Hilmi Gashi përzgjedhet asambleist në qytetëzën e Muri-Gümligen, në Zvicër.

Në zgjedhjet e mbajtura më datë 25.10.2020 për Asamblenë e Komunës në Muri-Gümligen, z. Gashi ka arritur ta fitojë mandatin si asambleist në kuadër të Partisë së Gjelbër (GPS), e cila do të përfaqësohet nga gjithsej 5 asambleistë në këtë komunë.

Përmes një postimi në platformën Facebook, z. Gashi ka njoftuar për këtë arritje dhe ka falenderuar të gjithë votuesit për besimin që i kanë dhënë:

Partia e gjelbër e Muri-Gümligen, në Kantonin e Bernës ka fituar pesë mandate në parlament të komunës. Në mesin e të zgjedhurve jam edhe unë. I falenderoj të gjithë votuesit për besimin e dhënë! Me kokë dhe zemër për drejtësi sociale!”

Gjatë krizës politike dhe ekonomike të viteve 90-të, Z. Hilmi Gashi ndërpreu studimet në Universitetin e Prishtinës duke migruar në Zvicër. Ai rifilloi studimet në Universitetin e Freiburg-ut, duke kompletuar studimet në nivelin Master. Karriera e tij profesionale është tipike e një emigranti. Fillimisht kishte punuar si piktorë, dhe më pas si përkthyes dhe zyrtarë në një radio lokale. Gjithashtu ka punuar për Kryqin e Kuq të Zvicrës, dhe ka qenë pjesë e sindikatës UNIA. 

Përtej karrierës profesionale Z. Gashi është një vullnetarë aktiv i diasporës shqiptare dhe një nga përkrahësit më të mëdhenj të organizatës Germin qysh nga themelimi i saj, njëkohësisht ai është edhe anëtar i bordit të kësaj organizate.