Mekanizmat e diskutueshme të Këshillit
Shkruan: Rando Devole
Kandidaturat e shpallura për Këshillin Koordinues të Diasporës shkaktuan një sërë polemikash, por deri tani nuk është bërë ndonjë analizë e posaçme për këtë organizëm ose për procedurat e formimit të tij. Reflektimet për këto aspekte duhet të kishin paraprirë përbërjen e tij, sepse fillimisht duhet diskutuar për rolin e funksionimin e një organizmi e më pas për emra të përveçëm.
Pa asnjë mëtim se tema shterohet në një shkrim të vetëm, vëmendja shkon fillimisht tek procedura e krijimit të Këshillit Koordinues të Diasporës. Sa për ta kujtuar, sipas ligjit Nr. 16/2018 “Për diasporën”, ky Këshill përfaqëson dhe koordinon marrëdhëniet me diasporën, me këto kompetenca: a) identifikon problemet e diasporës, i propozon ministrit përgjegjës për diasporën veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën; b) miraton rregulla procedurale për përmbushjen e veprimtarisë së tij dhe procedurën e vendimmarrjes. Këshilli në fjalë “përbëhet nga 15 anëtarë, të cilët janë përfaqësues të diasporës”.
Por cilat janë Kriteret për zgjedhjen në Këshill? Ligji përcakton se përfaqësuesit e diasporës, të cilët do të jenë anëtarë në Këshill, duhet të përmbushin këto cilësi: a) të kenë integritet të lartë dhe reputacion në komunitetin ku ata jetojnë; b) të kenë aftësi për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës. Gjithnjë sipas ligjit, përfaqësuesit e diasporës zgjidhen sipas këtij rendi: a) tre përfaqësues nga diaspora e Shteteve të Bashkuara të Amerikës; b) dy përfaqësues nga diaspora e Kanadasë; c) gjashtë përfaqësues nga diaspora e Evropës; ç) një përfaqësues nga diaspora e Turqisë; d) një përfaqësues nga diaspora e Australisë; dh) dy përfaqësues nga Britania e Madhe.
Si zgjidhet Këshilli
Kushtet dhe mënyra e zgjedhjes së përfaqësuesve të Këshillit koordinues të diasporës janë përcaktuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 340, datë 6.6.2018. Ky vendim thotë se 15 përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës duhet të jenë: a) Persona të spikatur në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, sportit etj. apo të suksesshëm në fushën e biznesit; b) Persona të njohur në fushën e filantropisë dhe të kenë kontribuar në çështje që lidhen me diasporën apo vendin e origjinës; c) Pjesë aktive e forumeve organizative të diasporës në vendet pritëse.
Por si zgjidhen anëtarët e këshillit që përmbushin kriteret e mësipërme? Janë ambasadorët e akredituar jashtë vendit që i propozojnë ministrit përgjegjës për diasporën kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës. Vendimi nënvizon se ambasadorët bashkëpunojnë me organizatat e diasporës, të njohura e të regjistruara sipas legjislacionit të vendit pritës, për gjetjen e kandidaturave. Kur mungojnë kandidatura propozimi (jo më shumë se 3 propozime) mund të bëhet drejtpërdrejt nga ministri përgjegjës për diasporën. Sipas vendimit të këshillit të ministrave, propozimet duhet të shoqërohen me jetëshkrime e dokumente, kualifikime dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së përfaqësuesit të propozuar. “Në vijim të propozimeve të ardhura, ministri përgjegjës për diasporën përzgjedh 15 kandidatët për anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës dhe ia përcjell për miratim Këshillit të Ministrave”. Përveç kësaj, përcaktohet se “përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës zgjidhen për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë”.
Termat si simptoma
Citimi me besnikëri të lartë i ligjit dhe i vendimit të Këshillit të Ministrave na jep mundësinë të dallojmë kundërshtitë e para, që kanë të bëjnë me termat e përdorura, të cilat dëshmojnë gjëra të rëndësishme për procesin e parashikuar. Pikë së pari, termi “përfaqësues të diasporës“. Siç dihet, përfaqësuesi është ai që shpreh dëshirat, vullnetin, etj. të një grupi njerëzish (të paktën kështu shpjegon fjalori i shqipes 2006). Procesi i përfaqësimit nga poshtë lart, në rastin tonë, nënkupton që diaspora duhet të kishte zgjedhur përfaqësuesit e vet në Këshillin Koordinues. Mirëpo, kështu nuk ndodh, sepse kandidatët propozohen nga ambasadorët shqiptarë, natyrisht në bashkëpunim me organizatat e emigrantëve shqiptarë. Me pak fjalë, kandidaturat nuk i janë nënshtruar ndonjë procesi zgjedhor, që t’i caktojë si përfaqësues të diasporës, në tërësinë e vet, çka është nder dhe detyrë e rëndësishme.
Kandidaturat e shpallura publikisht konsiderohen me përkufizim të denja e nuk diskutohen aspak nga ky shkrim, qëllimi i të cilit mbetet procesi dhe jo emrat e nderuar e të respektuar të kandidatëve. Meqë ra fjala, nuk do të kishte qenë keq që kandidatët e Këshillit Koordinues të Diasporës – e kam fjalën për ata që nuk janë kandiduar ose vetëkandiduar shprehimisht -, të ishin pyetur fillimisht për pranimin e kandidaturës, për të shmangur befasi bezdisëse, si në rastin e të nënshkruarit. Nga pikëpamja procedurale, çdo kandidaturë presupozon informimin e pëlqimin formal të interesuarit, në të kundërt mund ta gjejmë emrin padashur në çdo organizëm, pavarësisht nëse kemi apo jo rezerva thelbësore, formale ose thjesht personale. Në Shqipëri ky kusht elementar mund të tingëllojë si pretendim, për sa kohë, siç thonë thashethemet, njeriu mund ta gjejë veten edhe ministër pa e ditur më parë. Kjo natyrisht duket e pabesueshme, sepse pranimi ose jo i një posti ka të bëjë me lirinë e personit i cili, tek e fundit, mund të përgjigjet me autoironi duke parafrazuar Groucho Marx-in, pra se nuk dëshiron të marrë pjesë në organizma që pranojnë tipa si vetja.
Zgjedhje apo përzgjedhje?
Termi tjetër që del vazhdimisht si në ligjin për diasporën, ashtu në vendimin për Këshillin koordinues është zgjedhja. Për këtë term mund të diskutohet shumë, meqë zgjedhje bëhen periodikisht në Shqipëri e gjetiu, çka duket në pajtim me idenë e përfaqësimit. Vetëm në një rast nuk përdoret ky emër: aty ky flitet se në vijim të propozimeve të ardhura, ministri përgjegjës për diasporën përzgjedh 15 kandidatët për anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës dhe ia përcjell për miratim Këshillit të Ministrave. Për herë të parë, saktësisht, përdoret termi “përzgjedh“, që shqipëron huazimin “seleksionon”. Pra procesi i përfaqësuesve të diasporës përfundon me një përzgjedhje nga ana e ministrit të diasporës. Këtu lindin dy probleme. I pari ka të bëjë me procesin, sepse në thelb nuk kemi të bëjmë me zgjedhje, por me përzgjedhje; i dyti ka të bëjë me autorin e përzgjedhjes.
Nuk mund të mohohet se nesër pasnesër, kushdo mund ta konsiderojë veten të autorizuar të hedhë dyshime mbi përzgjedhjen e Ministrit, ngaqë ky i fundit është i njëanshëm, sepse përfaqëson vetëm qeverinë dhe shumicën. Në mungesë të kritereve të qarta dhe publike, cilido anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, që do të përzgjidhet nesër nga Ministri, do t’i duhet të përballet me dyshimin, jo detyrimisht të themeltë, se është përzgjedhur për arsye që shkojnë përtej aftësive personale.
Që ka diçka që nuk shkon me procesin e këshillit e vërteton tërthorazi shënimi që shoqëron listën e kandidatëve për Këshillin Koordinues të Diasporës, i cili thotë midis të tjerash se “nisur nga rrethanat e mbajtjes së Samitit të Dytë të Diasporës si dhe për të pasur një konsultim më të gjerë për këtë çështje […] u gjykua që vendimarrja të merret pas komunikimit dhe vlerësimit me pjesëmarrësit e Samitit për këtë çështje”. Kjo do të thotë se emrat do të vlerësohen gjatë Samitit të Dytë, pavarësisht se nuk shpjegohet se si do të zhvillohet vlerësimi. I njëjti shënim shoqërues thotë se “çdo propozim do të ishte vlerë e shtuar. Diaspora është një pasuri kombëtare ku emrat që do të përzgjidhen janë të ‘përkohshëm’. Këshilli Koordinues i Diasporës do të institucionalizojë për herë të parë prezencën e Diasporës në nivelin më të lartë shtetëror të Republikës së Shqipërisë”. Këtu duket qartë se do të ketë propozime të tjera dhe si për t’i dalë të keqes (debateve) përpara, në mënyrë parandaluese, jepet mendimi se emrat janë të përkohshëm dhe se rëndësi ka prania e diasporës në nivel të lartë shtetëror.
Diaspora meriton seriozitet
Procesi i përfshirjes së diasporës nuk është i thjeshtë e ndoshta procedura perfekte nuk ekziston, megjithatë do të mjaftonte sinqeriteti i objektivit të pjesëmarrjes së diasporës për të shmangur keqkuptime e përdorime. Në qoftë se flitet për përfaqësues të diasporës atëherë shteti shqiptar, pa futur në siklet Ambasadat, mund të kishte ndihmuar për ngritjen e një infrastrukture të thjeshtë zgjedhore për të mundësuar zgjedhjen e tyre. Ta zëmë, në rast se për përfaqësimin e diasporës në Itali do të duheshin dy përfaqësues, atëherë duhet të ishin krijuar kushtet që organizatat dhe emigrantët t’i zgjidhnin nëpërmjet një procesi të drejtë e transparent, ku të ishin ata protagonistë dhe ta ndjenin veten pjesë të një procesi të vërtetë përfaqësimi. Dikush mund të pohojë se diaspora është e përçarë; në qoftë se kjo është e vërtetë vetë procesi i zgjedhjes mund ta kishte ndihmuar atë për t’u bashkuar e për të nxjerrë dy përfaqësues legjitimë, ndërkohë që sistemi aktual nuk është se e shmang përçarjen e supozuar. Përkundrazi, rrezikon ta thellojë atë, sepse fut elemente politike të dëmshme.
Mund të kishte edhe opsione të tjera. Ta zëmë mund të ruhej një sistem i ngjashëm me aktualin, natyrisht me korrigjime të ndryshme, por në fund përzgjedhja të institucionalizohej, në kuptimin që të mos i lihej Ministrit përgjegjës për Diasporën i cili, pavarësisht nga emri aktual e i ardhshëm, është gjithnjë shprehje e një partie (palë e njëanshme). Do të kishte qenë mirë që Këshilli Koordinues i Diasporës të kalonte nga Parlamenti, nga Komisioni i jashtëm për shembull, siç ndodh për figura të tjera, për të shmangur instrumentalizimet politike dhe për të dëshmuar interesin kombëtar ndaj diasporës përtej dasive politike.
Më i sinqertë do të kishte qenë emërimi i drejtpërdrejtë i anëtarëve nga ana e qeverisë, e cila mund ta kishte marrë përgjegjësinë e veprimit, duke lënë mënjanë akrobacitë e përfaqësimit dhe të procedurave të (për)zgjedhjes.
Procedura e zgjedhjes së Këshillit ka edhe pika të tjera të errëta, duke filluar nga mospërcaktimi i qartë i të drejtave dhe detyrave. Vendimi thotë se Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës lirohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar, “kur neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e këshillit drejtues”. Nuk është e qartë se kush e gjykon anëtarin për neglizhim, sikundër nuk është e qartë se ku do të trajtohen mosmarrëveshjet e mundshme, pra ku do të ankohet (ta zëmë pa të drejtë) anëtari i akuzuar për neglizhencë. Vendimi shton gjithashtu se lirimi bëhet kur anëtari “nuk përmbush funksionet e parashikuara nga ligji nr. 16/2018, “Për diasporën””. Këto funksione nuk janë aspak të qarta në ligj, as përmenden si të tilla. Ndoshta vendimi flet për kompetencat. Gjithsesi, nuk kuptohet mirë nëse anëtari ka probleme në rast kritikash për politikat e ndjekura nga qeveria në lidhje me diasporën.
Strategjia kombëtare e diasporës deklaron se nxit përfshirjen, bashkëveprimin dhe kontributin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit në zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë. Kjo nënkupton të paktën që diaspora të konsiderohet me seriozitet, sepse i ka të gjitha aftësitë e potencialet, duke filluar nga përfshirja e saj në përcaktimin e organizmave që do të rregullojnë marrëdhëniet me të. Por jo vetëm me fjalë.
Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.