Mësimi plotësues në diasporë: E drejtë dhe nevojë, apo zgjedhje e lirë?
Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në diasporë vlerësohet si një proces mjaft i rëndësishëm. Rëndësia e kësaj strategjie qëndron në aspektin e ruajtjes së identitetit kombëtar. Gjuha, edhe pse mbetet një ndër faktorët në mbijetesën e komunitetit shqiptar jashtë Kosovës, vitet e fundit ky proces është përballur me shumë sfida dhe përgjegjësi.
Për të hapur një debat dhe për të marrë rekomandime rreth këtij procesi, organizata Germin ka organizuar një diskutim virtual (më datë 11 dhjetor 2017) me temën “E drejta e mësimit plotësues së gjuhës amtare në diasporë”. Paneli diskutues përbëhej nga: Rozana Hykaj (Mbretëria e Bashkuar), Hazir Mehmeti (Austri), Fjolla Vukshinaj (nga organizata Germin), Beqir Cikaqi (Itali) Avdyl Lipoveci (Kosovë), dhe u moderua nga Kushtrim Ahmeti.
Ajo që vlen të theksohet nga ky takim janë komentet nga mësuesit të cilët vinin nga katër shtete të Europës, ku ata treguan që po përballen me mungesë interesimi të fëmijëve shqiptarë për të vijuar mësimin plotësues në shkollat shqipe. Edhe pse në shumë vende të Europës, ky proces është duke u financuar nga shteti pritës, shqiptarët nuk po shprehin shumë interesim të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që u ofrohet me ligj. Pra, sipas panelistëve sfidë e shkollave shqipe mbetet si të inkuadrojnë më shumë nxënës në oraret plotësues. Mirëpo, ky problem është më pak i shprehur në Londër, në shoqatën “Arbëria” ku punon Rozana Hykaj. Ajo potencoi se shkolla ku ajo punon zhvillon bashkërisht mësimin plotësues me atë të valleve, dhe si rrjedhojë e kësaj janë rreth 80 nxënës të interesuar në Londër për të mësuar shqip në këtë shkollë.
Kurse mësuesit Cikaqi dhe Mehmeti u bën apel prindërve shqiptarë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në orët plotësuese, sepse sipas tyre dygjuhësia nuk u pengon në rezultatet e shkollës. Sipas tyre, prindërit nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që do t’i ketë në të ardhmen fëmija i tyre, duke u vënë në pikëpyetje identitetin e fëmijëve.
Po ashtu, sfidë tjetër mbetet pagesa e mësuesve në diasporë. Sipas komenteve të pranuara, Ligji në Kosovë ka mangësi, nuk parasheh se si do të paguhen mësuesit në diasporë, a do t’ju njihet përvoja e punës, si do të jetë raportimi, si do të bëhet lëshimi i dokumentacionit pas mbarimit të vitit shkollor etj.
Gjendje më ndryshe është në Kroaci, ku shteti kroat po implementon një politikë afirmative për t’i angazhuar fëmijët shqiptarë të mësojnë shqip, ku mësuesit paguhen nga buxheti shtetëror dhe nxënësit të cilët ndjekin rregullisht mësimin plotësues në minimum prej 3 vitesh, shpërblehen me 2 pikë plus kur regjistrohen në shkollën e mesme.
Në anën tjetër, AvdylLipoveci nga Ministria e Diasporës u shpreh se autoritetet e Kosovës po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për sensibilizimin e diasporës, që të përfshijnë fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në shumë vende të botës ku këta qytetar të Kosovës jetojnë. Lipoveci u shpreh se së fundmi janë nënshkruar dy marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, dhe njëra është ekskluzivisht për mësimin plotësues.
Marrëveshja e arritur për mësimin e gjuhës amtare obligon dy shtetet të formojnë një kurrikulë unifikuese për nxënësit shqiptarë, financimin e përbashkët të gjuhës amtare – mekanizëm ky që ka munguar në marrëveshjen e vitit 2015 dhe do të rregullohet me ligj të veçantë.
U rekomandua po ashtu që nga shteti i Kosovës dhe Shqipërisë të dërgohen atashe të cilët do të organizohen vetëm për mësimin plotësues dhe organizimin e diasporës, si dhe u kërkua që misionet diplomatike të mos qëndrojnë indiferente ndaj procesit të mësimit plotësues.
Video nga diskutimi.