Me Personalitetet Shqiptare në Argjentinë
Gjatë qëndrimit disa ditor në Argjentinë për takimet e G20, pata rast të njihem nga afër me intelektualët e patriotët shqiptarë në Buenos Aires, Etleva dhe Genc Llupi. Kishin mbërritur në Argjentinë në vitin 1948, së bashku me prindërit e tyre. I ati, Filip Llupi, personalitet i nderuar në Shqipëri, ish Drejtor i Shkollës “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, ku jepte edhe mësim në lëndët matematikë, fizikë, kishte linduar në Shkodër nga një familje atdhetare dhe antikomuniste. E ëma e tyre vinte nga Dalmacia, gëzonte titullin Markezë nga familja e saj.
Prof. Dr. Filip Llupi kishte kryer studimet e larta e doktoraturën ne Vienë për shkencat ekzakte, ndaj në vitin 1943 qeveria shqiptare e dërgon atë me detyrë pedagog për 100 studentët shqiptarë në një universitet të Vienës. Kështu shkruante dokumenti për nisjen e tij në Vienë, ku mori me vete gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Genci sapo kishte kryer klasën e parë fillore, ndërsa Etleva ende në moshë parashkollore. Filipi kishte edhe një mision të vecantë, për të hyrë në traktativa me qeverinë Austriake për një çështje mjaft delikate. Gjermania në atë kohë kërkonte t’i dërgonte të gjithë studentët e Vienes në luftë në Rusi, përfshi edhe studentët shqiptarë. Qeveria shqiptare i kishte kërkuar patriotit shqiptar Filip Llupi, të realizonte një marrëveshje me qeverinë Austriake, në mënyrë që studentët shqiptarë të mos shkonin në luftë. Filipi e kreu këtë misionin me sukses duke u siguruar kontrata pune, që studentët shqiptarë të punonin nëpër fabrikat e Vienës si dhe njëkohësisht të vazhdonin të ndiqnin studimet universitare atje pa ndërprerje. Pra ai i shpëtoi jetën studentëve shqiptarë në Vienë. Këto janë ngjarje të panjohura deri më tani për historinë e Shqipërisë. Prof. Dr. Filip Llupi ishte një hero i kohës dhe duhet të njihet si i tillë. Përpjekjet e tij duhet të çmohen e vlerësohen nga shteti dhe populli ynë.
Duke qenë se pas përfundimit të Luftës II Botërore, në Shqipëri u vendos perdja e hekurt komuniste, Filipi si antikomunist u detyrua të merrte vendimin e vështirë, që së bashku me familjen e tij të mos ktheheshin në atdhe. Ata fillimisht u vendosën në Itali për një periudhë të shkurtër, me shpresën se kjo ishte një situatë kalimtare në Shqipëri. “Pasi babai kuptoi se Shqipëria ishte katandisur më keq se para lufte – tregon Genci – vendosëm familjarisht të udhëtonim drejt Argjentinës, ku na priti daja, vëllai i nënës”.
Genci në atë kohë ishte 11 vjeç, Etleva 9. Edhe pse u rritën dhe edukuan me kulturë Amerikano Jugore, përsëri gjuhën shqipe nuk e lanë pas, e flisnin kjartë e bukur. Ata zotëronin disa gjuhë të huaja, sigurisht dhe atë spanjolle, ku kishin vite që jetonin. Ishin adhurues të artit e muzikës klasike dhe çdo herë shikonin nga afër performancat e artistëve shqiptarë në Argjentinë, si Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, duke vlerësuar kështu arritjet e tyre maksimalisht.
Në shtëpinë e tyre në Buenos Aires, nuk mungonin simbolet shqiptare, flamuri pa yllin e kuq e zbukurime të tjera kuq e zi, suvenire nga miq e të afërm të familjes nga Shqipëria. Kujdeseshin për lulet përqark shtëpisë, në kopësht kishin mbjellë edhe një pemë me lule të rralla e aromatike.
Ruanin me “fanatizëm” zakonet, traditat, kulturën dhe gatimet shqiptare. Gjatë bisedës, të dy, vëlla e motër shquheshin për një sens të hollë humori, siç mund ta quajmë humor shkodran. Flisnin me shumë dashuri për Shqipërinë, popullin shqiptar, lagjen Dibrane ku lindën e u rritën në Tiranë, afër Lanës, siç tregonte Genci dhe Etleva dhe ruanin kujtimet më të mira për komshinjtë e tyre në Tiranë. Kishin mall për atdheun. Genci ishte jo partiak, por një antikomunist i bindur. Edhe pse ishte larguar tepër i ri nga Shqipëria, ai e kishte përjetuar me dhimbje të madhe dramën e egër komuniste ndaj popullit shqiptar. “Në Shqipëri – tha ai – për afro gjysëm shekulli ka sunduar diktatura e shokut Enveri, i cili i solli shumë dëme të rënda popullit. Shqiptarët u zaptuan nga shqiptarët dhe kjo është e pabesueshme. Ishte genocid i hapur dhe bëj çudi që shumë shqiptarë ende nuk janë ndërgjegjësuar për krimet e komunizmit.”
I ati Filip Llupi u nda nga jeta në vitin 1984, ndërsa e ëma tyre në vitin 1992. Xhaxhai i Gencit dhe Etlevës, At Françesko Llupi, Prift i shkolluar jashtë e tepër patriot, përfaqësues i Klerit Katolik, rregjimi i Hoxhës e arreston në vitin 1967, i bëjnë gjyq të hapur dhe si dënim kapital pas torturave të shumta e fusin në një fuçi vere, mbushur me gozhda dhe e hedhin nga maja e një mali të lartë për të vdekur, as eshtrat nuk dihet se ku ndodhen. “Edhe pse pak shqiptarë jemi në Argjentinë – tha Genci – jemi të mërzitur shumë që shteti shqiptar prej disa vitesh e ka mbyllur ambasadën në Buenos Aires. Kjo nuk na shërben aspak ne shqiptarëve, pasi ashtu mund të kishim raporte biraterale në fusha të ndryshme, biznes, art, kulturë, etj.” Me ish-ambasadorin Trako, kishte patur raporte të mira, vazhdimisht e ftonte për kafe, shpesh edhe ai i vizitonte në shtepi. “Ambasadat janë ato që mund të bëjnë njohjen e Shqipërisë, Kosovës e trevave të tjera shqiptare nëpër botë, por kështu nuk po na njeh askush. Shumë njerëz këtu e në botë – tha ai – nuk e dinë se ku ndodhet në hartë Shqipëria, e për këtë më vjen shumë keq. Kësisoj – shtoi Genci – na ka tradhëtu shteti ynë ne shqiptarëve në Argjentinë.” Flitej për hapjen e një konsullate, por që akoma ishtë inekzistente.
Në banesën e Etlevës dhe Gencit, u takova edhe me miken e tyre anglo-argjentinase Margarita Jones, lindur në Buenos Aires, por anglishten e trashëguar nga i ati, e fliste pastër. Etleva kishte kryer studimet e larta në Argjentinë në shkencat ekonomi-kontabël, Genci po ashtu dhe kishte ndjekur profesionin e të atit, si inxhinier, konstruktor e supervizor në shtrimin e menaxhimin e rrugëve, njihte mirë fizionominë e infrastrukturën e qytetit e më gjerë. “Buenos Aires – tha – ka një shtrirje gjeografike 16 km gjerësi dhe 16 km gjatësi, ka shumë kisha, ndërtesa antike dhe muzeume.” Puna e kishte lidhur me njerëz të kulturave të ndryshme, deri tek fiset indiane, pasi në zonat ku ata jetonin, i kishte punësuar për projekte të ndryshme shtetërore. Si Etleva dhe Genci ishin shumë të angazhuar me komunitetin shqiptar atje. Rezervuan për mua një pritje tepër të ngrohtë e miqësore, që nuk do ta harroj kurrë.
Gencin si patriot dhe i respektuar në rrethin shoqëror, e kishin propozuar të drejtonte sërisht Shoqatën “Skënderbeu”. Shoqatë shqiptare themeluar më 1 Nëntor të vitit 1926 fillimisht me emrin “Shpresa”, por më pas aty nga viti 1933 e kishin emërtuar Shoqata “Skënderbeu”. Në shoqatë u takova gjithashtu edhe me bashkëshortët Efti dhe Kristofor Ndreu. Efti si violinçeliste e ushtronte profesionin edhe atje në një universitet të Buenos Aires-it, ndërsa i shoqi Kristofori, jurist dhe ish nëpunës i ambasadës shqiptare në Argjentinë, kujdesej për ambjentet e Shoqatës. Sapo hyje në Selinë e Shoqatës, një bust i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioiti Skënderbeu derdhur në bronx, dukej sikur të përshëndeste e të uronte mirëseardhjen, ndërsa një tjetër bust i heroit vendosur në krye të sallës, të ftonte për tu ulur rreth tryezës së rrumbullakët. Flamujt shqiptarë pa yllin e kuq dhe kostumet kombëtare të grave shqiptare, i kishin vendosur përqark si monumente kulture e dëshmi trashëgimie.
Aty mblidheshin shpesh shqiptarët së bashku me arbëreshët, e fëmijët e tyre për të festuar gëzime të ndryshme, si dhe festat e Pavarësisë së Shqipërisë, Kosovës e Argjentinës, veshur e stolisur me kostumet kombëtare.
Me një autobus së linjës turistike, udhëtova edhe nëpër Buenos Aires, monumete të shumta arti e kulture më zuri syri kudo e të pa shkatërruara nga dora e njeriut, deri tek personazhi famoz i përrallave “Pinoku” derdhur në bronx, larë me metal të shëndritshëm. U largova nga Argjentina me mbresa të bukura, veçanerisht nga miqtë e mi të rinj e të dashur Etleva dhe Genc Llupi.