Diaspora shqiptare në Amerikë me deklaratë për referendum

Çikago, 26 Gusht 2018

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Uskana

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Valët e Liqenit

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Prespa

Duke përfaqësuar një nga popujt më të vjetër europian, aspiratë kryesore e gjithë trojeve shqiptare
gjithmonë ka qen integrimi në NATO dhe BE.

Zhvillimet gjeopolitike të këtyre dekadave të fundit, konflikti për emrin në mes IRJM-së dhe Greqisë, dhe tani marrëveshja e arritur në mes të dy qeverive për ndryshimin e emrit, sjell në fazën finale pranimin e Maqedonisë në këtë Aleancë Veriore Atlantike, dhe gjithashtu fillimin e negociatave për pranim në gjirin e Bashkimit Europian.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë të orientuar kah perëndimi, por kjo marrëveshje edhe njëherë anashkalon faktorin shqiptar në ndërtimin juridik të këtij vendi të rij.

Neni 1, pika 3b) ku definohet Shtetësia e Palës së dytë “maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së veriut dhe Neni 1, pika 3c) ku definohet gjuha zyrtare e Palës së dytë vetëm si “gjuha maqedonase”, janë në kundërshtim me rrjedhojat dhe lëvizjet e fundita të vet qeverisë së Maqedonisë, në kundërshtim me programet dhe synimet e tryezës së partive shqiptare, dhe cënon progresin e ndërtimit të një shteti demokratik multietnik dhe të
barabartë.

Në mbledhjen e përbashkët të Shoqatave Shqiptaro-Amerikane: Uskana, Valët e Liqenit dhe Shoqatës së Prespës, të mbajtur në datën 26 Gusht të 2018, të njëjtat dalin me:

DEKLARATË

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese që do të bëhen si rezultat i kësaj marrëveshje, kërkojmë që ndryshime të bëhen edhe në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë ku definicioni, citojmë “Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas” të ndërrohet me “Maqedonia Veriore është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas dhe popullit shqiptar”, ose në versionin qytetar ku Maqedonia Veriore do të definohet si shtet i të gjithë qytetarëve, pa privilegjuar asnjë komb në veçanti, kurse në amandamentin 5 të kushtetutës me të cilën është ndërruar neni 7 i kushtetutës të ndërrohet nga, citojmë “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.” në “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë Veriore dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik dhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj latin.”

Duke u bazuar në një lëvizje të re, në një levizje që pretendon ndërtimin e një sistemi qytetar me të  drejta të barabarta të të gjithë qytetarëve të saj, qeveria e Maqedonisë me të madhe aludon në këto ndryshime, prandaj konsiderojmë që ndryshimet e propozuara nga kjo pjesë e Diasporës shqiptare janë në të njëjtën vijë. Barazia e plotë dhe e vërtetë në mes maqedonasve dhe shqiptarëve, është element dhe garanci e vetme për ndërtimin e një shteti të fortë, ku do të sigurohet drejtësia sociale, mirëqenia ekonomike dhe përparimi i jetës personale të çdo qytetari të Maqedonisë.

Nga partitë shqiptare kërkojmë të lënë mënjanë interesat dhe kapriçot personale dhe urgjentisht të vazhdojnë bashkëpunimin në tryezën e përbashkët, që ashtu siç e kanë edhe në programet e tyre dhe duke u bazuar nga interesi kombëtar shqiptar, të mundësojnë realizimin e këtyre kërkesave me ndryshimet kushtetuese që do të vijojnë.

Duke patur parasysh kontributin konstruktivë dhe përkrahjen që diaspora gjithnjë e ka dhënë për ndërtimin e një shteti multietnik, ku ligji i së drejtës, barazia dhe mirëqenia ekonomike dhe sociale do të jenë qendra e çdo ndryshimi, kërkojmë që kërkesat e lartëpërmendura të merren në konsiderim dhe të mos injorohen, përndryshe anëtarsia jonë e gjërë, përkundër dëshirës së madhe, do të jetë e rezervuar në mbështetjen dhe përkrahjen e mëtejshme të çfarëdollojshme.

Për Shoqatën “Uskana” – Luan Elezi

Për Shoqatën “Valët e Liqenit” – Vullnet Dervishi

Për Shoqatën “Prespa” – Valdet Zuteja