Pse në Kosovë?

Shkruan: Migjen Kajtazi

I riu shqiptar i Zvicrës apo të rinjtë e tjerë zviceranë do e mësojnë historinë shqiptare apo të Kosovës në Biblioteka që për momentin janë të mbushura me botime serbe sidomos pas lufte të Kosovës dhe nevoja që të ketë botime lidhur me historinë shqiptare në gjuhë të ndryshme është nevojë që duhet t’i përgjigjen fondacionet, shoqatat, apo OJQ aktive në Zvicër që më ndihmën financiare të Minisitrive përkatëse të Kosovës e Shqipërsisë do kishin mundësi të japin kontributin e vetë dhe t’i plotësonin nevojat e komunitetit tani dhe për gjeneratat që do vijnë


Të rinjtë shqiptarë të lindur apo të rritur në shoqërinë zvicerane gjinden shpesh të rrethuar në mënyrë progresive në mes të origjinës së tyre të përfaqësuar nga familja, qoftë në Zvicër, rrethi familjar në Kosovë apo trojet tjera shqiptare; dhe shoqërsisë pritëse, pra shoqërisë zvicerane të përfaqësuar nga mësuesit, edukatorët, rrethi shoqëror, kolegët e shkollës apo të punës, etj.

Ky realitet në mënyrë figurative paraqitet nga psikiatri i njohur zvicran Jean-Claude Metraux i cili e shikon të riun me origjinë të huaj i lidhur me litar në dy anë:

Litari i tërhequr nga njëra anë që përfaqëson origjinën dhe anën tjetër shoqërinë pritëse, pra zvicerane. Nëse e lëshon litarin nga ana e origjinës konsiderohet si një llojë asimilimi apo humbje besimi … kurse nëse e lëshon litarin që tërheq shoqërinë pritëse zvicerane do të kemi probleme duke filluar nga shkolla e deri në gjetjen e vendeve të punës apo mungesë të integrimit në shoqërinë zvicerane.

Ndodhë që i riu me origjinë të huaj t’i lëshojë të dy litarët (të origjinës dhe shoqërisë pritëse zvicrane) që shpeshë përcillet tek të rinjtë me dhunë, delinquancë, toksimani apo shembull illustrativ për të paraqitur këtë fenomen në një kontekst më të lehtë është kur i riu i huaj nuk lidhet as me vendin pritës ku ka lindur apo rritur e as me vendin e origjinës të familjës së vetë, po lidhet me vendin apo vendet që nuk kanë të bëjnë fare me këto vende dhe këtë dukuri e shohim edhe tek të rinjtë shqiptarë që për momentin paraqesin raste shumë të rralla që kanë prirje të bëjnë « hulumtime turistike në vendet e largëta » si formë e shprehjes të lidhëshmërise së tyre me këto vende dhe ikjes nga vendet që paraqesin origjinën dhe vendet pritëse.

Pa marrë parasysh lidhëshmërinë që i riu shqiptar mundet të ketë me vendin e origjinës apo pritës, ajo që dihet është që i riu shqiptar i lindur apo i rritur në rastin tonë në Zvicër ka pikë referimi shoqërinë zvicerane. Dhe kjo pikë referimi fillon nga fushat e ndryshme të organizimit shoqëror, nga traditat e forta lokale, nga rrethi shkollor, nga mjedisi i punës e duke vazhduar deri në jetën në lagje.

I riu shqiptar i lindur apo i rritur në shoqërinë zvicerane ka lidhshmëri të forta me vendin e origjinës dhe bisedat që pasojnë për cdo vizitë në Kosovë apo vendet tjera shqiptare përcillen apo do përcillen me pyetje të shumta që gjeneratat më të vjetra apo gjeneratat që shërbejnë si urë lidhëse mes gjeneratave mundohen për momentin të japin shpjegimin në kontekstin që i riu shqiptar i Zvicrës nuk i njeh.

Pyetjet lidhur me realitetin e Kosovës të pas lufte do përcillen në të afërme jo të largët duke filluar me dëshirë për të njohur historinë e Kosovës, historinë e shqiptarëve, historinë e luftës së fundit për çlirimin e Kosovës e deri në pyetjet lidhur me jetën e përditëshme si për shembull:

  • Pse në Kosovë, njerëzit dijnë të këndojnë bukur e nuk dinë të shkruajnë mirë gjuhën shqipe?

  • Pse në Kosovë, i këndohet lirisë së vendit e nuk ka aksione për ta dashur më shumë tokën e Kosovës?

  • Pse në Kosovë, njerzit dijnë të kërkojnë shumë e pak të punojnë ?

  • Pse në Kosovë, flitet më shumë për ndarjet në mes regjioneve e shumë pak për bashkimin e tyre?

  • Pse në Kosovë, ka media që më shumë ka shkruar kundër Shqipërisë sesa kundër Serbisë?

  • Pse në Kosovë libri ka pak vend në familjet shqiptare?

  • A ka përfunduar lufta në Kosovë apo është vazhdim i luftës të shprehur me mjete tjera?

Shqiptari i Zvicrës me kalimin e kohës në të ardhme të afërt, komunikimin në mes veti do ketë në gjuhën gjermane, frënge e italiane si gjuhë kryesore dhe të gjitha këto pyetje që mundet t’ja drejtojë prindërve (të lindur apo të rritur në Zvicër) në gjuhët përkatëse apo përfaqësuesëve të gjeneratës së parë e të dytë.

Është e njohur teoria e vitalitetit etno-gjuhësor ku përcakton që një komunitet sado i pranishëm me numër të madh të anëtarëve në një shoqëri nëse nuk ka organizim të mirëfillët duke filluar nga shkolla në gjuhën amëtare, pastaj organizim në shoqata, organizim ekonomik, kycje në jetën politike dhe integrimin në shoqërin pritëse , ky komunitet me kalimin e kohës do të tjetërsohet.

Komuniteti i italianëve në kantonin e Neuchatelit kanë qenë shumë të pranishëm dhe kanë pasur mbështjetje të shtetit të tyre të fuqishëm – Italinë po duke munguar organizimin tani shofim që ky komunitet ka harruar gjuhën e vetë të origjinës.

Mos vijimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe është alarmi i parë që i përgjigjet teorisë së vitalitetit etnogjuhësor si thirrje për komunitetin dhe organët gjegjëse.

Shqiptarët e Zvicrës do kenë nevojë që të marrin përgjigjje në të gjitha pyetjet që munden t’i parashtrojnë në gjuhët frënge, gjermane, italiane apo angleze.

I riu shqiptar i Zvicrës apo të rinjtë e tjerë zviceranë do e mësojnë historinë shqiptare apo të Kosovës në Biblioteka që për momentin janë të mbushura me botime serbe sidomos pas lufte të Kosovës dhe nevoja që të ketë botime lidhur me historinë shqiptare në gjuhë të ndryshme është nevojë që duhet t’i përgjigjen fondacionet, shoqatat, apo OJQ aktive në Zvicër që më ndihmën financiare të Minisitrive përkatëse të Kosovës e Shqipërsisë do kishin mundësi të japin kontributin e vetë dhe t’i plotësonin nevojat e komunitetit tani dhe për gjeneratat që do vijnë.

Migjen Kajtazi është përgjegjës kantonal pranë zyrës të integrimit te departametit të ekonomisë në katonin e Vaud-it. Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.