Diaspora shqipëtare e Europës takohet në Prizren dhe flet rreth rëndësisë së rrjetëzimit me rininë kosovare
Hilmi Gashi, bashkëkryesues i Sindikatës Unia për rajonin e Bernit, qysh në fillim të takimit kujtoj publikun që vendi në të cilin po takoheshin dikur ishte Kinema Punëtori ku edhe ishte krijuar sindikata e parë e artistëve. Ky udhëtim i shpejtë në kohë, ishte fillim i përshtatshëm pasi që panelistët u pyetën për historinë e imigrimit të tyre në shtetet Europiane.
Besar Rexhepaj, themelues i Innobus GmbH në Zvicër, është i vetmi nga panelistët që i përket gjeneratës së dytë në Diasporë. Për Veb Kosumi, konsulent i pavarur për shërbime të specializuara për Ministrinë e Drejtësisë në MB si dhe Hilmi Gashi historiku i tyre ngjason sa i përket arsyes së imigrimit. Shumica e gjeneratave të para në diasporë migruan për cështje ekonomike e Kosumi deklaroi që personalisht parashikoi një luftë duke marrë parasysh jostabilitetin politik në rajon.
Të tre panelistët u shprehën rreth përceptimit të asimilimit nga gjeneratat e para në diasporë. Një shtresë e madhe e diasporës që kishin kaluar në Zvicër ishin fillimisht punëtor sezonal. Rezistenca e gjatë e Shqipëtarëve të Kosovës të mos asimiloheshin përgjatë viteve, pat ndikim në përceptimin e fjalës asimilim. Kjo dhe gjendja e atëherëshme politike në Kosovë bënë që asimilimi kulturor, religjioz apo etnik për një grupacion te gjeneratës së parë në diasporë të shihej si rrezik i madhë. Mirëpo dallimi që ky grupacion nuk bëri është që në fakt ky proces ishte integrim e jo asimilim në ato sfera. Përveç kësaj këtë here ata ndodheshin në një vend të huaj për dallim nga situata tjetër në Kosovë ku të huajt propagandonin në asimilimin e përgjithëshëm tek Shqipëtarët. Këmbëngulja për të mos mësuar gjuhën standarde por vetëm një fjalor që mund të përdorej në punë e shembuj të tillë ndikonin direkt në procesin e integrimit. Pra integrimi në një shoqëri të huaj shihej si asimilim. Këtë pohuan Gashi dhe Kosumi duke thënë që këtë dukuri mbartin edhe diaspora e popujve të tjerë. Kosumi përmendi Britanikët në Spanjë që një kohë të gjatë refuzuan të integroheshin duke mos folur gjuhën spanjolle. Mosintegrimi i disave nga gjenerata e parë e sidomos klasës punëtore penalizoi ata kur bie fjala tek avansimi profesional në një Europë progresiste. Megjithatë kishte shume sikurse Gashi dhe Kosumi që përgjatë rrugëtimit të tyre me mendje të hapur kuptuan që integrimi në shoqëri të huaj dhe ruajtja e indentitetit mund të shkojnë në harmoni.
Këtë teori e vërtetuan shumë nga gjenerata e dyte të cilës Rexhepaj i takon. Kjo gjeneratë është e qasur në shoqërinë Europiane dhe kryen veprimtarinë e tyre në lëmi të ndryshme nga shkencat natyrore në ato sociale. Këta ambasadorë, si Rexhepaj që u integruan në shoqëri të huaj sot janë ndër përfaqësuesit më të mirë të identitetit të tyre kombëtar. Rexhepaj tha që një diplomaci publike ndonjëherë ka më shumë ndikim se sa ajo zyrtare. Për Kosovën si një shtet të ri, diplomacia e mirë është me rëndesi të lartë.
Kosumi përmendi këngëtaret e njohura në pop kulturën botërore, Rita Ora dhe Dua Lipa. Gashi tregoi për influencën e madhe të sportistëve Shqipëtare në Zvicër në krijimin e lidhjes emocionale me identitetin kombëtare tek gjeneratat e reja. Me pastaj te tre panelistet se bashku me publikun u pajtuan për sfidën e rradhës që Diaspora dhe shtetasit Kosovar ballafaqohen,bëhet fjalë për rrjetëzimin në mes diasporës dhe të rinjëve Kosovarë. Gashi komentoi rreth rëndësis së kordinimit mbrenda diasporës si dhe atyre me institucionet e shtetit Kosovar. Kosumi i foli publikut rreth lobimit të diasporës për qështjen e Kosovës përgjatë viteve kurse Rexhepaj ritheksoi nevojën e bashkëpunimit në sektorin e biznisit në mes kompanive vendore dhe ato të diasporës.
Për një vend të izoluar mirëpo me popullatë shumë të re, profesionistët Shqiptarë nga diaspora luajn rolë të madh në rrjetëzimin me profesionistë të rinjë në Kosovë. Për në fund Gashi foli për Arbëreshët dhe mënyrën se si ata ishin integruar duke ruajtur identitetin e tyre. Diaspora Arbëreshe në kontinentin e Amerikës kishte kaluar në të njejtat hapa të cilat diaspora kosovare është duke kaluar. Rrjetëzimi në mes vete dhe me të tjerët në atdhe është proces që përveq se ndihmon në zhvillimin progresiv të këtyre shoqërive, ai edhe mban gjallë indentitetin e përbashkët.
***
Agim Mazreku, ështël student i Politikave Abmientale në College of the Atlantic.
Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.