Emigrojnë ende shqiptarët në Itali?
Shkruan: Rando Devole
Sipas narrativës mbizotëruese, Shqipëria është transformuar përfundimisht nga vend emigrantësh në vend imigrantësh, që tashmë ia lejon vetes të ndihmojë Europën për pritjen e migrantëve. Italia, nga ana e vet, deri disa vite më parë, përshkruhej si ëndrra e shqiptarëve, mirëpo më pas në mediat italiane filluan të shfaqen reportazhe e artikuj për shqiptarë që ktheheshin në atdhe dhe për italianë që pasuroheshin në vendin përballë.
Që Italia nuk është aktualisht destinacioni i parapëlqyer i shqiptarëve është jashtë çdo dyshimi. Mjafton të dalësh nga lokalet e kryeqytetit për të kuptuar se të rinjtë shikojnë më tej, drejt vendeve të tjera europiane, e shpesh përtej oqeanit. Por një gjë është të pohosh se Italia nuk është më destinacioni i parapëlqyer dhe tjetër gjë është ta pikturosh Shqipërinë si Eldorado ku relaksohen e bëjnë parà turistët dhe sipërmarrësit e huaj.
Narrativa sipas së cilës flukset migratore janë shuar tërësisht ose qeverisen si nëpër manuale është ngushëlluese për shumë vetë, e mbi të gjitha funksionon si barnat ansiolitike për opinionet publike të shqetësuara për shkak të valëve migratore jashtë kontrollit. Retorika tjetër, ajo e tokës së re të premtuar, sipas së cilës në vendin e vogël ballkanik jetojnë rregullisht e punojnë 20 mijë italianë, u përgjigjet kërkesave të ndryshme të dy vendeve: Shqipëria po dihat për t’u futur në BE, Italia është pre e ankthit të imigracionit. Por numrat flasin ndryshe e përshkojnë tjetër realitet1.
Po të dëgjosh mediat, nga Shqipëria nuk vjen më askush, madje fluksi është ndërruar prej vitesh dhe migracionet e kthimit janë kthyer tashmë në rregull. A është vërtet kështu? Nga një vështrim sipërfaqësor mbi numrat duket se po. Numri i qytetarëve shqiptarë në Itali po bie nga viti në vit. Por në realitet kemi të bëjmë me iluzion optik. Shkaku kryesor i uljes së numrit është marrja e shtetësisë italiane, së bashku me emigrimin drejt vendeve të tjera dhe mosbalancimin e flukseve të reja migratore nga Shqipëria. Kjo nuk do të thotë se nga Shqipëria nuk vjen më asnjë imigrant e aq më pak do të thotë se në Itali nuk jetojnë në mënyrë të parregullt qytetarë shqiptarë. Për kërkimet statistikore shqiptarët që marrin shtetësinë italiane bëhen të padukshëm, sepse nuk konsiderohen më si të huaj. Pra numri i përgjithshëm thotë disa gjëra, por fsheh të tjera.
Sa shqiptarë kanë ardhur në Itali kohët e fundit? Një tregues interesant mund të ishte ai i hyrjeve të reja, pra leje qëndrimet e dhëna çdo vit2. Po të konsultohen të dhënat e Istat-it italian, del se fluksi i shqiptarëve drejt Italisë nuk ka shteruar kurrë.
Në vitin 2010 Shqipëria zinte vendin e katërt midis vendeve me më shumë hyrje në Itali. Me 48.330 hyrje Shqipëria paraprihej vetëm nga Maroku, Kina dhe Ukraina. Midis viteve 2011 e 2012 numri i përgjithshëm i hyrjeve u reduktua ndjeshëm. Ulja preku edhe shqiptarët, hyrjet e të cilëve u pakësuan deri në vitin 2014 kur kapën vlerën minimale të viteve të fundit, me shifrën 15.510. Minimale thuhet në kontekst, sepse gjithsesi bëhej fjalë për një numër konsistent imigrantësh shqiptarë që merrnin lejen e qëndrimit në Itali.
Kthesa filloi në vitin 2015 me 16.813 hyrje, deri më 2017 kur u kapërcye kuota e njëzetë mijë hyrjeve. Pra ardhjet nga Shqipëria nuk janë ndalur asnjëherë. Përkundrazi, ka pasur një rifillim kohët e fundit. Një konfirmim erdhi nga statistikat shqiptare. Instat vërejti në fillim të 2018-s një rënie të popullsisë dhe migracion neto3.
Gjatë këtyre viteve kanë qenë motivet familjare mënyra më e përhapur e hyrjeve në Itali. Në vitin 2010 numri i shqiptarëve të ardhur për motive familjare e numri i atyre për arsye pune nuk ndryshonte shumë. Hendeku midis dy motiveve është zgjeruar me kalimin e viteve: rritja e motiveve familjare dhe rënia e hyrjeve për punë. Nga 2010 deri 2017 u kalua nga 49,6% në 69,8% të hyrjeve për motive familjare e nga 44,3% në 6,3% të hyrjeve për motive pune. Rritja e ndjeshme e kategorisë së parë dhe rënia e së dytës kanë të bëjnë me ecurinë ekonomike dhe uljen e flukseve të rregullta për motive pune, tashmë të kufizuara vetëm për punë stinore.
Përkundrazi, rritje marramendëse është verifikuar për zërin “motive të tjera”, ku hyjnë ata për motive fetare, rezidencë të zgjedhur, shëndetësore, drejtësie, integrim i të miturve, veprimtari sportive etj. Ndërsa më 2010 kjo tipologji ishte në kuotën 6,1%, në vitin 2017 kapi shifrën 20,5%.
Bën gjithashtu përshtypje ecuria e hyrjeve për arsye studimi. Në vitin 2011 përbënin 2,9% të të gjitha hyrjeve e pas një viti rritjeje regjistruan një rënie të pandërprerë, duke treguar se në Itali vijnë gjithnjë e më pak shqiptarë për të studiuar. Ndërsa rezulton e ulët përqindja, midis të tjerash jo konstante, e hyrjeve për motive strehimi politik e humanitar.
Me pak fjalë, emigracioni nga Shqipëria në Itali nuk është ndërprerë kurrë. Motivet e hyrjes së rregullt ndryshojnë edhe në funksion të mundësive reale, pra shfrytëzohen kanalet e disponueshme, ndërsa ende nuk njihet numri i qytetarëve shqiptarë pa leje qëndrimi. Pavarësisht paraqitjes mediatike – me përjashtim të trazirave të fundit politike – të një Shqipërie të begatë në atë pikë sa ta ndihmojë Italinë në pritjen e refugjatëve që vijnë nga deti dhe të një vendi që e ka arkivuar përfundimisht problemin e emigrimit, aq sa bëhet synim për vetë italianët, duket qartë se qytetarët shqiptarë vijojnë ta kërkojnë jashtë shtetit të ardhmen e tyre.
Shënime:
- Shiko Rando Devole, Gli italiani in Albania: tra rappresentazione mediatica e realtà (Italianët në Shqipëri: midis paraqitjes mediatike e realitetit), Rapporto Italiani nel mondo 2018, Fondazione Migrantes, Tau Editrice, Todi 2018, ff. 218-228.
- ISTAT boton rregullisht të gjitha leje qëndrimet që jepen, pavarësisht nga fakti se në fund të vitit leja e qëndrimit është ende e vlefshme ose ka skaduar. Duhet shtuar se llogariten hyrjet e jo njerëzit, pra një person që ka marrë dy leje qëndrime të ndryshme në të njëjtin vit llogaritet dy herë. Në numrin e hyrjeve futen edhe vizat për punë stinore.
- Sipas INSTAT-it shqiptar, në vitin 2017 diferenca midis numrit të emigrantëve (39.905) dhe numrit të imigrantëve (25.003) ka shkaktuar një migracion neto prej -14.902 banorësh. http://www.instat.gov.al/media/3765/popullsia-1-janar-2018-08-02-2018_.pdf faqe 3. E njëjta tendencë vihet re në statistikat e fundit për vitin 2018 http://www.instat.gov.al/media/5153/popullsia-1-janar-2019_final.pdf
Shkrimi është botuar fillimisht në italisht nga Osservatorio sui Balcani me titull “Arrivano ancora albanesi in Italia?“
Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.