EDITORIAL: “RIMENDIMI I AKTIVITETEVE KULTURORE NE DIASPORE” – ALI SALIHU

Një shëtitje virtuale nëpër faqet e rrjeteve sociale ku prezentohen shoqatat shqiptare nga diaspora, në prag të ndonjë feste kombëtare, shtetërore a fetare, na ofron një pasqyrë kogja të qartë të aktiviteteve të tyre.

Krijohet përshtypja se shumë organizime si në Stokholm, Bazel, Ankara, Toronto, Baden-Baden, në Zagreb e vende tjera ku jeton diaspora shqiptare sot, ndjekin pak a shumë moton e njëjtë: sa më i madh flamuri kombëtar aq më i vlefshëm organizimi. Skena zakonisht i takon dikujt nga estrada shqiptare e i gjithë organizimi në fund të fundit ofron shumëçka por më së paku diçka shqiptare. Më së afërmi mundem natyrisht të vlerësoj organizimet në Gjermani, në shtetin ku jetoj, dhe vij në përfundim se shumica e këtyre organizimeve nuk ndryshojnë shumë nga ato të para 30 viteve. E diaspora aq ka ndryshuar në këto tri dekadat e fundit, sa dyshoj se organizimet e tilla janë adresa kulturore e shumicës së bashkëkombasve tanë. Nuk dua ta kritikoj ekzistencën e tyre apo për çka dhe sa shpesh organizohen këto aktivitetet por mendoj se ka ardhur koha që të rimendohet seriozisht përmbajtja e programit të tyre. Një gjeneratë e të rinjëve e të rejave që ka ardhur në moshë të re apo edhe ka lindur në diasporë, duhet ti ofrohet mundësia që më në fund të njihet me kulturën e mirëfilltë shqiptare. Në shtëpitë ku jetojnë këta të rinjë e të reja, ndoshta nuk e kanë mundësinë të njihen me kulturën tonë për arsye të ndryshme, kështu që mbeten shoqatat ato të cilat duhet ta marrin përsipër këtë detyrë. Kur dikush e merr hapin të themeloj një shoqatë e ta quaj atë “kulturore-shqiptare”, mendoj se do të duhej të fokusohej në ofrimin e aktiviteteve të mirëfillta kulturore. Ndoshta mu tek përgjigjja në pyetjen “çka është kulturë e mirëfilltë?” ka mospajtim. Nuk do të thotë që të gjithë të ofrojnë operë, shfaqje teatrale apo lexime letrare në salla të mëdha por disa standarde do të duhej të rimendoheshin e ridefinoheshin por edhe të respektoheshin në mënyrë që një herë e përgjithmonë turbo-folku oriental të zhduket, nëse jo nga të gjitha, bile nga shumica e organizimeve tona.

Kurrë më lehtë nuk ka qenë të organizohen aktivitetet kulturore se sot. Këtë e dëshmojnë shpesh disa shoqata të themeluara viteve të fundit të cilat në skenat e tyre sollën artistë shqiptarë që në numër të madh jetojnë në diasporë. Poashtu poetë e autorë të ndryshëm jetojnë në diasporë e në ato vende ku ajo funksionon, edhe shkolla shqipe dhe nxënësit e saj sjellin një potencial të madh por edhe angazhimi i artistëve nga vendet amë, edhepse i lidhur me kosto relativisht të larta, nuk është i pamundshëm.

Kur jemi te mjetet materiale të nevojshme, gjendja nuk është aq e keqe si pretendohet. Edhepse jo mjaftueshëm, mjete ka, duke filluar në komuna e regjione (së paku në Gjermani dhe disa vende tjera evropiane) e deri te fondet e Bashkësisë Evropiane. Edhe Ministritë e Kulturës dhe Ministritë e Diasporës se Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, kanë fonde për aktivitete kulturore në diasporë. Për ti marrë të gjitha këto mjete duhet konkuruar në afatet e caktuara të konkurseve e jo vetëm atëherë kur ka nevojë ndonjë shoqatë p.sh. disa javë para aktivitetit. Këto mjete janë të shoqatave dhe duhet ti kërkojnë ato mjete sepse ende nuk kam dëgjuar që ndonjë institucion në vendet amë ka dalë dhe ka kërkuar shoqatat ku janë ato në diasporë e tu ofrojnë ndihmë. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të mund të luanin edhe ambasadat dhe konzullatat bile si këshillues dhe përkrahës në aspektin logjistik. Jam kurreshtar se a do të ndryshoj diçka me emërtimin e Atasheve kulturorë të paralajmëruar para disa javësh nga MKRS e Republikës së Kosovës. Do të ishte mirë që këtu të kyqeshin edhe artistë të tjerë të shumtë që jetojnë jashtë të cilët, edhepse jashtëzakonisht të suksesshëm, ende janë nën hijen e Dua Lipës dhe Rita Orës.

Është folur shumë edhe për hapjen e Qendrave Kulturore në diasporë të planifikuara nga Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe e Republikës së Kosovës. Por duket se këto plane kanë mbetur në letër çka është shumë dëshpëruese sepse ato qendra do të mund të luanin një rol të rëndësishëm në riorganizimin kulturor të diasporës.

Krahas ofrimit të kulturës shqiptare gjeneratave të reja në diasporë, aktivitetet kulturore janë një mundësi dhe formë e shkëlqyeshme e diplomacisë kulturore. Në aktivitetet e shoqatave në diasporë, do të duhej te ketë sa më shumë edhe bashkëqytetarë të nacionaliteteve të ndryshme por edhe përfaqësues të organeve të shteteve ku jetojnë. Për tu njohur me kulturën por edhe me komunitetit tonë.

Shpresëdhënëse janë aktivitetet e disa shoqatave në vende të ndryshmë të diasporës të cilat janë duke ofruar një program më alternativ duke plotësuar sadopak kërkesën e bashkëatdhetarëve, sidomos gjeneratave të reja, por edhe duke qenë adresë e preferuar e mysafirëve të nacionaliteteve të ndryshme.

Disa nga ato morrën pjesë në një diskutim në Konferencën “Diaspora Flet” të organizuar nga organizata Germin. Krahas shkëmbimit të përvojave të tyre, gjatë bisedës, panelistët erdhën në përfundim se bashkëpunimi ndërmjet shoqatave por edhe angazhimi më i madh i artistëve në aktivitetet kuturore, sidomos atyre që jetojnë në Diasporë, është i domosdoshëm. Format e bashkëpunimit mund të jenë të ndryshme si: organizim i përbashkët i ndonjë aktiviteti kulturor, organizimi i ndonjë punëtorie për tu ndihmuar shoqatave të sapoformuara apo grupeve të interesuara për të themeluar shoqatë, përkrahja e artistëve të rinj në promovimin e punës së tyre etj. e pse jo edhe themelimi i një platforme kulturore në Diasporë që do të bashkonte shoqatat dhe artistët, bashkim ky që do të kiste një rëndësi të jashtëzakonshme në kultivimin dhe promovimin e kulturës shqiptare në Diasporë.