Profesionistë nga diaspora shqiptare mblidhen nesër në Prishtinë
Historikisht diaspora shqiptare ka luajtur rol jetik në procese të ndryshme për shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në troje të tjera.
Duhet të theksohet sidomos kontributi i diasporës gjatë 90-ve për Kosovën.
Duke pasur parasysh rëndësinë të cilën diaspora e ka për vendin amë, kontributin e vazhdueshëm, por edhe potencialin e pamohueshëm, organizata Germin për herë të parë në Kosovë bashkon qindra profesionistë të fushave të ndryshme nga diaspora shqiptare me përfaqësues të institucioneve publike, si nga niveli qendror i qeverisjes ashtu edhe ai lokal, në kuadër të konferencës “Diaspora Flet”, që do të mbahet nga data 17 deri më 20 maj të këtij viti.
Përmes paneleve të ndryshme të diskutimit, sesioneve të punës, aktiviteteve kulturore, por edhe vizitave në terren në institucione publike si në nivel qendror ashtu edhe lokal, Germin ka për qëllim që të mundësojë lidhjen, bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët të diasporës me vendet e tyre të origjinës me qëllim të gjetjes së formave më të mira për avokimin për të drejtat e tyre por edhe përfshirjes së tyre dhe potencialit që kanë në krijimin e politikave më të qëndrueshme për vendin.
Konferenca “Diaspora Flet” mbahen në kuadër të inciaitivës për “Dialogun e Strukturuar për të drejtat e Diasporës”, që implementohet nga Germin.
Në ceremoninë hapëse, folës kryesor do të jetë Kingsley Aikins, njeriu që ia solli 250 milionë dollar Irlandës para 21 vite nga Fondi i krijuar prej diasporës. Po ashtu do të flasin edhe ministrat e diasporës së Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.