinisë meshkullore. Sa i përket kombësive, shumicën e përbëjnë shqiptarët, duke i lënë më pas ata të komunitetit serb, dhe në fund ata romë. Po ashtu të riatëdhesuarit bëjnë pjesë në programin e terapive. Suksesi i “Labyrinth” lidhet me punën profesionale dhe me një çasje multi-disiplinare .

Organizimet e tilla ndikojnë në ngritjen profesionale të punonjësve të Kosovës dhe si mundësi të zgjerimit të urave bashkëpunuese me vendet ku diaspora shqiptare tani ka dëshmuar integrimin profesional dhe angazhimi i tillë do kontribuojë që të arriturat vendore të kenë çasje edhe në trendin evropian.