REAGIM: Periudha e Aplikimit për Regjistrim për votim jashtë Kosovës
Organizata jo-qeveritare Germin reagon ndaj pengesave teknike që diaspora shqiptare po has gjatë procesit të regjistrimit për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor 2017.
Shumë mërgimtarë e kanë pasur të pamundur mbrëmë t’i dërgojnë online formularët e tyre për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Të gjithë ata që kanë provuar t’i dërgojnë formularët e nënshkruar në e-mailat zyrtarë në [email protected], dhe [email protected], kanë pranuar një mesazh që thotë: Inboxi është i mbushur me shumë mesazhe dhe për momentin nuk mund të pranojë mesazhe të tjera. “Ju lutem provoni ta dërgoni më vonë këtë mesazh, ose kontaktoni direkt me marrësin e mesazhit”, thuhet në vazhdimësinë e e-mailit automatik.
Ky problem teknik, pamundëson që diaspora të marr pjesë në zgjedhjet në Kosovë. Afati i shkurtër për t’u regjistruar nga jashtë, mungesa e organizimit të votimeve në diasporë, tani edhe problemet teknike për të votuar, sfidojnë trefish mërgimtarët të realizojnë të drejtën e tyre për votim. Diaspora është grupi më i madh shoqëror në Kosovë. Për këtë arsye, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje, e drejtë e cila u garantohet me ligj, do të bënte që Kosova të ketë demokraci përfaqësuese. Teknikisht, diasporës në praktikë po i mohohet e drejta elementare e votës, edhe kësaj rradhe:
Për këtë, ne kërkojmë nga KQZ-ja dhe të gjitha organet relevante që:
- Të zgjidhin problemin e të gjitha kërkesave të dërguara përmes postës elektronike deri më sot;
- Të adresojnë të gjitha problemet teknike që i kanë mërgimtarët gjatë periudhës së shkurtë për votim nga jashtë;
- Të lehtësojnë procesin e votimit nga jashtë (zgjasin afatin kohor për aplikimi, të shqyrtojnë alternativa të tjera për votim jashtë Kosovës).