Takim i Ambasadorit William G. Walker me mërgatën shqiptare që jeton në Austri

Në kuadër të vizitave në Europë të Ambasadorit  William G.Walker  në janar te këtij viti, organizimi i takimit me mërgatën shqiptare që jeton  në Austri i është besuar shoqatave shqiptare që veprojnë  në Steiermark/Graz – KKSHSHST dhe UHSH.

Takmi mbahet më 21.01.2017 ne Graz, në Restorantit  „DAVID“ Nordberggasse 6,  8045 Graz,  duke filluar nga ora 14:00.

Qëllimi i kësaj vizite të Ambadadorit Walker dhe shoqërueseve të tij, Sabedin Gashi, Besnik Mahmuti  dhe Xhemajl Ferati është unifikimi dhe  fuqizimi i mërgatës  sonë si në vendet ku jetojmë e po ashtu edhe në atdhe, që gjithë atë që e quajmë shqiptare ta bëjë më të fortë më të drejtë dhe më të lirë.

Për të kuptuar më shumë për qëllimin e vizitës së Ambadadorit,  ju lutem ta lexoni prononcimin e tij dhënë më

22.06. 2016 për mediat e shkruara.

 

Diasporat shqiptare bashkojnë komisionin për  çështje publike

Ambassador William G. Walker

DIASPORAT SHQIPTARE BASHKOJNË KOMISIONIN PËR ÇËSHTJE PUBLIKE

Si mik dhe ithtar në aspiratat shumë shpesh të frustruara të personave në komunitetet shqiptare anembanë botës, kam vendosur të angazhohem në një përpjekje serioze për ta shtuar, dhe zgjeruar, ndikimin e diasporës në ato shtete nga të cilat shumë shqiptarë kanë migruar – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, etj.Në të gjitha këto shtete, remitencat (dërgesat monetare) nga të afërmit dhe miqtë që jetojnë jashtë vendit paraqesin një komponentë kritike të mirëqenies ekonomike të atyre që i marrin – marrësit dhe kombit. Në shtetet me shkallë të lartë të papunësisë (si Kosova me 38%) dhe ekonomi jostabile, remitencat janë shpesh dallimi mes varfërisë dhe mirëqenies relative. Për fat të keq, kjo rrjedhje e kapitalit rrallë kontribuon në përmirësimin afatgjatë individual apo kombëtar, por në vend të kësaj shkon në konsum të menjëhershëm. Prandaj, gjersa ndikimi ekonomik i diasporës është i madh, efektet e saj afatgjate janë minimale. E meta e dytë është se këta donatorë jashtë shtetit, të cilët shpresojnë që kontributet e tyre do t’i përmirësojë kushtet e jetës në atdheun e tyre, nuk kanë ndikim në procesin e vendimmarrjes ku paratë e tyre shpenzohen. Vendimmarrësit politikë në atdhe japin premtime boshe për rëndësinë, këshillat dhe aspiratat e atyre që jetojnë jashtë vendit.

Kam qenë i përfshirë me çështjen shqiptare gjatë tetëmbëdhjetë vjetëve të fundit, duke filluar me konfliktin në Kosovë, masakrën në Reçak, eksodin e refugjatëve të nxitur nga Millosheviqi dhe përpjekjet e pasluftës për ta krijuar një Kosovë demokratike dhe të qëndrueshme. Kam qenë i pranishëm në çlirim; kam qenë në Parlament në Prishtinë kur u shpall pavarësia dhe u festua me gëzim në rrugët dhe fshatrat anembanë vendit. Pritjet kanë qenë shumë të larta, asgjë nuk dukej e pamundur. Që nga viti 1999 jam takuar dhe shoqëruar me anëtarë të komunitetit shqiptar, në SHBA dhe Evropë, për t’i kërkuar mendimet, sugjerimet dhe ëndrrat e atyre që i kam takuar – nga cilido mjedis shoqëror, përkatësi politike, ekonomike dhe fetare që secili mund të përfaqësojë.

Mjerisht, gjej zhgënjim, dekurajim dhe dëshpërim në gjithë diasporën, bindje se gjërat nuk janë duke shkuar mirë në asnjërin prej atdheve. Pak veta, nëse ka, shprehin konsideratë pozitive për gjendjen aktuale. Shumica bashkohen me mua në kritikën e ashpër ndaj klasës politike, vendimmarrësve, dhe shprehin mendimin se gjërat jo vetëm që nuk janë duke u përmirësuar, por janë duke shkuar në drejtim të gabuar. Ekziston një marrëveshje e përhapur se diçka duhet të bëhet. Kam ndërmend të provoj.

Së pari, besoj që lidhjet ekonomike dhe familjare që i lidhin diasporat dhe vendet e prejardhjes janë mjerisht të nënvlerësuara nga personat që janë në pushtet në tërë rajonin. Thënë shkurt, ata që i sakrifikojnë burimet personale të fituara me vështirësi në remitenca për t’i siguruar në Kosovë p.sh. diku mes 30-40% të të ardhurave kombëtare, duhet të kenë ndikim në përputhje me rëndësinë e kontributit të tyre.

Jam i bindur se problemet, të shikuara në mënyrë aq të qartë nga ata në diasporë, nuk do të korrigjohen dhe nuk mund të korrigjohen nga ata që janë të përfshirë në luftën e përditshme, dmth. nga brenda. Vendimmarrësit e sotëm anembanë rajonit janë politikanë dhe jo patriotë, janë shumë të fuqishëm, shumë të korruptuar, shumë të përkushtuar në lojën me shumë zero të politikës dhe shumë të varur nga mentorët ndërkombëtarë me motive joshqiptare, për t’i bërë reformat e nevojshme.

Jam edhe më tepër i bindur se vetëm përfshirja aktive dhe e vazhdueshme e atyre në diasporë – e atyre me ekspozim dhe përvojë në botën e jashtme, e atyre me dëshirë të zjarrtë për ndryshim – ka gjasë t’i ndërmarrë korrigjimet e nevojshme të kursit.

Problemet janë të mëdha dhe nevojitet kohë për zgjidhje kuptimplote. Për fillim, propozoj ta udhëheq një lëvizje për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar nga ta që t’i harrojnë dallimet dhe ndarjet ekzistuese që e shqetësojnë diasporën. Lëvizja do të përbëhet nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes ose përkatësive dhe angazhimeve të tjera, pra tërësisht jopolitike. Besoj që unë, si joshqiptar që respektohem nga shumë njerëz, kam shansin më të mirë për t’i bashkuar shumë fraksione të diasporës anembanë botës.

Kërkoj mbështetjen tuaj, duke u bashkuar pas përpjekjeve të tilla si arritja e një zëri të fuqishëm politik për diasporën përmes (1) legalizimit dhe stimulimit të votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe (2) marrjes së vendeve në parlamentet përkatëse të rezervuara për përfaqësuesit e diasporës në pajtim me kontributet vetëmohuese të diasporës për suksesin përfundimtar të atdheut të tyre.

Këto janë thjesht mendimet e para. Më tepër do të pasojnë. Shpresoj ta nxis unitetin, krenarinë dhe veprimin në gjithë diasporën.