Festë e madhe në Crissier të kantonit Vaud për 10 vite pavarësi të Kosovës

Shkruan: Migjen  Kajtazi

10 vite pavarësi, me dekada të tëra përpjekje për liri, ishte motoja e manifestimin që u mbajt më 18 shkurt të 2018 në sallën e spektakleve «Chizat» në Crissier të kantonit Vaud.

Në suksesin e para 10 viteve kur mbi 13’000 manifestues në Llozanë festuan për shpalljen e pavarësisë të Kosovës dhe duke ndjekur këtë përvojë shoqatat shqiptare në kantonin Vaud : Ardhmëria, shoqata Dona, Shoqata SHIKO, shoqata kulturore artisitke Ilirët, Shoqata kulturore artistike Teuta, Albinfo, Shoqata e studentëve shqiptarë u bashkuan për ti dhënë edhe më shumë forcë festës jubilare të 10- të vjetorit të pavarësisë të Kosovës…

Ishte e vogël salla e spektakleve për të zënë të gjithë të pranishmit që kishin ardhur jo vetëm nga qendrat e kantonit Vaud po edhe nga kantonet tjera.

Mbi 700 persona të pranishëm patën rastin të marrin pjesë në manifestimin jubilar për pavarësinë e Kosovës.

Programi i manifestimit, u hapë me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror të Kosovës për t’i lënë vend pastaj përshëndetjeve nga ana e përfaqësuesit shtetëror të Kosovës, përfaqësuesit të strukturave komunale e kantonale.

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë, zotëri Ramadan Avdija përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi njëherit shoqatat për organizimin. Zotëri Avidu bëri njëherit një retrospektivë të pavarësisë së Kosovës, luftës për liri dhe çlirimin e saj.

President i Këshillit Kantonal të Kantonit të Vaudit, Zotëri Pierre- Yves Maillard, u ndal në dinamikën dhe forcën e komunitetit shqiptar duke ilustruar afërsinë me komunitetin morri shembull miqësinë e djalit të tij me shokët e klasës dhe të sportit që të gjithë me origjinë nga Kosova !

Përfaqësuesja e komunës të Crissier, Zonja Nathalie Jaton, gjithashtu foli për rëndësinë e integrimit të komunitetit shqiptar dhe falënderoji shoqatën Ardhmëria për punën që bën për të gjitha komunitete në komunë.

Kryetari i komunës të Renenes, Zotëri Jean-François Clément, u ndalë në sferat e jetës ku ka takuar shqiptarët dhe që ndien kënaqësi të madhe të marr pjesë në festë të pavarësisë të Kosovës.

Deputeti në qytetin e Llozanës, zotëri Musa Kamenica, i dha rëndësi festimit duke pasur parasysh që në manifestime të tilla nuk ka vend për debate e për analiza.

Në emër të shoqatës të studentëve shqiptarë të Universitetit të Lozanës, të pranishmit i përshëndeti zotëri Arbër Gashi.

Në pjesën kulturo-muzikore, me program të zgjedhur u prezantuan ansamblet muzikore tani të njohura për publikun, Grupet Ilirët dhe Teuta që i kënduan flamurit kombëtar, i kënduan luftës të lavdishme të UÇK-së, të heronjve, diasporës dhe dashurisë. Ishte kënaqësi t’i shikoje këto grupe, mozaikun e kostumeve kombëtare, të ndjesh melosin e ndryshëm muzikor dhe pranin e shumtë të rinjëve në këto grupe që tregon që kënga dhe kultura shqiptare ka ardhmëri të ndritur në diasporë. Grupet muzikore u ndanë me publikun duke marr shumë duartrokitje nga të pranishmit. Manifestimin e vazhdoi shoqata Dona që kishte përgatitur një program të bukur recitues edhe për fëmijë të cilët ishin gjithashtu shumë të pranishëm. 

Programi artistik përfundojë me muzikë të paraqitur nga DJ Muli ku shumë të rinj i dhanë festës karakter festiv duke kërcyer e duke përjetuar çastet e bukura. 

Të pranishmit mundën të shikojnë ekspozitën e fotografive mbi manifestimin madhështor të mbajtur në Llozanë para 10 viteve. Disa të pranishëm edhe shkruan në librin e përshtypjeve.

Vlen të ceket puna e mrekullueshme që bëri zotëri Visar Qusaj i teatrit Kurora të Nyonit, moderator i mbrëmjes që me përvojën e vet teatrale dhe tematike bëri që të pranishmit qoftë zviceran apo shqiptarë të ndiejnë karakterin festiv të manifestimit.

Ky organizim na tregon që NE Diaspora mundemi ta ndihmojmë edhe më shumë Kosovën nëse së pari jemi të organizuar së pari këtu në Zvicër.

Organizimi në nivel lokal dhe në atë në shoqata të ndryshme është formë më e mirë e përgjigjes që mundemi t’i japim kërkesave të komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër.

E falë këtij organizimi shoqatat shqiptare mundësuan me punën e tyre që të organizojmë këtë manifestim jubilar dhe shpresojmë që do kemi edhe më shumë arsyje dhe më shumë përkrahje që gjithmonë të festojmë për Kosovën tonë…