Kur një kronikë tragjike nxit debat eksploziv për diasporën

Shkruan: Selam Hajrizi

Tejet e çuditshme se epoka e sotme moderne e zhvilluar me teknologjinë dhe rrjetin social i jep të drejtë çdokujt të paragjykojë, të gjykojë dhe të bëhet prokuror i gjithë diasporës, duke shprehur krejt mllefin, inatin, xhelozinë ndaj atij që vjen nga jashtë për të vizituar familjen, shoqërinë dhe kështu lokalistët në Kosovë kanë vendosur ta emërojnë me një emër njeriun e diasporës ” Shaci…

Më kujtohet koha kur emigruam unë dhe nëna ime për në Francë, më 8 maj 1999, gjatë periudhës tragjike që përjetuam gjatë luftës në Kosovë. Isha tejet i emocionuar në atë kohë, tejet i ri në moshë, 15- vjeçar. Si është e mundur në epokën e sotme të urrehet aq shumë dikush që jeton jashtë Kosovës, qoftë në Evropën Perëndimore apo në vendet Atlantike! Më kujtohet ai fluksi i mërgatës tonë i viteve 90 si fëmijë dhe ne u gëzonim shumë kur ata na vinin në vizitë në Kosovën e okupuar nga regjimi i Milosheviqit! Tejet e çuditshme se epoka e sotme moderne e zhvilluar me teknologjinë dhe rrjetin social i jep të drejtë çdokujt të paragjykojë, të gjykojë dhe të bëhet prokuror i gjithë diasporës, duke shprehur krejt mllefin, inatin, xhelozinë ndaj atij që vjen nga jashtë për të vizituar familjen, shoqërinë dhe kështu lokalistët në Kosovë kanë vendosur ta emërojnë me një emër njeriun e diasporës ” Shaci ” , që personalisht më duket emri më absurd dhe më i ligë që kam dëgjuar ndonjëherë ! Dëgjova dhe zëra nga një artiste kosovare, e cila u shpreh në fcb sesi nuk po ju vjen turp ta quani diasporën ashtu sikur në kohën e okupimit të regjimit serb përdorte regresionin ndaj shqiptarëve të Kosovës me emrin “shiptari “, më kujtohet që edhe mediat serbe të asaj kohe, sidomos kanali televiziv kryesor RTS i Beogradit, i udhëhequr nga Mira Markoviq, gruaja e Milosheviqit, këtë emërim fyes e përdornin si propagandë anti-shqiptare dhe nacionalistët e tjerë, si Vojislav Sheshel, Momir Bulatoviq , Nikola Shaioniviq ( i cili e përfundoi burgun në Tribunal të Hagës), i vetmi Vuk Drashkoviq ndoshta më pro evropian dhe kundërshtar politik i Milosheviqit nuk përdorte gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve të Kosovës, por me deklarata politike as ai nuk e ka lënë keq, duke akuzuar gjithnjë Kosovën se po kërkon një Shqipëri të Madhe, në njëfarë forme edhe ai ishte i njëjtë si të tjerët, i futur në një nacionalizëm dhe racizëm anti-kosovar.

Debati absurd

Ky racizëm është duke marrë formë të drejtpërdrejtë edhe në debatin e tashmë kundër diasporës apo mund të themi ” Luftës Civile ” që ne i kemi shpallur njëritjetrit përmes rrjeteve sociale! Turp duhet të kemi! Serbia çmendet nga gëzimi duke na parë se si mbytemi mes nesh, vijnë diplomatët serbë nëpër Paris, Berlin, Londër e Washington dhe u thonë liderëve botërorë ne u kemi thënë a po e shihni që nuk duhet përkrahur pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët janë popull i dobët historikisht, sipas shkrimtarit nacionalist serb Dobrica Qosiq! Këtë argument gjithnjë e kanë përdorur kundër shqiptarëve Akademia e Shkencave e Beogradit qysh nga vitet e 30-ta pas Luftës së Parë Botërore! Po i rikthehemi debatit aktual dhe aktorëve të tyre që e kanë të vetmin synim , të diskreditohet njeriu i diasporës! Dhe e vetmja armë e tyre, e cila u duket ndoshta Bombë apo Nuklear atomik është Liria e shprehjes përmes rrjetit social! Ata duken tejet të lumtur me postimet e tyre neveritëse lidhje e pa lidhje vetëm për të krijuar siç thonë francezët Buzz Mediatik! Si erdhi deri këtu, e përmenda dhe në fillim të këtij shkrimi një kronikë tragjike ka ndodhur para disa ditëve ku një familje e ardhur nga Gjermania ka humbur jetën në një aksident rreth orës 1 të natës rrugës Mitrovicë-Prishtinë ku automobilisti kishte vozitur rreth 200km, sipas Policisë së Kosovës, dhe aktorëve magjikë të rrjetit social! Tejet tragjike që një aksident i tillë të krijojë një debat absurd e tejet paragjykues për një popullatë aq të vogël për Kosovën; Të gjithë reagojnë, diaspora kur po vinte në Kosovë, diaspora ashtu me makina luksoze kur të vijnë ata nga jashtë duken ashtu duken kështu; i kemi të gjitha emrat nga të njëjtët protagonistë që e kalojnë kohën e tyre duke qenë asgjë tjetër, përveçse ” protagonistë të vetvetes “. Kemi dhe të tjerët që e mbrojnë diasporën duke akuzuar protagonist e fcb se ku do të ishim ekonomikisht pa diasporën, e cila vjen gjatë verës dhe ndihmon ekonominë e mjerë të Kosovës!

As diaspora nuk ka imazh të mirë nëpër botë

Ende jam duke menduar se ku është faji që ne kemi bërë kolektivisht që të vijmë deri te ky debat, ndoshta dhe ne kemi faj duke pasur sjellje arrogante nëpër aeroporte të Evropës, nëpër kryeqendra, kafene, restorante ku lëmë mbeturina, se natyrisht ne mendojmë që jemi mbretër të botës nëpër Paris, Berlin, Londër, Zurich, Gjenevë, Munchen etj. Shpeshherë më ka ndodhur të shohë nëpër rrugë të Gjenevës sjellje të tilla, si studentë nëpër seminare ndërkombëtare, apo në tramvaj në Zurich, kur një zonjë më pyeti se prej nga jam, kur i thashë nga Kosova, iku sikur të isha një kriminel lufte. Edhe diaspora nuk ka imazh të mirë nëpër botë me sjelljet e tyre, për ata u mundova të reflektoj se ku është problemi i kësaj Lufte Civile mes lokalistëve të Kosovës dhe diasporës ultra dominuese e tejet e fortë me makina luksoze( personalisht që 18 vite jetoj në Francë, nuk kam as patentë shofer, as makinë), por është gjetur fajtori te protagonistët e fcb, njeriu i diasporës dhe kushtet që e rrethojnë atë kur të vijë në Kosovë e bëjnë të ndihet më superior dhe më të fuqishëm, kurse njeriu tipik kosovar, lokal, ndihet inferior, i papunë, nuk ka si ta ushqejë familjen kur të kthehet në mbrëmje në një Kosovë të ndarë politikisht dhe e zhytur në iluzione dhe në një ekonomi që nuk ka asnjë progres, duke mos pasur investime as kombëtare, as ndërkombëtare, në një vend ku qytetari i Kosovës është i dëshpëruar dhe i etur dhe i tradhtuar e gënjyer nga një sistem i shkatërruar në ideologji patriotike dhe doktrinë religjioze, se vetëm feja e shpëton njeriun dhe e bie mirësinë dhe çdo gjë duhet të jetë në emër të Zotit, sipas ideologëve fundamentalistë! Kjo është Kosova e sotme, e viteve 2000, elitiste, akademike, artistike apo politike, e vetmja që ne duhet ta shpëtojmë, ta rrethojmë me punë, ta duam ashtu se si e tillë me diasporën pa të me rrjete sociale, për të cilën është luftuar e sakrifikuar në 1999, ku bota dëgjonte zërat e fëmijëve nëpër kampet. Ne duhet të lobojmë për të ardhmen e një shoqërie të degraduar, por e vetmja shpresë mund të jetë morali më i madh etik i një vendi, për të cilin shumë kemi ëndërruar!

Selam Hajrizi është lobues dhe njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris, dhe drejtor i organizatës Lobying International Kosova.

***

Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.