Karvani i Germin-it në Viti
Të hënën e fundit të muajit korrik, nën moton tanimë të njohur DiasporaFlet u takuan për një bashkëbisedim diaspora nga Vitia dhe qytetarët vitiase, ku në një takim jo-formal u debatua me diasporën dhe për diasporën. Para së gjithash dhe mbi të gjitha, synimi kryesor i këtij organizimi ishte tentimi i rrjetizimit të diasporës vitiase në përgjithësi dhe i rinisë profesioniste në veçanti. Synimi i këtij rrjetëzimi bëhet me të vetmin qëllim që me anë të bashkëpunimit me diasporën të kontribohet për zhvillimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovë. Në këtë takim të mbajtur në Bay Rina Restaurant në qytetin e Vitisë, ku kryefjala e takimit ishte mundësitë e organizimit dhe rrjetizimit të diasporës, të ftuar si panelistë ishin: Arsim Kurteshi dhe Ahmet Ahmeti.
Në fjalën hyrëse të moderatores së takimit, Nexhibe Behluli, u theksua se takimi i ‘Diaspora flet n’Viti’ bëhet me synimin e përfshirjes sa më të gjërë të diasporës në ndërtimin e një të ardhme të përbashkët të shoqërisë, dhe dekonstruktimin e stereotipeve ekzistuese të lloj-llojshme mbi diasporën. Më tutje, znj.Behluli shtoi se “përgjithësisht, flitet pak për diasporën dhe aq më pak bisedohet me diasporën. Fatkeqësisht, si pasojë e kësaj mos-njohje të ndërsjelltë ende mbizotëron një imazh jo i mirë i diasporës dhe, për më shumë, vazhdojnë të përdoren cilësime tejet negative per diasporën.” Z.Kurteshi, inxhinier i ndërtimtarisë dhe njëherit agjent i patundshmërive me banim te përhershëm në Texas të Amerikës, rrefeu rrugëtimin e tij jetësor të një emigranti tanimë të integruar në një shoqëri multi-kulturore si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sigurisht, ky integrim, ashtu siç e potencoi edhe vet z.Kurteshi, për arsye të ndryshme nuk ishte krejtsisht i lehtë. “Padyshim, çdo fillim eëhtë i vështirë– theksoi z.Kurteshi – “ngase gjenerata e parë, si pasojë e mosnjohjes së kulturës vendase ku ka emigruar, gjuhëve të huaja dhe nje mori arsyesh
tjera objektive, has në probleme më të mëdha tëambientimit dhe integrimit shoqëror se sa
gjeneratat pasuese.” Sidoqoftë, sipas z.Kurteshi globalizmi si fenomen ka ndikuar në një masë të konsiderueshme në lehtësimin dhe përshpejtimin e integrimit të arsyeshëm të emigrantëve në shoqëritë pranuese.
Folësi i dytë i panelit Diaspora Flet n’Viti, që ndau me të pranishmit përvojat e tij qe
mergimtari nga Baseli dhe njëherit veprimtari i kahmotshëm i çështjes kombëtare, z.Ahmet
Ahmeti. Ai, në fjalën hyrëse të tij shpjegoi eksperiencat pothuajse të pabesueshme të një djaloshi të ri nga fshati Lubishtë, i cili për shkaqe të varfërisë së skajshme kishte ndërprerë shkollimin dhe kishte marr rrugën e kurbetit. Z.Ahmeti, i cili që në moshë të re kishte emigruar në Basel te Zvicrës, ndau me publikun e pranishëm një episodë jo aq të këndshëm nga jeta e tij. Z.Ahmeti tha se “në vitin 1983, në kufirin jugosllavo-austriak, saktësisht në Jesenicë të Sllovenisë së sotshme, u arrestova dhe u dërgova në burgun e Gjilanit, me akuzën për agjitacion dhe si element i rrezikshëm per ish-sistemin titist.” Në këtë rast, z.Ahmetit iu konfiskua edhe pasaporta jugosllave. “I vetmi ‘krim’ që kisha bërë – vazhdoi rrëfimin e tij z.Ahmeti – ishte këndimi i këngëve patriotike për masakrën e Lubishtës, si pjesë e shoqërisë kulturore-artistike të Vitisë.”
Participuesit e tjerë në këtë takim nga diaspora theksuan nevojën e organizimit të përgjithshëm dhe veçanërisht atij politik, dhe diskutuan çështjen e mundësisë së përfaqësimit në parlamentin e Kosovës, me anë të vendeve të rezervuara enkas për diasporën. Sigurisht, përfaqësimi politik i diasporës do ishte një mundesi më tepër në dorën e diasporës për vazhdimin e kontributdhënies për shtetin e tyre amë. Pothuajse një zëri të gjithë pjesëmarrësit nga diaspora shprehen indinjatën e tyre me mungesën e politikave efikase qeveritare dhe mos-interesimin e shoqërisë civile për diasporën. Prandaj, diaspora vitiase që ishte prezente në takimin e 31 Korrikut, shprehu falenderimet më të sinqerta për organizatën Germin, si organizatore e takimeve ane kend Kosovës të ‘Dispora Flet’.
***
Mirlind Behluli është student i Marredhënieve Ndërkombetare në Stamboll.
Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.