Diasporës praktikisht i mohohet e drejta e votës
Votimi i diasporës, si në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Kosovë, vazhdon të jetë shumë i ulët. Edhe në këto zgjedhje të parakohshme, që do të mbahen më 11 qershor 2017, KQZ ka caktuar një afat prej vetëm një javë për t’u regjistruar nga jashtë. Marrë parasysh afatin e shkurtër dhe procedurat burokratike, të cilat janë të papërshtatshme për diasporën, organizata Germin, e cila avokon për të drejtat e diasporës, ka filluar fushatën #VotaeDiasporës2017.
Më 17 maj 2017, organizata Germin organizoi diskutimin virtual Vota e Diasporës, e cila mblodhi përfaqësues nga shtatë shtete të ndryshme, duke përfshirë Kosovën.
Paneli përbëhej nga Fatmir Lekaj, politolog dhe këshilltar në organizatën norvegjeze për barazi, integrim dhe diversitet (Norvegji); Donika Nushi, analiste në industrinë e shëndetësisë (Çikago, ShBA); Veb Kosumi, konsulent i pavarur në fushën e drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar; Lulzim Veliu, aktivist në komunitetin shqiptar në Dyseldorf të Gjermanisë; Albesa Aliu, aktiviste rinore dhe studente e Psikologjisë në HellenicAmericanUniveristy në Athinë, Greqi dhe Avni Dervishi, politolog dhe aktivist për forcimin e diasporës shqiptare në Evropë, Amerikë, Australi etj. Takimi virtual u moderua nga Lavdi Zymberi, hulumtuese në Germin. Në pamundësi që të marrin pjesë në këtë panel, përfaqësues të KQZ-së dërguan informata që mund të ndihmojnë diasporën rreth aplikimit për regjistrim.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohet rreth metodave, sfidave për aplikim nga jashtë dhe zgjidhjet më të mira që të rritet numri i votuesve nga diaspora.
“ #Diaspora ka qenë e përjashtuar nga proceset politike në Kosovë nga të gjitha qeveritë e pas-luftës. Qeveritë asnjëherë nuk e kanë dashtë votën e diasporës, sepse vota e diasporës është e panegociuar dhe nuk blihet”, Lulzim Veliu.
Për këtë, disa nga propozimet e dala nga panelistët ishin që pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje duhet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës, por edhe diaspora duhet të bashkohet dhe ta ngritë më shumë zërin. Panelistët propozuan të krijohen bashkëpunime si me organizatat ndërkombëtare, psh. IOM, po ashtu edhe në mes të Ministrisë së Diasporës dhe KQZ-së, që të mos ketë nevojë të regjistrohen në zgjedhje sa herë që të mbahen ato, por të barten të dhënat e votuesve potencial.
Disa nga rekomandimet e tjera për institucionet e Kosovës që të përmirësohet ambienti për votim janë: votimi elektronik, votimi në ambasadën/konsullatën më të afërt, të zgjatet afati për t’u regjistruar dhe të bëhen më shumë fushata vetëdijesuese se si duhet votuar, zgjedhjet të mbahen gjatë verës atëherë kur diaspora vjen për pushime, institucionet e Kosovës t’i motivojnë gjeneratat e reja në diasporë për të qenë pjesë aktive e politikës sepse janë më pak të politizuar, të krijohet një databazë e studentëve shqiptarë për t’i kontaktuar dhe motivuar që të votojnë në Kosovë.
“Për të pasur motiv që të votojmë, ne si diasporë, duhet të ndihemi si pjesë e shoqërisë së Kosovës çdo herë, jo vetëm kur Kosova ka nevojë për ne” – Albesa Aliu.
Për më shumë propozime dhe ide konkrete nga panelistët , ndiqni diskutimin në Youtube: https://www.youtube.com/watch?v=p3CLel9eIGY