Shqiptarët e Rumanisë  

Akad. Kopi Kyçyku

Fitues i Shqiponjës së Artë “Zëri i Komunitetit në Diasporë”

Shqiptarët e Rumanisë janë një pakicë etnike që, sipas përfundimeve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, numuron 520 vetë. Por shifra e vërtetë e tyre besohet të jetë rreth 10.000. Kjo mospërputhje lidhet me faktin që jo pak shqiptarë etnikë vetëdeklarohen rumunë. Afro gjysma e tyre banojnë në qendra të rëndësishme urbane, si: Timishoara, Jash, Konstancë dhe Kluzh-Napoka. Shumica janë të krishterë ortodoksë, të ardhur gjatë shekujve nga Jugu i Shqipërisë, kryesisht nga Korça, por ka edhe myslimanë, kryesisht në Dobruxhë, në rrethinat e portit të Konstancës.

Duke nisur me ilirët e Mirditës dhe të Jugut të Dalmacisë, – stërgjyshër të shqiptarëve të sotëm, – nga fisi i pirustëve, një numur i madh mjeshtërish në nxjerrjen e në përpunimin e bakrit, u çuan nga administrata romake për një shfrytëzim sa më të mirë e më të plotë të pasurive të Maleve Apuseni (Malet Perëndimorë), në Rumani. Bashkësia shqiptare në Trevat Rumune dëshmohet me dokument për herë të parë në Vllahi, në kohën e sundimit të Mihal Trimit. Në një raport të autoriteteve habsburgase në Transilvani, thuhet se mbi 15.000 shqiptarë fituan të drejtën të banonin në krahinën e Muntenies. Fillimisht i shohim në katundin Kalinesht, në rrethin e Prahovës, ndërsa në Bukuresht i gjejmë qysh nga viti 1628. Shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Rumani, sidomos qysh prej messhekullit XVI, si barinj, ushtarë, truproja të sundimtarëve vendës, tregtarë e më pas si emigrantë politikë. Në trevën armbajtëse të Maleve Apuseni janë gjetur mbishkrime me emrat e vendbanimeve të ilirëve. Këta të fundit patën zënë vend në qendrën minerare të Alburnus Maior, që, sipas sistemit të organizimit dalmat, thirrej vicus ose castellum vicus Pirustarum;castellum Buridustarum[1]. Përsa i përket numurit të tyre, saktësojmë se në Malet Apuseni, para pushtimit romak, banonte popullsia dake. Kjo dëshmohet nga punimet minerare, të cilat ishin teknikisht të përparuara në Dakinë e lirë qysh para dyndjes së romakëve dhe këta vetëm sa i vazhduan, i zgjeruan dhe i përsosën më tej[2] .

Sikurse e vumë në dukje më lart, ilirët erdhën me cilësinë e teknikëve e të specialistëve dhe jo në numur aq të madh sa të popullonin krejt trevën. Kjo vazhdoi të mbetej e banuar, njëlloj si deri atëhere, nga dakët autoktonë, që, brenda pak kohe, do të romakëzoheshin. Besohet se mocët e sotëm janë pasardhësit e popullatës dake të romakëzuar.

Në epokën feudale lufta kundër sundimit otoman njeh veprime paralele dhe të përbashkëta të të dy popujve tanë. Në fushatat antiosmane, Janosh Huniadi apo Janku i Hunedoarës, tregoi kujdes edhe për bashkëpunimin ushtarak me shqiptarët, të cilët, në atë kohë, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, po u jepnin goditje vdekjeprurëse hordhive otomane.

Në mars 1443, me një ushtri prej rreth 22 mijë vetësh, Huniadi ndërmori një shpeditë në luginën e Moravës, në drejtim të Nishit, dhe së andejmi bëri për nga Maqedonia, me synim që të bashkohej me forcat e Skënderbeut dhe të mbërrinte, – në fazën e parë të fushatës, – deri në Selanik. Që aty, mendonte të përparonte drejt Konstandinopojës. Por, në Fushë Kosovë, pikërisht në të njëjtin vend ku qe zhvilluar beteja e vitit 1389, epërsia numerike e osmanëve bëri që fitorja të kalonte në anën e këtyre të fundit. Kësisoj lidhja me Skënderbeun nuk qe e mundur të bëhej[3].

Është i njohur, gjithashtu, veprimi i njëkohshëm mbrojtës kundër osmanëve, që ndërmorën në gjysmën e dytë të shekullit XV, nga njëra anë Stefani i Madh (1457-1504), dhe nga ana tjetër Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu (1405-1468). Trupat osmane, që e sulmuan Stefanin e Madh në Urën e Lartë, më 1475, vinin nga Shqipëria. Bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, mori urdhër të hiqte dorë nga rrethimi i Shkodrës, për t’u drejtuar me trupat e veta pa vonesë në Moldavi[4].

Në këtë mënyrë otomanët, dashur pa dashur, u jepnin shqiptarëve një farë frymëmarrjeje në luftën që do të vazhdonin edhe pas vdekjes së Skënderbeut. Në kuadrin e koalicionit antiosman të krijuar në vitet 1590-1592 nga Perandoria e Habsburgëve, Spanja, Venetiku e Toskana, me synim asgjësimin e sundimit otoman në Evropën Qendrore dhe Juglindore, si dhe në Mesdheun Qendror, koalicion që u quajt prej Papës “Lidhja e Shenjtë”, krahas ndihmesës së rëndësishme që dhanë Trevat Rumune në kundërshtimin e ekspansionit të egër otoman, nxitën qëndresën dhe luftën e popujve ballkanas, pra edhe të popullit shqiptar kundër zgjedhës së Turqisë. Fitoret e Mihal Trimit patën jehonë edhe në malet e Shqipërisë. Mjaft luftëtarë shqiptarë u bashkuan me ushtrinë e tij[5]. Këtë e dëshmojnë shumë dokumente dhe informacione të kohës[6]. Aga Leka, njëri nga kapedanët më të njohur të ushtrisë së Mihal Trimit, ishte me prejardhje shqiptare. Lidhur me këtë fakt, “Kronika e Buzeshtit” jep këto hollësi: “Iu drejtua Mihal Vodës që t’i përgjigjej me miqësi, duke qenë, si gjithmonë, njëri pranë tjetrit. Për t’i mposhtur kundërshtarët, Mihal Voda i dha 3500 luftëtarë me Aga Lekën në krye[7]. Citati i saporiprodhuar ka të bëjë me ndihmën që Mihal Trimi i dha princit të Transilvanisë, Sigismund Bathory, më 1598, kur otomanët, sëbashku me tartarët, sulmuan Oradinë e Madhe[8].

Me prejardhje shqiptare ka qenë edhe sundimtari Vasile Lupu (1633-1653), lindur në komunën Arbënash, pranë qytetit Razgrad, në Bullgari. I ati quhej Nikollë Koci. Pjesën më të madhe të jetës, Vasile Lupu e kaloi në Moldavi, ku ushtroi një numur të madh funksionesh të larta dhe mori pjesë në kryengritjen e bojerëve moldavë kundër ofiqarëve grekë në atë vend[9].

Kujtojmë, gjithashtu, se gjatë periudhës së dytë të sundimit të tij (1741-1743), Konstandin Mavrokordati themeloi “Flamurin e Arnautëve”, i cili, nga pikëpamja hierarkike, varej prej hatmanit të madh[10].

Njoftohet prania e shqiptarëve edhe në luftën ruso-turke të viteve 1806-1812, gjatë së cilës Konstandin Ipsilanti, sundimtari i Trevave Rumune, bashkë me disa bojerë rumunë, formoi korpuse me pandurë (këmbësorë nga radhët e fshatarëve) dhe vullnetarë, ndër të cilët, sikurse shënon kronikani Naum Ramniçeanu, kishte edhe “moldavë, muntenë dhe aranautë”. Një armatë me pandurë dhe arnautë, me Samurasin, kajmekamin e Krajovës, e me disa bojerë të tjerë në krye, u dërgua nga sundimtari në krahinën Oltenia për të bashkëpunuar me ushtrinë ruse, të komanduar nga gjenerali Isajev[11].

Prania e shqiptarëve në Rumani është e lidhur edhe me kryengritjen e vitit 1921. Ata bënin pjesë në ushtrinë e Tudor Vladimireskut, çka dëshmohet nga një morì dokumentesh.

Kështu, shkresa e autoriteteve ushtarake pushtuese, e 30 janarit 1821, që u referohej “krejt banorëve të viseve të Vllahisë”, me të cilën i kërkohej Portës së Lartë ndihmë për shtypjen e kryengritjes së Tudor Vladimireskut, kish përmbajtjen e mëposhtme:

“ … megjithë përkujdesjet që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë, vërejmë se ata nuk rreshtin së vëni në punë mendjen e tyre të gjymtë, sepse ai, Theodhor Vladimiresku, paska marrë disa nga të vetët që, me sa jemi informuar, vërtetohet se janë arnautë; kanë dalë nga manastiri, duke lënë atje roje të tjera, pò të tillë, dhe kanë bërë drejt qarkut të Mehedincit. Me anë të letrave, ata kanë filluar t’u bëjnë thirrje njerëzve që të bashkohen me ta, duke pasur me vete armë. Ata që s’kanë armë, të pajisen me shtiza dhe cfurqe hekuri, meqënëse, sipas shpjegimeve që u bënte (Tudor Vladimiresku, sh.y.), ai donte t’i mbronte e t’i bënte të lirë nga zgjedha e sundimtarëve dhe e bejlerëve”. Gjithashtu, raporti i nënkolonelit I. I. Pestel, i 8 marsit 1821, drejtuar gjeneralit P. D. Kisseleff, në lidhje me ngjarjet revolucionare në Trevat Rumune, theksonte se Vladimiresku “ … ka mbledhur 38 arnautë dhe ka shkuar me ta në Oltenia. Kur po kalonte lumin Olt, që ndan Oltenian nga Muntenia, çeta e tij përbëhej pre 3.000 vetësh, me të cilët u bashkuan edhe 4.000 grekë, sërbë, arnautë dhe pandurë të armatosur”. Përmendim, gjithashtu, letrën e Tudor Vladimireskut, të 4 majit 1821, dërguar Trezorierit të madh: “Shumë i nderuari zotëri Trezorier. Të gjithë luftëtarët pandurë dhe sidomos arnautët, kërkojnë që t’u jepen perime edhe në ditët e kreshmës[12].

Arnautë ka pasur edhe në formacionet luftarake të Trevave Rumune, që siguronin rregullin e brendshëm dhe që u dërguan fillimisht kundër Tudor Vladimireskut. Por shumica dërrmuese e tyre kaluan në anën e kryengritësve, ndërsa të tjerët, fort të pakët, nuk bënë asnjë veprim kundër tyre.

Për peshën që patën arnautët si luftëtarë, dëshmon edhe letra e nënkolonelit Dragulinesku, e 12 shkurtit 1821, dërguar gjeneralit I. Mageru: “Ju përulem me dashuri vllazërore. Mbrëmë u ktheva edhe unë nga Bukureshti. Frikë të madhe u ka futur atje rebeli Tudor, me të vetët”. Ja edhe një letër tjetër, që mban datën 30 mars 1821, drejtuar carit të Rusisë nga bojerët e strukur në Brashov: “Forcat e armatosura të Principatës, të përbëra sidomos nga të huaj, që njihen nën emrin shqiptarë, në vend ta përmbushin misionin duke e mbytur vullkanin revolucionar në shpërthim, kanë tradhtuar… (duke kaluar në anën e Tudor Vladimireskut, sh.y.).

Arnautët i hasim edhe në trupat e Eterisë, nën komandën e Aleksandër Ipsilantit, duke luftuar kundër otomanëve. Kjo është dëshmuar nga shumë dokumente të kohës. Kuptimplotë është veçanërisht një shënim informativ i korrikut 1821, i kapitenit të Gardës, Burcov, mbi zhvillimet e muajve maj – korrik 1821, në Trevat Rumune:

Pas gjithë këtyre dështimeve, princi Ipsilanti u detyrua të tërhiqej në manastirin Kozea… Komandantët e shqiptarëve mbetën: Jordaqe, Farmaqe, Prodan e të tjerë, në krye të forcave të tyre, u përhapën në malet e Trevës Rumune dhe e ndanë mendjen t’ua shesin shtrenjtë jetën turqve”. Shqiptarët i gjejmë edhe në radhët e trupave të komanduara nga luftëtari i mirënjohur Sava, në të gjitha operacionet, derisa u vranë, krahas tij dhe gjithë luftëtarëve të tjerë, në Bukuresht, më 7 gusht 1821[13].

Pra, luftëtarë shqiptarë ka pasur në të gjitha kampet, por ndihmesën më të shquar ata e kanë dhënë në lëvizjen e udhëhequr nga Tudor Vladimiresku.

Ndër pjesëmarrësit në kryengritjen e 1821-it, përmendim shkrimtarin e atdhetarin e famshëm shqiptar Naum Veqilharxhi-Bredhin, i cili pat luajtur rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare. Për praninë e Veqilharxhit në kryengritjen e Vladimireskut bën fjalë edhe kronikani grek Ilia Foteinos, në një punim të posaçëm që ka shkruar për këtë eveniment. Rilindasi i shquar e shihte pjesëmarrjen e vet në kryengritje si ndihmesë për çlirimin e popujve të Ballkanit nga zgjedha otomane[14].

Pò për Veqilharxhin, “lindur në komunën e Vithkuqit, në Shqipëri, në afërsi të qytetit të Voskopojës”[15], jepen të dhëna se ka ndenjur shumë vjet në qytetin rumun Brăila, ku, duke u marrë me tregti, ia doli mbanë të grumbullonte një pasuri tepër të madhe, me të cilën mendoi t’i futej punës për zgjimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve”[16]. Për këtë qëllim, ai hartoi një alfabet të posaçëm për gjuhën shqipe. Shqiptari tjetër i shquar, Vangjel Zhapa, nga Labova, sipas dokumenteve, e ndihmoi Veqilharxhin me të holla[17]. Sprovën e Veqilharxhit e njihte edhe Hahni. Në “Albanische Studien” (Studime Shqiptare), Jena, 1854, ai e citon me emrin Vuthakuleje, sipas komunës së vendlindjes, Vithkuqit. Po aty gjejmë edhe një shpjegim historik për alfabetin e mëparshëm të shqipes. Me këtë alfabet, Veqiharxhi përpiloi dy abetare, njërën më të lehtë dhe tjetrën disi më të vështirë, dhe u nis për t’i botuar në Konstandinopojë. Atje ia arriti qëllimit, por pas një viti u vra nga agjentë të kishës greke, të cilët nuk e shihnin me sy të mirë zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare të shqiptarëve përmes shkollimit në gjuhën amtare[18]. Rëndësi ka që abetaret e Veqilharxhit u shpërndanë në të gjitha trevat shqiptare. Është me interes të vemë në dukje se në Akademinë Rumune të Shkencave ruhet një letër e dërguar nga disa banorë të Korçës, më 22 prill 1845, me të cilën e falenderojnë Naum Veqilharxhin për abetaret dhe i kërkojnë ekzemplarë të tjerë të saj.

Theksojmë se, gjatë shumë viteve që ndenji në Rumani, sidomos falë tregtisë së suksesshme që zhvilloi atje, Veqilharxhi mundi të siguronte mjetet e nevojshme materiale dhe monetare për veprimtarinë e frytshme atdhetare e kulturore të mëvonshme.

Me vdekjen e tij u zbeh për dekada të tëra tek shqiptarët e Rumanisë ideja e zgjimit kombëtar përmes kultivimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe. Duhej pritur viti 1880, që një grusht shqiptarësh mendjendritur, me banim në Bukuresht, të inkurajuar nga hovi që kishin marrë asokohe shkollat arumune, të viheshin në lëvizje për ngjizjen e një rrethi, i cili do të merrej me çeljen e shkollave në gjuhën amtare për shqiptarët.

Edhe familja Gjika, e mirënjohur për ndihmesën e shquar në historinë e Rumanisë, siç dihet, është me prejardhje shqiptare. Ajo u ka dhënë Moldavisë dhe Trevave Rumune shumë vojvodë, duke filluar me George Vodën, i quajtur Gjikë Arnauti, tregtar, të cilit Vasile Lupu i dha titullin bojer, ndërsa Porta e Lartë e emëroi sundimtar në Moldavi më 1658, e deri tek Grigor Aleksandër Gjika, sundimtar i Moldavisë në periudhën maj 1849-tetor 1853 dhe tetor 1854-qershor 1856. Por kjo familje pat rënë në sy për mirë qysh në shekullin XVII, kur u identifikua me interesat e shqetësimet e atëkohëshme të Viseve Rumune. Shembulli më kuptimplotë në këtë drejtim është protesta që Grigor Gjika III i dërgoi më 1775 Portës së Lartë, kur zyrtarët kryesorë otomanë i dhanë Austrisë Moldavinë Veriore, pra Bukovinën. Kjo protestë u bë shkak për vrasjen e tij në qytetin rumun Jash më 1777.

Po ashtu, vojvodët e familjes Gjika, në shekullin XVIII, ndihmuan zhvillimin e arsimit në Moldavi. Nga gjiri i familjes Gjika ka dalë edhe Elena Gjika, e njohur sidomos me pseudonimin e saj letrar Dora d’Istria, fëmija e pestë e panit Mihallaq Gjika dhe e Katinka Gjikës. Elena u lind në Bukuresht më 22 janar 1828. I ati kishte vëllezër sundimtarët Grigor Dhimitër Gjika dhe Aleksandër Gjika, të dy pasardhës të George Vodës, i thirrur edhe Gjikë Arnauti, sundimtar i Moldavisë më 1658. Pra, njëri prej paraardhësve të Elena Gjikës i përkiste një familjeje, e cila, prej 160 vjetësh, ishte e lidhur ngushtë me historinë dhe problemet e Viseve Rumune.

Për disa dhjetëvjetsha rresht, asnjë femër tjetër, përveç Zhorzh Sandit, nuk ka gëzuar popullaritet aq të madh në botën intelektuale evropiane sa Dora d’Istria.

Është vërtet e habitshme se sa shumë dije u grumbulluan në mendjen e kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe me sa lehtësi mundte t’i nxirrte në front saherë duhej zhvilluar ndonjë betejë. Sepse ajo ka qenë një predikuese me kredo prej luftëtari. Liberalizmi antiklerikal pat gjetur tek ajo një mbrojtëse të palodhur. Po ashtu edhe e drejta e kombeve për të jetuar” është shprehur për të historiani erudit dhe politikani Nikolae Iorga, në parathënien e punimit “Dora d’Istria” të Magda Nikolaesku Ioan.

Dora d’Istria ka shkruar në gjuhën frënge studime letrare, social-politike, filologjike, etnografike, shënime udhëtimi etj, duke trajtuar çështje dhe evenimente nga vende të ndryshme. Ndër to, shumica lidhen me Shqipërinë, kauzën e së cilës e bëri të njohur në shtetet evropiane: “La nationalité albanaise d’apres les chants populaires” (Paris, 1866); “Fyletia e arbanare prej kohëve të lashta” (Në “Revue des deux mondes”, 15 maj 1866); “Les écrivains albanais de l’Italie méridionale” (Athinë, 1867); “La nazionalità albanese secondo i canti popolari” (Kozencë, 1867); “Gli albanesi musulmani” (Firence, vëll. I, 1868; vëll. II dhe III, 1870); “Affaires de l’Albanie” (Athinë, 1872); “Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX dai documenti inediti degli archivi di Venezia, Vienna, Parigi, Berlino, Constantinopoli ecc” (Firence, 1875).

Dora d’Istria ka shfaqur ndjenja dashamirësie edhe ndaj Rumanisë. Për të konkretizuar çka sapo thamë, po riprodhojmë fragmente të shkëputura nga veprat e saj: “Prindërit tanë do të kishin tepër të lumtur po qe se do t’u ish dashur të luftonin vetëm kundër tartarëve dhe turqve. Flamuri i Trajanit nuk do të qe poshtëruar para Gjysmëhënës. Nuk qenë bijtë e Muhametit ata që i lyen duart me gjakun e Mihal Trimit, por ushtarët e Perandorisë Apostolike! Nën Konstandin Brankoveanun, perandorakët, zotër të vendit, na u bënë më armiq se sa vetë myslimanët, për shkak të plaçkitjeve e dhunës që ushtruan” (Në “Gli eroi della Rumenia”, 1856, paragraf i riprodhuar sipas Nikolaesku Magda Ioan, Dora d’Istria, Bukuresht, f. 44, me parathënie të Nikolae Iorgës).

Më dukej se në pëshpëritjet e ëmbla, të përsëritura nga jehonat e maleve, dëgjoja emrat e Radut, Mirçeas, Jankut, Aleksandrit të Mirë, heronj të harruar të një epoke të madhërishme, luftëtarë guximtarë të një lufte titanike…”[19].

Shkëmbi më shterp është parajsë për atë që i ka qenë djep… Po kur vendlindja jonë na shfaqet në ëndrrat tona e zbukuruar me të gjitha shkëlqimet? Rumania është kaq e kamur dhe e bukur, saqë fëmijët e saj nuk mund të mendojnë për të përveçse me ngrohtësi të thellë[20].

Liria, lumturia e vendit tim – ja shqetësimet që do të mbushin këtej e tutje krejt jetën time. E larguar nga fati, nga fëminia ime, nga brigjet e dashura të Dambovicës sime, nuk kam rreshtur asnjëherë së qëni pjesë e vendlindjes, fatet e së cilës kanë përbërë objektin e përsiatjeve të mia të përhershme” (Nga dedikimi i Dora d’Istrias, titulluar “Vëllezërve të mi rumunë”, në veprën e saj “La Suisse allemande”, Gjenevë, 1854. Ky paragraf është riprodhuar sipas A. Vaskuleskut, “Dora d’Istria”, Bukuresht, 1941, f. 14).

Ndër veprat e tjera të Dora d’Istrias, vlen të përmendim me përparësi: “La vie monastique dans l’Eglise orientale”, Bruksel, 1855; “Les roumains et la papauté”, Athinë, 1856; “Osservazioni sull’organizzazione dei Principati Danubiani”, Torino, 1856; “Un principe straniero nella Moldo-Valachia”, 1856; “La propaganda austro-rumena nei Principati Danubiani”, 1856; “La Roumanie et L’Eglise orthodoxe”, Bruksel, 1857; “La nationalié roumaine d’après ses chants populaires”, 1859; “Un été au bord du Danube”, 1861.

Si përfundim, Dora d’Istria, “albanese d’originne, romena di nascita” (shqiptare nga prejardhja, e lindur rumune), sikurse shkruhet mbi pllakën përkujtimore të Varrezave të Trespianos (Firence), ku ruhet hiri i saj, ka qenë shkrimtare e gjuhës frënge, e njohur dhe e çmuar lart prej bashkëkohësve në Evropë e më tej. Mbi të gjitha, me anë të artikujve, studimeve dhe veprës së saj madhore në tërësi, Dora d’Istria ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në paraqitjen e mbrojtjen e Çështjes Shqiptare para opinionit ndërkombëtar.

Pjesëmarrja dhe ndihmesa e shqiptarëve në mjaft ngjarje historike në Trevat Rumune, duke nisur me gjysmën e dytë të shekullit XVI, është një realitet entuziast e frymëzues për mirëkuptimin midis popujve. Në këtë kontekst, natyrisht, ka vendin e vet aspekti komplementar dhe pikërisht ajo që theksuam: mbështetja e fuqishme që patën në Rumani, në shekujt XIX – XX, luftëtarët për pavarësinë dhe mbrothtësinë e Shqipërisë. Nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, kanë zhvilluar veprimtari shumë shoqëri shqiptare, si “Shpresa” e “Bashkimi”. Prania e tyre në territorin e Rumanisë dhe përkrahja e dhënë prej kësaj, kanë qenë elemente pozitive në përgatitjen e përlindjes e të zgjimit të ndërgjegjjes sonë kombëtare.

E quajmë të udhës të japim në vazhdim disa fragmente nga vlerësimet e bëra nga disa personalitete politike dhe organe shtypi të Shqipërisë, të periudhës ndërmjet dy luftrave botërore, dhe që i bëjnë jehonë përkrahjes së Rumanisë për çështjen kombëtare shqiptare. “Nuk mund të mohojmë që, gjatë historisë, kombi ynë ka gjetur kurdoherë strehim në të bukurën Rumani dhe për këtë ne duhet t’i jemi mirënjohës… Si ne, ashtu edhe historia vetë, nuk mund të mohojë që Rumania, si vendi i parë i çliruar nga zgjedha e huaj, i çeli dyert e shtëpisë së saj për të shtypurit e tjerë dhe shtëpia e saj u bë një çerdhe për çlirimin e të gjithë vëllezërve të tjerë më të vegjël ballkanikë[21].

Asnjë shqiptar nuk mund të harrojë se në territorin e Rumanisë është organizuar dhe është shpallur Pavarësia e Shqipërisë” (Xhaferr Ypi, ish – anëtar i Regjencës, ministër e deputet, Deklaratë në Parlament, më 25 nëntor 1930[22]. “Nuk do të harrojmë asnjëherë se, në kohët kur nacionalistët shqiptarë përndiqeshin anekënd nga armiqve të kombit tonë, vetëm në Bukuresht ata kanë gjetur mbështetje, nga ku filluan të përhapnin idenë kombëtare[23].

Kombet shqiptar e rumun, të vendosur gjeografikisht në njërën e në tjetrën anë të Gadishullit Ballkanik, kanë histori të përbashkët. Këtu e gjysmë shekulli më parë, kur nacionalistët tanë ishin të përndjekur në Shqipërinë e robëruar, Rumania ka qenë i pari shtet ballkanik, ku refugjatët shqiptarë gjetën strehim e përkrahje… Pavarësia e Shqipërisë, e cila u kundërshtua me të gjitha mënyrat nga disa shtete ballkanike, u prit në Rumani me entuziazëm dhe pa ndonjë prapamendim[24]. “Shqipëria ushqen për Rumaninë ndjenja të mirënjohjes së thellë për ndihmën që i ka dhënë në konstituimin e saj dhe për simpatinë që i ka treguar me këtë rast dhe që atëhere e këtej[25].

Pas Kongresit të Paqes të Berlinit (1878), që nuk pranoi të merrte parasysh kërkesat për autonomi të territoreve shqiptare, siç dihet, u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me atributet e një qeverie kombëtare. Shqiptarët e Rumanisë krijuan shoqëri kulturore me pikësynime të qarta për të mbështetur Lëvizjen e Çlirimit Kombëtar Shqiptar, e cila ka hyrë në histori me emrin Rilindja Kombëtare Shqiptare.

Në këtë periudhë numuri i shqiptarëve të Rumanisë u ngjit në shifrën 30.000, që u ngulitën kryesisht në qytetet Bukuresht, Braila, Konstancë, Plojesht, Krajovë, Kalarash, Jash, Fokshan, për të punuar si tregtarë, mjeshtra artizanë, por edhe mjekë, avokatë, arkitektë, ndërtues etj.

Ndër shoqëritë kulturore të shqiptarëve të Rumanisë përmendim “Shoqërinë e të Shkruarit Shkronja Shqip”, themeluar më 1881, si degë e asaj të Stambollit; shoqëria “Drita”, më 1884, me degë në shumë qytete, nën kujdesin e së cilës ushtroi veprimtarinë e saj një shkollë normale për përgatitjen e mësuesve që dërgoheshin më pas në shkollat me mësimdhënie në gjuhën shqipe, që po hapeshin në Shqipëri; një institut shqiptaro-rumun; u botuan mjaft gazeta e revista, ndër të cilat “Drita” në Braila, më 1887 dhe “Shqiptari”, në Bukuresht, më 1888, në shqip e rumanisht, që shpërndaheshin në krejt mërgatën shqiptare. Rol të rëndësishëm në shtypjen e librave shkollore, të historisë e të letërsisë, do të luante Shoqëria “Dituria”, e themeluar më 1887, sidhe të tjera, që do të shkriheshin në një të vetme, më 1906, nën emrin “Bashkimi”. Më 1905, në Konstancë kishte çelur dyert një shkollë shqipe nën drejtimin e mjekut atdhetar Ibrahim Temo, e cila jepte mësim ditën e në mbrëmje, sidomos për shqiptarët që kishin ardhur rishtaz në Rumani. Ndër mësuesit e kësaj shkolle, ishte edhe poeti Asdreni (Aleks Stavre Drenova), i cili do të bëhej sekretar i Kolonisë Shqiptare.

Në periudhën 1856-1878 dhe në atë midis dy luftrave botërore, një bashkësi shqiptare jetonte edhe në rrethin Ismail, në Jug të Basarabisë, apo Moldavisë së sotme. Kur u bë regjistrimi i popullsisë, në vitin 1930, atje u deklaruan shqiptarë 1.776 vetë, çka përbënte 0,8 % të popullsisë së atij rrethi. Shqiptarë banonin edhe në Bolgrad, në lokalitetin Karakurt (sot: Žovteneve, Ukrainë), pikërisht 1.754 shqiptarë, ose 62,4 % e krejt popullsisë së atjeshme.

Bashkësia shqiptare u rrit numerikisht dhe pati një status të rëndësishëm në rrafsh social e kulturor në epokën fanariote, kur shumë shqiptarë filluan të merreshin me tregti.

Pas Luftës së Parë Botërore, në Rumani erdhi një valë e re shqiptarësh, sidomos nga Maqedonia, për shkaqe ekonomike, për të punuar në qytetet e Transilvanisë: Oradea, Kluzh, Mediash, Sibiu, Sigetul Marmaciei, Baia Mare, Targu-Muresh, si bozazhinj, punëtorë të thjeshtë, pastiçerë etj. Shumë të tjerë erdhën nga Shqipëria për studime në shkollat e larta rumune. Jeta e bashkësisë shqiptare u gjallërua së tepërmi, sidomos në Bukuresht e Konstancë, nën kujdesin e Shoqërisë „Bashkimi”, por edhe e simotrave të saj, të krijuara kryesisht mbi kritere gjeografike.

Ndër botimet e kësaj periudhe bie në sy veçmas gazeta „Shqipëria e Re”, që doli pandërprerje në vitet 1919-1935.

Le të bëjmë një prapakthim në kohë. Gjatë dy dhjetëvjetshave të fundit të shekullit XIX, shqiptarët e Rumanisë zhvilluan një veprimtari të dendur në të mirë të Rilindjes Kulturore të popullit shqiptar. Pas botimit të një sërë studimesh nga dijetarët arbëreshë, rumunë, gjermanë, austriakë, italianë etj[26], kujtojmë se Nikolae Iorga pat zbuluar gjurmën më të hershme të gjuhës shqipe, në një formulë pagëzimi të vitit 1462[27]. Të nxitur nga sprovat e para të dijetarit të shquar shqiptar Kostandin Kristoforidhi, i cili qysh më 1868 pat nisur të botonte në Stamboll pjesë nga Bibla, të përkthyera në gjuhën shqipe, mjaft të rinj shqiptarë në Rumani, me Sotir Pandelin në ballë, zunë të punonin për një alfabet me gërma latine, të cilat u shkonin për shtat tingujve të shqipes. Me këtë alfabet ata synonin të nxirrnin në dritë librat e para në gjuhën amtare.

Veprimtarinë e tyre e vazhdoi Nikolla Naço, njeri me më pak shkollë, por me më shumë energji, iniciativë dhe shpirt luftarak[28]. I lindur në Shqipëri dhe shqiptar brez pas brezi, me prejardhje nga Pogradeci, N. Naço, pasi e provoi fatin në tregti, ashtu si Veqilharxhi para tij, fillimisht në Egjipt, ku u pasurua mjaft me shitblerjen e pambukut, në pragvitin 1884 u vendos në Rumani, ku njëri nga të dy vëllezërit, Gjergji Naço, njihej tashmë si pasanik i madh.

Njëlloj si Veqilharxhi, Naço mendoi si ta vinte në punë pasurinë e fituar me mund e djersë për t’i parë sa më shpejt bashkëkombësit e vet të lirë e të shkolluar. Më 1884[29], ai themeloi të parën Shoqëri Kulturore Shqiptare “Drita”, me seli në Bukuresht[30].

Ngaqë në atë kohë shqiptarët më në zë të Rumanisë, që mbanin lidhje me të afërmit e tyre në Shqipërinë e pushtuar nga otomanët, nuk mund të zhvillonin politikë nacionaliste duke u regjistruar në ndonjë shoqëri që shihej me sy të keq nga qarqet drejtuese të Stambollit, komiteti i parë i Shoqërisë “Drita” ishte i përbërë thuajse tërësisht nga rumunë. Kështu, kryetari i kësaj shoqërie ka qenë V. A. Ureke, nënkryetar D. Butkulesku, ndërsa sekretarë dr. Leonte dhe M. Deshliu. Edhe shumica e anëtarëve të komitetit ishin rumunë.

Vetëm më 1889, me propozim të Nikolla Naços, fillimisht sulltan Abdyl Hamiti u shpall “Mbrojtës i Lartë” i Shoqërisë, ndërsa ish-kryetari dhe ish-nënkryetari i saj u zgjodhën anëtarë nderi. Tani që Shoqëria kalonte nën kujdesin e “Mbrojtësit të Lartë”, kryetar dhe nënkryetar të saj mund të zgjidheshin shqiptarë. Kësisoj, shqiptari V. Batan u zgjodh kryetar, ndërsa shqiptari tjetër, Nikolla Naço – nënkryetar. Tani edhe shumica e anëtarëve të komitetit ishin shqiptarë.

Më 1887, “Drita” mundi të krijonte degë në qytetet Braila, Fokshan, Kalarash e Marashesht, duke zhvilluar një veprimtari të fuqishme për botimin e librave shkollorë dhe të fletëve të përjavshme në gjuhën shqipe. Alfabeti që do të përdorej në këto botime, sipas pikës 4 të statutit të “Dritës”, do të ishte latin dhe pikërisht ai që përdorte fleta periodike “Dituria” në Stamboll.

Në Bukuresht filluan të dilnin shumë punime në gjuhën shqipe, ndër të cilat përmendim epopenë kombëtare “Historia e Skënderbeut”, më 1898 (Lidhur me Skënderbeun, saktësojmë se para dy shekujsh e gjysëm, një punim italian për të është përkthyer në rumanisht në burgun e Milanos nga personaliteti rumun Vlad Boculesku[31]. “Historia e Skënderbeut”, sikurse dihet, përfaqëson kurorëzimin e veprës poetike të Naim Frashërit, testamentin letrar, që do t’u linte shqiptarëve të kudondodhur. Poemin e përshkon si një fill i kuq thirrja e zjarrtë për çlirimin e Shqipërisë[32]. Poet, historian, moralist, pedagog, autor tekstesh shkollore dhe, para së gjithash, atdhetar, Naim Frashëri është këqyrur nga qarqet intelektuale përparimtare rumune si një nga figurat më të ndritshme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Naim Frashëri, gjatë veprimtarisë së vet të gjithanshme, ka gjetur përkrahje të fuqishme edhe në Rumani, ku botoi librat e para. Më 1886, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit i botoi poemën e njohur lirike “Bagëti e Bujqësi”, që i ngjan një himni poetik kushtuar njerëzve dhe natyrës shqiptare. Pò më 1886, në kryeqytetin rumun sheh dritën e botimit vepra e tij “Histori e përgjithshme”, që do të pasohet, më 1888, nga libri tjetër “Dituritë”.

Me këto vepra, Naimi i madh u erdhi në ndihmë shkollave të para shqipe, duke u bërë edhe një nga përhapësit e parë të dijeve shkencore ndër bashkatdhetarët e bashkëkombësit. Ndër veprat e tjera të poetit tonë kombëtar, që panë, gjithashtu, dritën më herët a më vonë, në Rumani, përmendim “Lulet e verësë” (1890), “Parajsa apo fjala” (1894), “Fjalë të urta” (1894), “Qerbelaja” (1898) dhe, më në fund, – jo për nga rëndësia, – “Historia e Skënderbeut”, që e zumë në gojë më lart.

Ndër shkrimtarët e tjerë shqiptarë, që kanë vepruar në atë periudhë në trevat rumune, janë Jani Vreto, I. R. Terova, PapaK Negovani, Mihal Grameno e të tjerë.

Më 1887 filloi të dalë në qytetin rumun Braila gazeta “Drita”, ndërsa një vit më vonë, në Bukuresht botohet e përjavshmja dygjuhëshe (shqip e rumanisht) “Shqiptari” (“Albanezul”).

Në Bukuresht, më 1891 botohet i famshmi “Apel à nos frères albanais[33].

Më 1897 sheh dritën e botimit një gazetë e re – “Shqipëria”, e drejtuar nga Visar Dodani, ndërsa një vit më vonë organi tjetër – “Ylli i Shqipërisë”, këtë herë në tri gjuhë: shqip, greqisht e frëngjisht.

Vlen të vihet në dukje se “Shqiptari”, me disa ndërprerje, vazhdoi të botohej deri më 1903.

Rumania, që u jepte strehim politik revolucionarëve shqiptarë, shkollë, kishë[34], mjete materiale e financiare për vazhdimin e luftës çlirimtare në Shqipëri, ka qënë për shqiptarët e asaj periudhe një atdhe i dytë.

Ja se çfarë shkruante Nikolla Naço, i cili më pas do të bëhej këshilltar i Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut, në gazetën “Shqiptari”, numur 16, viti 1888: “Në një kohë që bijtë e Shqipërisë heqin të zitë e ullirit, burra fisnikë, njerëz të mëdhenj të Rumanisë, me një dashuri të vërtetë vllazërore, na rrokin përqafe me ngrohtësi, na japin strehë për shpëtim, na japin zemër në ndërmarrjen tonë, duke na dhuruar, në të njëjtën kohë, edhe të holla, që të mund ta çojmë më tej veprën e filluar” (Në origjinal: “Kur të bijt e Skiparisë langojnëna kata zjar burat, ta ndreçim neras ta mbadhen ta Rumanisë me na ta vertet dasuri vallazariste na perqiafojna, na apan spirt na panan qa kemi zana, na falin holta ta mundim ta mbarojma tamina qa kemi nisur”).

Pothuajse në të gjithë artikujt e Nikolla Naços përsëritet konstatimi se “shqiptaro-rumunët janë si dy vëllezër në një kërcell”, ndërsa lidhur me të drejtat që u takojnë në Gadishullin Ballkanik, i njëjti autor theksonte: “Ne shqiptaro-rumunët kemi të drejtë të themi fjalën tonë përsa u përket Maqedonisë, Shqipërisë dhe Epirit… sepse jeta e elementit shqiptaro-rumun është jeta e Perandorisë Otomane”.

Qeveria rumune, që e shihte me simpati të veçantë dhe me shumë tolerancë veprimtarinë e shoqërive shqiptare, pavarësisht nga ankesat e protestat e Portës së Lartë, u dha zyrtarisht disa të drejta atdhetarëve shqiptarë që vepronin në Rumani. Kështu, përmes Diplomës Mbretërore numur 1815, të 9 shkurtit1901, Nikolla Naços i njiheshin “ … të drejtat civile dhe politike të nënshtetasit rumun”. Diplomati austriak Markgraf Pallaviçini, më 4 korrik 1903, i raportonte ministrit të vet të Jashtëm për një bisedë që pat zhvilluar në Këshillin e Legatës në Bukuresht baroni Flotov dhe mbreti Karol I i Rumanisë, lidhur me daljen atje të disa numurave të rinj të gazetës “Shqiptari”: “Madhëria e Tij, mbreti Karol I, është shprehur se e njeh prej 27 vjetësh Nikolla Naçon për burrë të ndershëm e gjakftohtë. Qeveria osmane shpeshherë ka kërkuar dëbimin e tij nga Rumania, por këtu nuk shkohet sipas tekave të sulltanit”. Në vazhdim të raportit, theksohet se Qazim Beu, përfaqësuesi i Portës së Lartë, ka bërë shumë përpjekje pranë ministrit të Jashtëm rumun që të pengojë daljen e gazetës “Shqiptari”. Më tej përsëritet bindja e Karolit I për virtytet, krenarinë, besnikërinë dhe çiltërsinë e shqiptarëve të Bukureshtit dhe dëshira e tij për t’i mbajtur e mbrojtur, “meqë këta njerëz kurrë nuk kanë ditur të gabojnë, apo t’i kapërcejnë kufijtë e lejuar”.

Atdhetarët shqiptarë të asaj kohe i quanin arumunët me të drejta të barabarta në Gadishullin e Ballkanit: “Ne nuk bëjmë asnjë dallim ndërmjet kombeve vëllezër shqiptar e maqedorumun dhe luftojmë njëlloj, si për interesin e njërit, ashtu edhe të tjetrit[35] .

Në shtator 1902, qeveria otomane kërkonte prej Legatës Rumune në Stamboll që t’i dorëzonte qeverisë rumune këtë komunikatë: “Komitetet shqiptare që veprojnë në Rumani dhe që sulmojnë politikën e sulltanit, të ndalohen, ndërsa ata që nuk janë nënshtetas rumunë të dëbohen sa më parë[36]. Sulltani, vinte në dukje komunikata, e kërkonte një gjë të tillë duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira që ekzistonin midis Rumanisë e Turqisë. Pas dy muajsh heshtjeje, autoritetet otomane e përsëritën kërkesën më me forcë, duke këmbëngulur të zhbëheshin komitetet shqiptare, por qeveria rumune të ndërmerrte asnjë hap apo masë kundër tyre.

Mirënjohja e shqiptarëve ndaj qeverisë rumune u shpreh sidomos në Kongresin e Shqiptarëve, që u mbajt në Bukuresht më 1905. I organizuar me nismën e princit Albert Gjika dhe të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve dhe përfaqësuesve të shquar të kolonive të tjera shqiptare në mërgim, si dhe nga Shqipëria, kongresi vendosi krijimin e një Komiteti Qendror me emrin “Kombi”, që do të udhëhiqte lëvizjen çlirimtare shqiptare. Shtypi rumun e shqiptar u bënë jehonë të fuqishme vendimeve të kongresit, duke theksuar faktin që punimet e tij u zhvilluan në qetësi e me sukses të plotë, falë qëndrimit, si gjithnjë dashamirës, të shtetit rumun. Albert Gjika do të deklaronte në Sofje se gjithçka ishte gati për një kryengritje në Shqipëri, me 50 mijë luftëtarë. As të hollat nuk do të mungonin. Më 28 qershor 1905, ai deklaroi të njëjtën gjë edhe për gazetën “Adevarul” (E Vërteta) të Bukureshtit.

Me rëndësi është edhe dëshmia e konsullit rumun në Janinë, i cili, në një raport të gushtit 1908, përmend se në atë qytet kanë vajtur vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli së bashku me çetën e tyre. Këta, para se të niseshin në drejtim të Gjirokastrës, parakaluan para konsullatës rumune me flamuj të shpalosur, duke shtënë me pushkë dhe duke brohoritur: “Rroftë Rumania që ka përkrahur me devotshmëri çështjen shqiptare!”

Një dokument që mban datën 5 nëntor 1912 bën fjalë për mbledhjen historike të shqiptarëve të Bukureshtit, nën kryesinë e Ismail Qemalit, i cili më pas do të shpallte në Vlorë Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Ismail Qemali, sikurse njoftonte gazeta “Universul” (Gjithësia), e datës 22.10.1912, kishte mbërritur në Bukuresht një ditë më parë.

Në mbledhjen e sapopërmendur, të drejtuar nga Ismail Qemali, morën pjesë Luigj Gurakuqi dhe figura të tjera të njohura, si: Aleksandër Stavre Drenova (Asdren), Akile Eftimiu, Dhimitër Berati etj. Sipas dokumentit përkatës, del qartë fakti se Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i Qeverisë së Parë Kombëtare Shqiptare janë vendosur në Bukuresht. Më poshtë po japim të plotë proces-verbalin e mbledhjes së Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, mbajtur nën kryesinë e Ismail Qemalit, ku u vendos për masat që do të merreshin për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë:

“5 nëntor 1912 (18 nëntor me kalendarin e ri, sh.y.)

Duke pasur parasysh rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot gjendja e Shqipërisë dhe duke marrë shkas nga ardhja e z. Ismail Beut në Bukuresht, të nënshkruarit pjesëtarë të Kolonisë Shqiptare të këtushme, u mblodhën sonte nën kryesinë e z. së tij të vështrojnë e të përkujtojnë se me ç’mënyrë e me ç’masa mund t’i bëjnë ballë gjendjes së sotme e të përpiqen që të mos shkelen të drejtat e kombit e të Atdheut tonë.

Pasi të gjithë të mbledhurit e përgëzuan dhe iu falën nderit z. Ismail Qemal Beut që deshi të mbetej për ca ditë në mes tyre e t’u jepte këshillat e tij të vlefshme, ai u foli për gjendjen e Shqipërisë dhe masat që duhet të marrin shqiptarët për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ndër të tjera, u kujtoi edhe se lufta që duhej të bënin kishte si shkak të sipërfaqshëm lirinë e të krishterëve të Turqisë, prandaj mund të dilte një rrezik për kombin shqiptar. Lipsej, pra, që shqiptarët, të cilëve nuk u kishte sjellë kurrë ndonjë pengim a kundërshtim ndryshimi i besës, të lidheshin edhe më tepër me njëri-tjetrin, të luftonin e ta mbronin veten si shqiptarë e për shpëtimin, njohjen e forcimin e kombësisë së tyre.

Me këtë të vërtetë të njohur e të praktikuar nga të gjithë shqiptarët, u bashkuan tërë të mbledhurit: ata theksuan se themeli e qëllimi i lëvizjes së tyre kishte qënë e do të mbetej thjesht kombëtar.

E morën pastaj fjalën zotërinjtë Kristo Meksi, Akile Eftimiu, Athanas Kantili, Dhimitri Zografi, Luigj Gurakuqi e të tjerë. Të gjithë, si për vete e në emër të shokëve të tyre, thanë se kishin shpresë e besim të plotë në udhën që u tregoi z. Ismail Qemal Beu e do të bënin sa të ishte e mundur për t’u përpjekur me gjithë shpirt e me të gjitha mënyrat për shpëtimin e Atdheut. Bashkë me të tjerët u bashkua edhe zoti Anastas Miho, i cili në fillim u tregua i dëshpëruar nga mungesa e një organizimi të mirë në Shqipëri. Zotërinjtë Dhimitër Berati e Milto Sotir shprehën dëshirën të venë në Shqipëri e të punojnë bashkë me ata që do të përpiqen për këto qëllime.

Vendimet që u morën, ishin:

1) Duke qënë se qeveria otomane ndodhet në pamundësi të mbajë administrimin e vendit, duhet që shqiptarët të përmbledhin fuqitë e veta e të themelojnë një komitet drejtues, i cili të marrë në dorë qeverimin e vendit e të përpiqet që kombi shqiptar të mos dalë i mundur e të mos mbetet në çdo pikëpamje prapa kombeve të tjerë.

2) Të zgjidhet një komision prej shqiptarësh të ditur e të njohur, që të dalin në Evropë, kur të jetë nevoja, për të mbrojtur në faqe të botës së qytetëruar e të qeverive të mëdha, të drejtat kombëtare e vendore të popullit shqiptar.

3) Shqiptarët e Bukureshtit, që kurdoherë kanë qënë të parët në luftën kombëtare, të zgjedhin një komitet prej disa vetësh, të cilët të jenë në lidhje me komitetin e brendshëm e me qendrat e tjera të shqiptarëve të jashtëm dhe të bëjnë atë që mundet për të ndihur e për të mbrojtur Atdheun në ditën e sotshme”.

Proces-verbalin e kësaj mbledhjeje historike e ka mbajtur poeti dhe publicisti shqiptar Asdren, njëri ndër pjesëmarrësit më aktivë të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit.

Në ato momente kritike, Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, të dy të ardhur nga Stambolli në ditët e para të nëntorit 1912, në prani të pjesëtarëve të tjerë të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, u konsultuan dhe, pas rrahjes së mendimeve të lira, vendosën të hidhej hapi i parë drejt Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Ata u shprehën se në këtë koloni kishin gjetur gjithë ndihmën dhe mikpritjen dhe se ajo qe e vetmja që pati një organizim dhe një shpirt të pastër kombëtar për këto ëndrra në këtë kohë kur rreziku më i madh i kanoset Atdheut nga të katër anët…”[37]. Po aty gjendet edhe një procesverbal tjetër, i 6 (19) nëntorit 1912, në të cilin lexojmë. “ … Vendimet e marra nga mbledhja që është mbajtur dje në mbrëmje, janë: Kolonia Shqiptare e Bukureshtit, e cila ka punuar një kohë të gjatë mbi terrenin e çështjes kombëtare shqiptare, të zgjedhë një këshillë prej disa personave, të cilët do të jenë në lidhje me këshillin nga Shqipëria e me shoqëritë e tjera të mërgimit, si dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i mbrojtur interesat e popullit shqiptar në momentet aktuale. Pas fjalimeve që janë mbajtur nën kryesinë e z. Ismail Qemal Beut, në bazë të votave, janë zgjedhur personat e mëposhtëshënuar: P. Evangjeli, Ilia Kosturi, Thanas Kantili, Vasil Zografi, Kristo Meksi, Dhimitër Emanoili, Akile Eftimiu, Asdreni, Dhimitër Ilo. Mbledhja njëzëri ka shpallur si kryetar nderi z. Ismail Qemal Beun dhe si anëtar nderi z. Luigj Gurakuqin”. Vlen të vemë në dukje se “Kënga e flamurit”, shkruar nga Asdreni, u vesh me muzikën e këngës atdhetare rumune “Në flamurin tonë është shkruar bashkim” të kompozitorit rumun Çiprian Porumbesku, interpretuar për të parën herë në Bukuresht, në vitin 1907, u adoptua nga shqiptarët më 1912, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, si Himn Kombëtar. Për një kontribut të atdhetarëve shqiptarë të Rumanisë në Shpalljen e Pavarësisë e mandej në luftën për konsolidimin e saj, ndikim të veçantë pati krijimi i Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, si institucion i mirëfilltë, më 1915. Komiteti Ekzekutiv i saj, i zgjedhur në një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit përgatitor, më 15 shkurt 1915, përbëhej prej: Pandeli Evangjelit (kryetar), Vasil Zografit (nënkryetar), Aleks Stavre Drenovës e Dhimitër Beratit (sekretarë), Rafail Anastasit (arkëtar). Anëtarë ishin: Ilo Kosturi, Mark Qiriazi e Thanas Kantili. Të gjithë të mësipërmit e treguan veten përkrahës të zellshëm të qeverisë kombëtare shqiptare, që doli fill pas Shpalljes së Pavarësisë, duke dërguar në atdhe arka të shumta me rregullore dhe akte të ndryshme të administratës rumune, të cilat qeverisë shqiptare do t’i shërbenin për organizimin e ri administrativ të Shqipërisë së pavarur. Në gazetën “Flamuri i Shqipërisë”, që filloi të botohej në Konstancë më 1915, atdhetari Dhimitër Berati, në artikullin “Rumunët dhe shqiptarët” (numuri 6, datë 13 janar 1916), ndër të tjera, vinte në dukje: “ … në Rumani shqiptarët kanë themeluar shoqëritë e para të propagandës kombëtare; në Rumani janë shtypur librat e para për përhapjen e gjuhës shqipe; në Rumani erdhi tre vjet më parë plaku luftëtar Ismail Qemali për t’u këshilluar dhe për të vendosur me shqiptarët e Bukureshtit Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në kohën e Konferencës në Londër, ku vendosej fati i Shqipërisë, ministri i Jashtëm i atëhershëm, zoti Titu Maioresku, i shkruante zotit Take Jonesku, që ndodhej në Londër, të përkrahte krijimin e një shteti shqiptar me kufij sa më të shtrirë”.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, popujt shqiptar e rumun nuk patën kontakte të drejtpërdrejta, por fill pas përfundimit të saj hasim në materiale të panumurta që tregojnë se në gji të shqiptarëve të Rumanisë vlonin përpjekjet që Konferenca e Paqes në Paris të bënte të mundur që të drejtat e Shqipërisë të njiheshin e të pranoheshin nga Fuqitë e Mëdha. Vlen të veçojmë në këtë kuadër kërkesa drejtuar dijetarit të shquar dhe politikanit rumun, Nikolae Iorga, që të shkruante një libër për Shqipërinë.

Komiteti Kombëtar Shqiptar i Gjenevës, më 29 dhjetor 1918, i dërgoi kryeministrit rumun, Take Joneskut, një letër me të cilën i kërkonte përkrahje nga qeveria rumune për çështjen kombëtare shqiptar. Në të, ndër të tjera, thuhej: “Shqiptarët mirënjohës ruajnë kujtimin e pashtershëm të simpatisë për popullin rumun në momentet më kritike të historisë së tyre. Vetëm qeveria rumune e ka përkrahur luftën tonë kundër turqve, për emancipimin dhe për zhvillimin tonë kombëtar”. Pas rreshtimit të disa fakteve konkrete të ndihmës së rëndësishme rumune, theksohet: “Sot, kur pasi ka kaluar nëpër çastet e vështira, Rumania po i realizon aspiratat e veta kombëtare, ne, shqiptarët, vijmë të gëzuar për ta përshëndetur personalisht Shkëlqesinë Tuaj, pionierin e palodhshëm të asaj Rumanie të Madhe, duke ju shprehur urimet më të çiltra dhe admirimin tonë të thellë. Me këtë rast, Komiteti ju lutet të keni mirësinë që ta mbroni përballë Fuqive të Mëdha çështjen e drejtë të Shqipërisë, jo vetëm atë të krijuar në Londër më 1913…, por një Shqipëri të rikrijuar, brenda kufijve etnikë, sipas parimit të vendosur nga Presidenti Uilson dhe nga ajo që del prej dokumenteve të parashtruara nga delegatët shqiptarë… Duke shpresuar, Shkëlqesi, se do ta ngrini zërin tuaj aq të nderuar në favor të çështjes së drejtë të shqiptarëve në Konferencën e Paqes, Komiteti ju lutet që më parë t’i pranoni falenderimet dhe konsideratën e vet të lartë”. Pasojnë nënshkrimet e dr. G. Adhamidhit (ish-ministër) dhe sekretarit, Visar Dodanit.

Kur në pushtet erdhi qeveria e Fan S. Nolit, një dokument i kohës na bën me dije se “bashkëkombësit tanë nga Rumania këtë lajm e kanë marrë me entusiazëm të madh, aq më tepër që udhëheqësit e sotëm përfaqësojnë garanci të pakundërshtueshme morale dhe intelektuale[38]. Në të vërtetë, në radhët e shqiptarëve me banim në Rumani vërehet një simpati e dukshme ndaj figurës së Fan S. Nolit. Me interes të veçantë është fakti se, fill pas dështimit të revolucionit Demokratik Borgjez të Fan S. Nolit, në dhjetor 1924 ministri i Brendshëm i Shqipërisë porosiste Legatën Shqiptare në kryeqytetin rumun që të ndalonte mbajtjen e “Kongresit të planifikuar në Bukuresht”, kongres, i cili mund “të provokojë pasoja fatale për shtetin tonë”. Përveç sa më sipër, me urdhëra të ndryshëm drejtuar prefekturave shqiptare kërkohej me këmbëngulje censurimi i të gjitha letrave që vinin nga Rumania në lidhje me “Kongresin panshqiptar që do të mbahet në Bukuresht”.

Nuk dimë me siguri nëse ky kongres i zhvilloi punimet, ose jo, por e vërteta është se në Rumani shqiptarët hartuan memorje dhe thirrje të shumta, që demaskonin këtë qëndrim “antikombëtar”. Studentët shqiptarë të Bukureshtit, në numur relativisht të madh, së bashku me intelektualë të njohur, ndër të cilët Gaqo Vruho, Akile Eftimiu, Asdreni, Pandi Stillu, Themistokli Duro, Asaf Dishnica etj, ditën e 28 Nëntorit e shndrronin në një të kremte të vlerave atdhetare dhe njëherazi demokratike. Aty merrnin pjesë si të ftuar edhe personalitete rumune, dashamirës të kombit tonë. Pas shkëmbimit të një fondi të rëndësishëm librash midis institucioneve shkencore dhe arsimore shqiptare e rumune në vitet 1936 e 1937, interesi për njohjen e Shqipërisë shënon rritje, në vazhdën e kursit të “Historisë së Shqipërisë”, mbajtur nga dijetari i shquar Nikolae Iorga qysh më 1914, çka u pasua një vit më vonë nga profesori A. Kandrea me një kurs të gjuhës shqipe në Universitetin e Bukureshtit. Në vitin 1919, në kryeqytetin rumun pa dritën e botimit “Historia e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar” i N. Iorgës, në gjuhën frënge, në një moment jashtëzakonisht të përshtatshëm, kur zhvillohej një luftë e vendosur në të gjitha rrafshet për t’i bërë të njohur opinionit publik botëror përpjekjet shekullore për liri e pavarësi të popullit tonë.

Shqiptarët, me banim të përhershëm ose me studime në Rumani, e pritën me shqetësim dhe me hidhërim të thellë lajmin mbi sulmin dhe pushtimin e atdheut të tyre nga Italia fashiste, më 7 prill 1939. Shumë prej tyre, veçanërisht të rinjtë, shfaqën dëshirën për të shkuar vullnetarë në radhët e luftëtarëve në mbrojtje të Shqipërisë. Një Bukuresht, një grup nismëtarësh, me arkitektin Spiro Nikolla dhe me Gaqo Vruhon e Nikolla Xhamon, qysh në ditët e para të agresionit fashist vizituan rreth 70 familje shqiptare, nga gjiri i të cilave dolën 163 vullnetarë dhe u përpilua një listë me emrat a tyre që dhanë ndihma në të holla (1,4 milionë lei) për pajisjen dhe transportimin e vullnetarëve antifashistë.

Për shkak të përshpejtimit të ngjarjeve në plan botëror dhe sidomos të faktit që trupat e Italisë musoliniane mposhtën brenda disa ditëve qëndresën e ushtrisë shqiptare, të tradhtuar e të pajisur dobët, dhe të atdhetarëve ende të paorganizuar mirë, nisma e shqiptarëve të Rumanisë nuk u konkretizua. Një pjesë e të hollave u shpenzuan për studentët shqiptarë në Bukuresht, të cilët nuk i pranuan bursat e ofruara nga Legata Italiane, sidhe për veprimtaritë propagandistike antifashiste të zhvilluara, në radhë të parë nga studentët shqiptarë me ide përparimtare. Në një përmbledhje të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe e Sigurimit të Rumanisë për periudhën 1 tetor-26 nëntor 1943, thuhej: “Hetimet çuan në zbulimin e një shtëpie konspirative të Komitetit Qendror të Lëvizjes së Majtë të Rumanisë, të ndodhur në rrugën Shën Konstantin, nr. 14, e kamufluar nga shqiptari Pandi Stillu, artist i teatrit “Punë dhe dritë”, i cili u arrestua me këtë rast krahas të tjerëve, pra me George Vruhon e me një Stillu tjetër, për t’u dërguar në Gjykatën Ushtarake”[39].

Veprimtaritë e lartpërmendura konfirmohen edhe nga një raport i Legatës Rumune në Tiranë, i prillit 1939, në të cilin, duke bërë fjalë për urrejtjen e ligjshme të shqiptarëve kundër pushtimit fashist, vihej në dukje: “Qeveria italiane mundi ta kuptonte këtë gjë, jo vetëm nga demonstratat e masave popullore shqiptare në prag të agresionit, por sidomos nga manifestimet e shqiptarëve të vendosur jashtë vendit, të cilët, pavarësisht nëse ishin përkrahës apo kundërshtarë të mbretit Zog, ishin të njëzëshëm në protesta, qoftë në mbledhje publike, qoftë në gazeta e telegrame kundër sulmit të Italisë në Shqipëri, duke e denoncuar para botës mbarë, si një akt kriminal të mirëfilltë[40].

Manifestimet e solidaritetit antifashist, të zhvilluara në Rumani, në përkrahje të Shqipërisë, sidhe jehona e Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare në shtypin e në mjediset e ndryshme të opinionit publik rumun, përbëjnë një moment të shënuar në historinë e marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-rumune.

Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe në Rumani, jeta e Bashkësisë Shqiptare filloi të zbehet, sidomos pas zhbërjes, në mënyrë abuzive, në vitin 1953, të organizatës së fundit të shqiptarëve të Rumanisë. U mbyllën kufijtë, u ndërprenë marrëdhëniet familjare e farefisnore; disa shqiptarë emigruan në Amerikë, në Turqi, ndërsa të tjerë u rikthyen në ish-Jugosllavi (ata që patën ardhur nga Maqedonia). Nuk doli më asnjë gazetë apo revistë që të kumtonte të dhëna që lidheshin me Bashkësinë. Disa shqiptarë, nga frika e trysnive ultranacionaliste, hoqën dorë nga deklarimi i kombësisë shqiptare. Vetëm e vetëm në Bukuresht, me nismën e disa intelektalëve të guximshëm, organizohej ndonjë veprimtari me rastin e 28 Nëntorit.

Duke filluar nga viti 1953, të gjitha shoqatat e Bashkësisë Shqiptare u zhbënë nga regjimi komunist. Të drejtat e humbura u rifituan pas revolucionit rumun të 1989-ës, por numuri i atyre që deklarohen shqiptarë ka ardhur duke rënë dramatikisht në krahasim me vitin 1920.

Lidhur me ecurinë demografike, mund të pohojmë sa më poshtë: më 1595 ishin 15.000 shqiptarë, më 1893: 30.000; më 1920: 20.000. Në Bukuresht, më 1930: 4.670 (4.247 flisnin gjuhën amtare shqipe); në Dobruxhën e Jugut dhe në Moldavi, më 1940: 40.000; në Dobruxhën e Jugut e në Moldavi, më 1995: rreth15.000. Nuk ka shkolla dhe as kurse të rregullta për mësimin e gjuhës shqipe.

Bashkësia Shqiptare e Rumanisë në fundshekullin XIX kishte rreth 10.000 shqiptarë, por ky numur u pakësua vrullshëm në periudhën komuniste.

Shumë prej tyre e humbën identitetin, duke u detyruar të “rumunizoheshin”. Në fillimvitet ’90 të shekullit të kaluar, pasi komunizmi u përmbys edhe në Shqipëri, shqiptarët filluan të vinin në Rumani. Shumica ishin arumunë, që shpresonin të fitonin sa më shumë të drejta nga shteti rumun. Krahas arumunëve të mirëfilltë, në Rumani vajtën edhe një numur jo i vogël shqiptarësh, të cilët menduan se do të siguronin një jetesë më të mirë. Një pjesë e tyre u zhgënjyen shpejt dhe emigruan në Perëndim. Por pati edhe disa që nuk u larguan nga Rumania, krijuan familje mikste, vazhduan studimet e larta e pasuniversitare dhe u punësuan aty. Gjatë viteve u ngjizën shoqata me emra e programe nga më të ndryshmit, por që, në fund të fundit, ashtu siç ndodhi me UCAR e ALAR, grindeshin me shoshoqen jo aq për interesat e etnisë shqiptare, se sa për të përfituar nga fondet e majme të akorduara nga shteti rumun.

Bashkimi Kulturor i Shqiptarëve të Rumanisë (UCAR) u themelua më 6 korrik 1990, me kryetar Xhelku Maksutoviçin. Kjo organizatë, qysh më 1993, botonte të përmuajshmen dygjuhëshe (shqip e rumanisht) “Albanezul” (Shqiptari), me fonde të shtetit rumun, dhe, duke filluar nga viti 1995, “Anuarul Albanezul” (Vjetari Shqiptari), shtojcë e “Albanezul” (Shqiptari), pò dygjuhësh (shqip e rumanisht), gjithashtu me financim nga shteti rumun.

Më 30 qershor 1999, në qytetin rumun Krajovë u krijua Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) – person juridik rumun, joqeveritare, jo fitimprurëse, me platformë e program përfaqësimin publik, promovimin dhe mbrojtjen e interesave të etnisë shqiptare në Rumani. Përmes veprimtarive të saj, ALAR pretendon se shqetësohet për mbrojtjen e identitetit etnik të bashkësisë shqiptare, e cila, sipas ALAR, duke jetuar në Rumani, e konsideron këtë të fundit të vetmin atdhe. I vetmi pikësynim i shqiptarëve etnikë të Rumanisë mbetet “ruajtja e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, si pjesë përbërëse e thesarit të kulturës rumune”. Më 26 nëntor 2000, ALAR fitoi zgjedhjet parlamentare, duke u bërë edhe anëtare e Këshillit të Pakicave Kombëtare të Rumanisë, në kuadrin e Departamentit për Marrëdhëniet Ndëretnike të Qeverisë së Rumanisë. Në fakt, kryetarja e parë e ALAR-it, Oana Manolesku, e cila nuk ka kurrfarë lidhjeje gjenetike me etninë shqiptare, pat fituar mandatin e deputetes qysh më 1996, atëkohë si kandidate e propozuar nga UCAR. Më 2004, më 2012 dhe më 2016, ALAR fitoi sërish në zgjedhjet parlamentare. Nën drejtimin e deputetes Oana Manolesku e më pas të deputetit Bogdan-Alin Stoica, – i cili gjithashtu nuk ka asgjë të përbashkët me etninë shqiptare, – qysh në nëntor 2001, ALAR boton revistën kulturore „Miku i shqiptarit”, me synim bërjen të njohur dhe përhapjen e kulturës e të traditave shqiptare; pasqyron momentet më të rëndësishme të lidhjeve midis popujve shqiptar e rumun, të përbashkëtat e tyre shpirtërore etj.

Më 12 prill 2006 u formua dhe u jetësua si personalitet juridik me ekzistencë kohore të pakufizuar, Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus. Duke mbajtur parasysh tolerancën tradicionale të shqiptarit dhe sidomos kontekstin integrues evropian që po përjeton atdheu dhe mbarë kombi ynë, Statuti i Shoqërisë jo vetëm u krijon mundësi të gjera përfaqësimi dhe veprimi shqiptarëve etnikë të kudondodhur, por edhe synon të afrojë sa më shumë miq e dashamirës të Shqipërisë, studiues të shqipes, të kulturës e të historisë shqiptare, që ndodhen në Rumani dhe në vende të tjera. Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus nuk pretendon të bëhet përfaqësuese e Bashkësisë Shqiptare në Parlamentin e Rumanisë, duke qenë e mendimit se një post i tillë u takon shqiptarëve etnikë të nguluar në Rumani prej shekujsh, pra të lindur në atë vend. Gjithashtu, ajo nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon financime nga ana e shtetit rumun. Qysh më 1998, Presidenti i saj, akademiku Kopi Kyçyku, dhe i biri, Ardian Kyçyku, rektor i Universitetit të Shkencave dhe Arteve „George Kristea” të Bukureshtit, kanë botuar në vazhdimësi, pa asnjë financim shtetëror apo privat, pra tërësisht me forcat e veta, të përtremuajshmen evropiane Haemus, me mesatarisht 200 faqe, me platformë e program popullarizimin e vlerave tona kombëtare, historike e kulturore, në kontekstin e lidhjeve në rrafsh rajonal, kontinental e më gjerë.

Programi i Shoqërisë përfshin hapa konkrete për integrimin sa më të plotë të kulturës sonë në cirkuitet evropiane dhe botërore; njohjen reale të jetës, mendësisë, specifikës etnike dhe kulturore të pakicave dhe grupeve etnike që jetojnë në Rumani, çka do të lehtësojë mirëkuptimin, tolerancën dhe do të mënjanojë shkallë-shkallë tensionet ekzistuese ose ato që mund të shfaqen në varësi nga gjendja shpirtërore e shoqërisë bashkëkohore; shkëmbimin e informacionit kulturor dhe të qytetërimit mbi dhe ndërmjet pakicave dhe grupeve etnike të hapësirës ballkanike dhe eurojuglindore; grumbullimin e të dhënave të panjohura më parë, që lidhen me besimet fetare, me historinë dhe qytetërimin ballkanik e të Evropës Juglindore, sidhe themelimin, – në përputhje me një traditë të hershme paqtuese shqiptare, – të një Qëndre Evropiane të Drejtimit Kulturor dhe të Parandalimit të Konflikteve me karakter etnik, fetar e kulturor etj.

Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus do të ofrojë shërbime përkthimi në gjuhët shqip, rumanisht, turqisht e italisht dhe do të organizojë kurse intensive për mësimin e përkryerjen e gjuhëve të huaja të vendeve të rajonit etj.

Në vijim të çka përmendëm qysh në fillim, përveç shqiptarëve të mirëfilltë të kudondodhur, apo me prejardhje shqiptare, Statuti i Shoqërisë u jep mundësinë të bëhen antarë të saj edhe personave të tjerë, që e pranojnë statutin e saj dhe që mbështesin realizimin e pikësynimeve të Shoqërisë. Anëtarë nderi të Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus do të bëhen personalitetet e kulturës e të shkencës nga vende të ndryshme, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike, të cilët kontribuojnë në lartësimin e prestigjit të Shoqërisë. Gjthashtu, çdo person fizik apo juridik mund të bëhet antar asocijues i Shoqërisë, po qe se është i një mendjeje me qëllimin dhe pikësynimet e Shoqërisë dhe dëshiron të japë ndihmesë në realizimin e tyre.

Janë të mirëpritur, në radhë të parë vëllezërit tanë të një gjaku dhe institucionet kulturore, artistike dhe botuese të tyre, të bashkëpunojnë në çdo formë të mundshme me Shoqërinë Kulturore Shqiptare Haemus, e cila, ka si kryedetyrë t’ua bëjë të njohura sa më qartë Evropës e botës vlerat e pashtershme qytetëruese, demokratike dhe progresiste të kombit shqiptar.

Shoqëria Kulturore Shqiptare „Haemus”, e krijuar në Bukuresht mbi gjashtë vjet më parë, tregon vëmendje të posaçme për popullarizimin e vlerave tona mbarëkombëtare, sidhe të popujve të tjerë të rajonit e më gjerë, nëpërmjet botimeve të ndryshme. Kjo realizohet nga dy hallka të Shoqërisë së lartpërmendur: Shtëpia Botuese „Librarium Haemus” dhe revista evropiane „Haemus” (e përtremuajshme, me 200 faqe), e cila në Panairin e 9-të të Librit në Prishtinë, u nderua me „Mirënjohje” me motivacionin „për afirmimin e letërsisë shqipe në botë.

Përmendim veçmas faktin që, disa vjet para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dy numura të revistës „Haemus” i janë kushtuar tërësisht Kosovës – traditave, zakoneve, virtyteve, krijimtarisë letraro-artistike dhe shkencore, luftrave të paprera kundër pushtuesve shovinistë, për liri e pavarësi, vlerësimeve të personaliteteve të shquara kombëtare dhe të huaja për Kosovën etj. Mjaft nga këto materiale u përgatitën në gjuhën rumune, çka gjeti jehonë të fuqishme në lexuesit e kësaj gjuhe, si në Rumani, ashtu edhe në diasporë. Në letrat e mesazhet e dërguara në redaksi, shumë prej tyre kanë shfaqur kënaqësinë që, përmes dokumenteve shkencore të mirëfillta, të paraqitura në faqet e revistës „Haemus”, iu dha mundësia t’i njohin në dritë të vërtetë zhvillimet e sotme në Kosovë dhe sidomos historinë e lashtë të Kosovës e të banorëve të saj – pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve.

Ndërkaq, Shtëpia Botuese „Librarium Haemus” ka vënë në qarkullim një numur të kënaqshëm veprash të fushave të ndryshme, ndër të cilat: romanin „Trashëgimtari i oligarkut” të autorit azerbaixhanas Çingis Abdullajev (përkthyer në shqip nga Anesti Qirinxhi); romanin e Ardian-Christian Kyçykut „Home” (në shqip); antologjinë „Bukuria që vret” (në rumanisht), me krijime të zgjedhura të tetë nga prozatorët klasikë shqiptarë (vëllimi i parë); antologjinë e poezisë rumune (në shqip), me 185 autorë; librin „Toka shqiptare” (në rumanisht), të autorit Abdullah Zeneli, me mbresa nga qëndrimi në Korçë i vëllezërve kosovarë, në muajt e vështirë të 1999-ës; vëllimet „Anija e gjumit” dhe “Biblioteka lundruese” (në rumanisht), të Arian Lekës, me mbi 100 poezi etj; monografinë e Koço Mihos „Gjurmët e një arkitekti” (në rumanisht), kushtuar arkitektit të shquar evropian Kristo Sotiri; dramën „Xhordano Bruno” (në rumanisht), të shkrimtarit italian Antonio Frattasio; vëllimin me poezi „Qarkuar me dashuri” (në rumanisht) të poetit turk Xhemal Safi; vëllimin „Klithma e orës” (në shqip e në italisht, ribotim, botimi i parë Editura e Muzeut të Letërsisë Rumune) të poetes Mihaela Patrashku: librin-intervistë „Një pamje e Tokës së Shenjtë” (në rumanisht), të ambasadores së Izraelit në Bukuresht Rodika Radian-Gordon mbi marrëdhëniet tradicionale shqiptaro-hebraike gjatë shekujve; librin-dialog „Ligji në tranzicion” (në italisht), të juristëve V. Babiuk e V. Popa, të gjitha të përkthyera në gjuhët përkatëse nga Kopi Kyçyku, sidhe monografitë origjinale të këtij të fundit (në rumanisht): „Historia e Shqipërisë” (ribotim, botimi i parë Editura Corint), „Historia e Maqedonisë” (ribotim, botimi i parë Editura Corint), „Algjeria – e shkuara dhe e tashmja”, „Historia e shkurtër e Azerbajxhanit”, „Ataturkizmi dhe Turqia në Mijëvjetshin e Tretë” (ribotim, botimi i parë Editura Adam), “Një Ataturk i ditëve tona – Hajdar Alijev”, „Pena dhe pushka – Hristo Botev”, „Zinxhiri i anktheve” (në shqip) etj.

Në promovimin e të gjitha botimeve të Shoqërisë Kulturore Shqiptare „Haemus”, krahas anëtarëve të saj, kanë marrë pjesë edhe personalitete të kulturës e të shkencës rumune, të organizatave ndërkombëtare dhe të ambasadave të huaja të akredituara në Bukuresht, gjë që i ka dhënë shkas evokimit të lidhjeve tradicionale të kombit tonë me kombet e tjerë. Një gjë e tillë ka qënë edhe më e spikatur sa herë që revista „Haemus” u ka kushtuar nga një numur të posaçëm kulturave të vendeve të tjera: Italisë, Turqisë, Rumanisë, Zvicrës, Greqisë, Izraelit, Kinës etj.

Janë botuar (në rumanisht) vëllime të poetëve shqiptarë: Hiqmet Meçaj, Ali Podrimja, Ferik Ferra, Anton Çefa, Petraq Risto, Agim Vinca, Martin Cukalla, Kujtim M. Shala, Alma Basha, Elinda Marku (shqip, dy vëllime) etj, sidhe romani i Bajram Sefajt „Parisi kot” etj. Në një të ardhme të afërt do të shohin dritën e botimit (pò në rumanisht) vëllime poetike të autorëve Pano Taçi, Mustafë Xhemaili, Jorgo Bllaci etj, ndërsa në shqip vëllimet e poetëve rumunë Marin Soresku, Klaudia Voikulesku etj.

Më tej do të vazhdohet me përkthimin e botimin (në rumanisht) të vëllimit të dytë të antologjisë „Bukuria që vret”, me krijime të zgjedhura të prozatorëve: Jakov Xoxa, Dhimitër Xhuvani, Elvira Dones, Arian Leka, Kasëm Trebeshina, Musine Kokalari, Bilal Xhaferri, Koço Kosta, Zija Çela, Faik Ballanca etj; të një vëllimi (në rumanisht) me materiale që lidhen me faljen e gjaqeve dhe me tolerancën fetare dhe etnike të shqiptarëve në Kosovë, sidhe të një monografie të studiuesit Nos Xhuvani kushtuar klerikut atdhetar Visarion Xhuvani, gjithashtu në rumanisht.

Duke qënë se thelbin e statutit dhe të programit të Shoqërisë Kulturore Shqiptare „Haemus”, e përbën shqiptarizmi, është parashikuar që idetë, opinionet dhe propozimet e mjaft antarëve dhe antarëve të saj të nderit, – personalitete shqiptare dhe evropiane, – për probleme që lidhen me thellimin, përmirësimin dhe diversifikimin e mjeteve dhe mënyrave të njohjes sa më mirë nga bota të historisë, kulturës dhe vlerave qytetëruese shqiptare, të botohen në vazhdimësi në faqet e revistës „Haemus”, por edhe në trajtë broshurash apo librash në gjuhë të ndryshme. Si ilustrim, mund të përmendim intervistën e gjerë që na ka dhënë antari i nderit i Shoqërisë Kulturore Shqiptare „Haemus”, nunci apostolik i Selisë së Shenjtë, dekani i Trupit Diplomatik të akredituar në Bukuresht, Jean-Claude Périsset. Vlerësimet e larta dhe simpatia e çiltër për kombin tonë, të shfaqura nga ky klerik e dijetar i dalluar, do të përfshihen në numurin e ri të „Haemus”-it, që është duke u përgatitur për shtyp.

Paralelisht, Shoqëria Kulturore Shqiptare „Haemus” vazhdon punën për qëmtimin dhe sistemimin e materialeve të pasura arkivore, që lidhen me Koloninë Shqiptare të Rumanisë, çka do të shërbejë si bazënisje për hartimin dhe botimin e një historie korrekte dhe gjithëpërfshirëse të saj. Këtu kemi parasysh jo vetëm veprimtarinë e dendur e të shumanshme të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, në të mirë të çështjes mbarëshqiptare, – hartim alfabetesh të shqipes, botime revistash, gazetash e librash, shfaqje artistike me theks atdhetar, kërkesa drejtuar organizmave ndërkombëtare në mbrojtje të trojeve shqiptare, – përfshi organizimin në kryeqytetin rumun të mbledhjes historike të 12 nëntorit 1912, të kryesuar nga Ismail Qemali, ku u hartua dhe u miratua platforma e Shpalljes së Pavarësisë së Atdheut, por edhe ndihmesën e vyer që Kolonia Shqiptare e Rumanisë ka dhënë, përmes personaliteteve të saj të shquara dhe mbajtjes së lidhjeve me simotrat e saj në Bullgari, Turqi, Egjipt, Itali, SHBA e, në radhë të parë me atdhetarët e luftëtarët në trevat shqiptare, për njësimin e platformës dhe bashkërendimin, në kohezion të plotë, të përpjekjeve për ruajtjen e tërësisë territoriale, gjuhës, traditave dhe kulturës kombëtare.

Disa figurave madhore, si Dora d’Istria (Elena Gjika), Naum Veqilharxhi, Nikolla Naço, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Jani Vreto, Lasgush Poradeci, Asdren, Vangjush Mio, Kristaq Antoniu etj, që kanë luajtur rol tepër aktiv në etapa të ndryshme të ekzistencës së Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, do t’u kushtohen kapituj më vete. Të tillë do t’i rezervohen edhe ndikimit të fuqishëm që patën në radhët e shqiptarëve të Rumanisë librat e vëllezërve Sami e Naim Frashëri, të botuara në Bukuresht, sidhe veprimtarisë së zhvilluar nga Ismail Qemali gjatë kohës që ishte vali në Konstancë. Natyrisht, vend të posaçëm do të zerë edhe gjendja e tanishme e (ish) Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, sidhe rrahja e mendimeve për ripërtëritjen e saj, duke e nxjerrë një herë e mirë nga amullia dhe pasiviteti. Bashkësia Shqiptare ka një potencial njerëzor e intelektual të lakmueshëm, bazat e të cilit i kanë hedhur personalitete të shquara, si Aleksandër Stavre Drenova, Asdreni, poet; Viktor Eftimiu, shkrimtar, ish drejtor i Teatrit Kombëtar të Bukureshtit; Familja Gjika; Lasgush Poradeci, poet; Mitrush Kuteli, shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist; Naum Veqilharxhi, shkrimtar; Ibrahim Temo, mjek; Vangjush Mio, piktor; Spiru Nikolau, arkitekt; Nik Pemma, shkrimtar e diplomat; Nikolae Rafael, këngëtar; Dhimitër Mihailesku-Toskani, kompozitor; Kiril Ekonomu, aktor; Niku Konstantin, aktor; Kristaq Antoniu, këngëtar e aktor etj.

[1] Historia e Rumanisë, Bukuresht, 1960, vëllimi I, f. 360, 383, 401.

[2] Po aty, f. 240, 277.

[3] Historia e Rumanisë, v. cit., f. 443

[4] Po aty, f. 513

[5] Historia e Rumanisë, v.cit., vëll. II, f. 872, 950

[6] Shih: Nikolae Iorga, Historia e Mihal Trimit, Bukuresht, 1935, vëll. I, f. 250, 264

[7] Po aty

[8] Për më shumë hollësi, shih: K. K. Xhuresku, Historia e Rumanisë, Bukuresht,1943, vëll. II, f. 276

[9] K. K. Xhuresku, Historia e Rumanisë, Bukuresht, 1944, vëll. III, f. 81

[10]Po aty, f. 756

[11] P. P. Panaitesku, Letërkëmbimi i K. Ipsilantit me qeverinë ruse, Bukuresht, 1933, f. 15, 18. Për praninë e arnautëve, shih edhe Letrat e Ipsilantit, të 18 nëntorit, 1806

[12] Shih: Dokumente mbi Historinë e Rumanisë, Kryengritja e 1821-it, Bukuresht, 1959 – 1962, vëll. II, dok. Nr. 98, f. 143, si dhe Memorja e 12 korrikut 1821, të cilën bojerët e strehuar në qytetin Brashov, ia dërgonin carit të Rusisë. Në të thuhej: “Mbledhja e bojerëve, duke shqyrtuar përmasat e së keqes dhe se qëllimi i rebelit Vladimiresku ishte shfarosja e klasës së bojerëve, dhe instaurimi i një sistemi plaçkitës, … vendosi që të tërhiqemi në një vend më të sigurtë… “ (Po aty, dok. Nr. 153, f. 228). Dokumente të tjera, të ngjashme, shih në Historinë e Rumanisë, të cituar më lart, vëll. I, f. 330, 343, 431); vëll. II, f. 294, 303; vëll. III, f. 37, 57, 258.

[13] Dokumente mbi Historinë e Rumanisë, Kryengritja e 1821-it, v.cit., vëll. I, f. 224, 393; vëll. II, f. 51, 274, 275, 306, 308, 359.

[14] Shih Viktor Papakostea, La participation de l’écrivain albanais Vechilhargi à la révolution de 1821, Balcania, vëll. VIII, Bukuresht, 1945, f. 187 – 191. Dokumente mbi Historinë e Rumanisë, Kryengritja e 1821-it, Bukuresht, 1959 – 1962, vëll. II, dok. Nr. 98, f. 143, si dhe Memorja e 12 korrikut 1821, të cilën bojerët e strehuar në qytetin Brashov, ia dërgonin carit të Rusisë. Në të thuhej: “Mbledhja e bojerëve, duke shqyrtuar përmasat e së keqes dhe se qëllimi i rebelit Vladimiresku ishte shfarosja e klasës së bojerëve, dhe instaurimi i një sistemi plaçkitës, … vendosi që të tërhiqemi në një vend më të sigurtë… “ (Po aty, dok. Nr. 153, f. 228). Dokumente të tjera, të ngjashme, shih në Historinë e Rumanisë, të cituar më lart, vëll. I, f. 330, 343, 431); vëll. II, f. 294, 303; vëll. III, f. 37, 57, 258. Dokumente të tjera, të ngjashme, shih në Historinë e Rumanisë, të cituar më lart, vëll. I, f. 330, 343, 431); vëll. II, f. 294, 303; vëll. III, f. 37, 57, 258.

[15] Th. Kapidan, Rumunët endacakë, Bukuresht, Bukuresht, 1942, f. 66, 70

[16] Shih edhe Kristaq Prifti, Uniteti Kombëtar dhe Pavarësia, në “Probleme të Pavarësisë së Shqipërisë”, Tiranë, 1987, f. 108

[17] Postolache, Nicolae, Vangjel Zhapa, nga Broshteni në Athinë, piketa evropiane, Muzeu Kombëtar i Bujqësisë, Slobozia, 2004.

[18] Shih Th. Kapidan, Ndihmesa e rumunëve në rilindjen e Shqipërisë, Graiul Romanesc, viti II, nr.1, f.4

[19] Këto radhë janë shkruar nga Elena Gjika fill pasi Ion Heliade Radulesku i pal lëçitur disa nga poezitë e tij. Ky paragraf, i cituar nga vepra “La litterature roumaine”, e Magda Nikolaesku Ioan, f. 21

[20] Po aty, f. 410

[21] Shih “Shqipëria dhe Rumania”, në Rilindja Shqiptare, datë 25 shkurt 1928, AMAE, Fondi Shqipëria, vëll. 26, faqe 34

[22] Shih edhe AMAE, Fondi Shqipëria, 2 / Konventa A.19

[23] “Shqipëria dhe Rumania”, Gazeta e Korçës, numur 1207, 6 qershor 1931. Shih edhe AMAE, Fondi Shqipëria, vëll. 26, f. 155

[24] “Shqipëria dhe Rumania, dy kombe miq përgjithmonë”, në “Besa”, numur 48, 14 shtator 1931. Shih edhe AMAE, Fondi Shqipëria, vëll. 26, f. 155

[25] Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, 25 janar 1937. Shih edhe AMAE, Fondi Shqipëria, vëll. III, f. 115S dhe vëll. I, f. 150, 155; vëll. 26, f. 115, 118, 200, 216, 454 – 456

[26] Shih, B. P. Hashdeu, Le type syntactique homo-ille-bonus et sa parentele / Tipi sintaksor homo-ille-bonus dhe të ngjashmit e tij, Bukuresht, 1880

[27]Shih, N. Iorga, Notes et extraits pour servir a ‘Histoire des Croisades au XV-e siecle / Shënime dhe ekstrakte në ndihmë të Kryqëzatave në shekullin XV, Bukuresht, 1915, f. 194. Shih edhe veprat e autorëve G. Mayer, Shuschardt, Miklosich, F. Bopp, Biondelli, Ascoli, Dh. Kamarda etj

[28] Shih Ismet Dërmaku, Nikolla Naum Naço, Vjetari Shqiptari, nr. 402, Bukuresht, 1997, f. 27-32; Th. Kapidan, v. cit., f. 6

[29] Po aty

[30] Alfred Uçi, Kultura Kombëtare në rrjedhat e luftës për liri e pavarësi.

[31] Shih N. Iorga, “Shqipëria dhe Rumania”, 1915, f.8.

[32] Shih Zija Xholi, Studimi “Naim Frashëri, mendimtar dhe patriot i shquar shqiptar”, nga i cili është botuar një fragment në Gazetën letrare, Bukuresht, nr. 48, viti XIII, 25 nëntor 1965, f. 8. Shih edhe Kristaq Prifti, “Uniteti Kombëtar… ”, v. cit., f. 114

[33] Thirrje vëllezërve tanë shqiptarë, i hartuar nga G. Meksi, , Dervish Hima dhe atdhetarë të tjerë. Shih gazetën “Bashkimi i Kombit”, numur 20, datë 25 janar 1944, në Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë, tash e tutje AMAE, Fondi Shqipëria, vëll. 26, f. 454

[34] Shih N. Iorga, Shqipëria dhe Rumania, Leksion hapës, i mbajtur në Bukuresht, në Institutin e Studimeve të Evropës Juglindore, më 31 janar 1915

[35] Artikulli “Përpara me Zotin”, në “Shqiptari”, numur 5, 1888

[36] Arkivat e Shtetit Rumun, Fond Shtëpia Mbretërore, D 27 / 1927, f. 155

[37] Arkivat e Shtetit Rumun, Fondi Shtëpia Mbretërore, Dosja 32 / 1912

[38] AQSH, Tiranë, Fondi i Ministrisë së Arsimit, f. 3

[39] Arkivat e Shtetit Rumun, Bukuresht, Fondi i Ministrisë së Brendshme të Rumanisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, dosja 20 / 1943.

[40] Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Rumanisë (AMPJ), fondi nr. 71/Shqipëria, vëllimi 3, f. 139.