Punëtoria: Angazhimi i Diasporës për Zhvillimin e Politikave

Organizata jo-qeveritare GERMIN, në bashkëpunim me Ministinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS), këtë fundjavë (05-07 tetor 2018) organizoi punëtorinë tre ditore për Projekt-Strategjinë dhe Projektligjin e Diasporës me ekspertë të diasporës, institucionet, përfaqësues të organizatave ndërkombtare dhe anëtar të partive politike në kuadër të nismës Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin e Politikave

Si pjesë e #DiasporaFlet, kjo nismë ka për qëllim që të lehtësojë kontributin e Diasporës në Kosovë gjatë procesit të hartimit të politikave dhe strategjive, respektivisht Strategjisë për Diasporën 2019 -2023 dhe Projektligjit për Diasporën, duke eksploruar potencialin e Diasporës për të kontribuar në zhvillimin e atdheut.

Hapja e kësaj punëtorie u bë nga zn. Liza Gashi- Drejtoreshë e Programeve në Germin, ku përshëndeti të pranishmit dhe potencoi rëndësinë si dhe qëllimin e kësaj nisme.

“Përkundër faktit që Kosova ka bërë disa përparime të nevojshme me qëllim të organizimit të diasporës, ne jemi akoma mbrapa në krijimin e mekanzimave të cilat lehtësojnë përfshirjen e diasporës në vendimmarje. Krijimi dhe zhvillimi i programeve që ofrojnë hapësirë për angazhimin e Diasporës është thelbësor për të optimizuar rëndësinë e Diasporës në drejtim të adresimit të nevojave, shqetësimeve dhe mundësive për të qëndruar sa më të lidhur me atdheun”,  u shpreh zn. Gashi.

Pas fjalës së përfaqësues së organizatës, z.Jahja Lluka si Këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Kosovë, shpalosi prioritet e zyres, e të cila janë: Investimet Strategjike, mësimi plotësuse por edhe përfaqësimi i Diasporës në Kuvend. Të njëjta qëndrime kishte edhe përfaqësuesi i MDIS, zëvendësministri Arian Daci, i cili potencoi: Ministria është angazhuar maksimalisht për Kartonin e Gjelbër, kemi nënshkruar tri marrëveshje me Ministrinë e Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, dhe tani jemi në fazën e konsultimeve publike për projektligjin e ri.

Kurse, deputetja nga rradhët e Lëvizjes Vetëndosje, Fitore Pacolli, kundërshtoi formën e re të hapjes së qendrave kulturore të cilat parashihen me projektligjin aktual, ndërsa ish-Ministri Valon Murati dhe njëherit kryetar i Lëvizjes për Bashkim tha se Qendrat Kulturore në Diasporë duhet të hapen me një ligj të ri. Për deputetin e pavarur Korab Sejdiu, angazhimi i tij në këtë drejtim është përshkak të obligimit moral që e ka ndaj diasporës duke ofruar përkrahjen e tij të plotë në këtë drejtim; ndërsa Shqipe Pantina, deputete e Partisë Social Demokrate tha: “Pas hartimit të ligjjit për media, ka ardhur kërkesa për krijimin e një kanali të veçantë për Diasporën, mirëpo kam frikë se kjo nuk mund të mbështetet që Radio Televizioni i Kosovës(RTK) të ketë një kanal të veçantë, mund të ketë një emision dhe minutash më shumë për diasporën në kuadër të RTK1 ose RTK2.’’

Në vazhdimin e diskutimit disa prej deputetëve dhe përfaqësuesve të institucioneve u shprehën se degët e partive politike në diasporë duhet të mbyllen, diaspora jonë nuk duhet të politizohet. Pas debatit mbi qëndrimet e këtyre përfaqësuesve, anëtarët e Diasporës kritikuan mundësitë dhe qasjen e limituar për angazhim në atdhe.

Grupi punues nga diaspora së bashku më stafin e Germin dhe zyrtarin nga MDIS për tri ditë radhazi punuan drejtëpërdrejt në Projekt Strategjinë (2019-2023) dhe ofruan komente për Projektligjin për Diasporën.  Në kuadër të kësaj punëtorie u dhanë rekomandime dhe perspektiva të ndryshme të cilat do të avanconin pozitën e komuniteteve jashtë vendit përmes politikave konkrete.

Gjitha këto rekomandime, sugjerime të dalura nga kjo punëtori u adresuan tek instiucioni përgjegjës. Këtu mund të gjeni Projekt ligjin për Diasporën i cili ka dalur për konsultime me publikun ku edhe ju mund të dërgoni komentet dhe rekomandimet e juaja, ky konsultim është  i hapur deri me 17 tetor 2018.