DiasporaFlet n’Prizren

Diaspora shqiptare sot përbën grupin social më të madhin në Kosovë. Duke filluar nga vitet e ’60-ta, diaspora ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e Kosovës me ndihma financiare, sociale, politike e kulturore. Pavarësisht nga ndihmat e vazhdueshme financiare dhe mbështetja morale që diaspora është duke i dhënë në Kosovë, kontributi i tyre nuk njihet çdo herë.

Andaj, organizata jo-qeveritare GERMIN, do të organizojë 10 takime në mes të rinjëve të komunave të ndryshme të Kosovës dhe mërgimtarëve tanë. Këto takime kanë për qëllim të motivojnë profesionistët e rinjë të Kosovës që të jenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve në vendin tonë. Poashtu, përmes këtyre bashkebisedimeve Germin synon të ngritë vetëdijen dhe spektrin e dijes tek të rinjët nga ekspertët e diasporës, duke diskutuar tema tё ndryshme si: tema e edukimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, kulturës etj.

Germin do të mbaj edicionin e katërt të takimeve me diasporën, DiasporaFlet n’Prizren, më 27 korrik 2017 duke filluar prej orës 18:00 në n’Terrasë bar.

Duke mos njohur aftësitë e diasporës, Kosova po humb një potencial të madh që mund t’i ndihmojë në avancimin e shoqërisë tonë, e sidomos rinisë. Andaj, Germin synon që ta ndryshojë këtë bindje të njëanshme për diasporën, si dhe të lidh të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve të moshave të ndryshme dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë.

Në takimin e rradhës DiasporaFlet n’Prizren, për të ndarë me ne përvojën e tyre dhe për të diskutuar rreth përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, janë të ftuar: Hilmi Gashi, bashkëkryesuës i Sindikatës Unia për rajonin e Bernit, Besar Rexhepaj themelues i Innobus GmbH në Zvicër dhe Veb Kosumi, konsulent i pavarur i cili ofron shërbime të specializuara për Ministrinë e Drejtësisë në MB. Folësit në panel do të ndajnë me ne rrugëtimin dhe eksperiencat e tyre. Njëherit, pikë kyçe e takimit do të jetë edhe rëndësia e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë nga diaspora dhe atyre në Kosovë, si dhe ndryshimeve shoqërore që ky rrjetëzim mund të na sjell.

Ky bashkëbisedim do të moderohet nga Leotrim Gërmizaj kryesues i Youth Action Council of Prizren, ndërsa editoriali do të shkruhet nga Agim Mazreku, student i Human Ecology në College of the Atlantic.

Hilmi Gashi 

Bern, Zvicër

Hilmi Gashi lindi në vitin 1967 në Prizren, Kosovë. Shkollën e mesme e përfundoi në Prizren, duke vazhduar më pas në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik. Fatkeqësisht, për shkaqe politike dhe ekonomike, u detyrua t’i ndërpres studimet. Në vitin 1992 rifilloi dhe përfundoi studimet e Ekonomisë në Universitetin e Freiburgut. Nga atëherë, ka përfunduar studimet post-diplomike për Menaxher të Organizatave jo-fitimprurëse (OJF) në universitetin e njëjtë. Karriera e tij profesionale në Zvicër është biografi tipike për migrantë. Në fillim ka punuar si moler, përkthyes dhe zyrtar në një radio lokale. Pasi u largua nga Radio RaBe filloi të punojë në Kryqin e Kuq të Zvicrës si koordinator i qendrës për informimin dhe punësimin  e  refugjatëve nga Kosova. Më vonë ka punuar si menaxher projektesh për projekte të integrimit në Zvicër. Prej vitit 2005 Z. Gashi është i punësuar në Sindikatën Unia. Në fillim si përgjegjës në nivel shtetëror për migrantët nga ish-Jugosllavia, Ballkani perëndimor dhe shtetet tjera jashtë BE-së. Prej vitit 2009 është bashkëkryesues i Unia-s për Rajonin Berner Oberland. Përveç arritjeve të tij profesionale, Z. Gashi është edhe vullnetar aktiv. Mes tjerash, si pjesë e udhëheqjes së platformës albinfo.ch, si kryesues i Komisionit për integrim të qytetit të Bernës dhe bashkëdrejtues i Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve Solidarité sans frontiers (Solidariteti pa kufinjë).

 

Vebi Kosumi
Londër,Angli

Vebi Kosumi, emigroi në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ai ka punuar me refugjatët dhe azil kërkuesit që nga vitit 2000. Për 8 vite ishte drejtor i grupit të vizitorëve Dover Detainee (sot Samphire). Ai është anëtar i Bordit i Qendrës së Burimeve Migurese dhe Azil, të dyja këto të bashkuara të cilat në vit kanë qarkullim rreth 1.6 milionë paund.

Vebi ishte i përfshirë në procesin e bashkimit të këtyre dy qendrave. Po ashtu, ai është anëtar i Këshillit të vullnetarëve në Kryqin e Kuq në Kent dhe Sussex. Vebi ka përfunduar studimet master për drejtësi në drejtimin “E drejta ndërkombëtare me Marrëdhëniet ndërkombëtare” në Universitetin e Kentit. Ndërsa ka doktoratë të pakushtëzuar në Marrdhëniet Ndërkombëtare nga Universiteti I York-ut. Vebi aktualisht është konsulent i pavarur dhe është duke ofruar shërbime të specializuara për Ministrinë e Drejtësisë në MB dhe në të gjitha nivelet e gjykatave.

 

Besar Rexhepaj
Bern, Zvicër

Besar Rexhepaj, u largua nga Kosova në moshën shtatë vjeçare dhe sot, në moshën 27 vjeçare, tashmë ka bërë një emër për veten brenda fushës së biznesit. Besar, i cili ka një prirje të natyrshme për biznes, ka diplomuar në një Bachelor të Arteve në Administrim Biznesi nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Thun. Ai i kaloi vitet e para si një profesionist i ri që punonte për një kompani arsimore zvicerane. Më vonë, ai themeloi innobus GmbH, një konsulencë biznesi. Megjithatë, innobus GmbH nuk është e vetmja me të cilën Besari është i angazhuar,  këtë vit ai ka themeluar Lority, një rrjet udhëheqës i specializuar në sipërmarrjet etnike në zonat gjermane të Evropës. Me Lority, ai planifikon të realizoj projekte të shumta, disa prej të cilave do të fokusohen në mbështetjen e sipërmarrësve shqiptarë jashtë dhe në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni. Për më tepër, ai synojnë që të bashkojë profesionistë të suksesshëm shqiptarë nga sektorë të ndryshem me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet rrjetëzimit.