Shqiptari i Kroacisë

Shkruan: Migjen Kajtazi

Më 18 korrik 2018 nga aeroporti i Gjenevës u nisëm për pushime në Kroaci me destinacion qytetin e Makarskës që gjendet në Dalmaci në mes qyteteve të Splitit dhe Dubrovnikut.

Mbasi ishim ende në ethet e futbollit dhe me rezultatin e bukur të ekipit të Kroacisë në kampionatin Botëror, mendimet për këtë sukses më përcollën gjatë rrugëtimit … në ndërdije kisha pyetje që lidheshin me gëzimin e madh të shprehur të shqiptarëve për këtë fitore. A ishte gëzim nga dëshira që të shohim ekipin shqiptar në fitore të tillë? A ishte fitore politike e një aleati të kamotshëm apo thjeshtë një lloj euforie sportive?

Pyetjeve të mija të shumta gjatë udhëtimit me aeroplan nuk pata kohë t’i përgjigjëm nga fakti se udhëtimi nuk zgjati shumë dhe nga një aterrim të vështirë që me siguri do e mbajë në mendje për një kohë të gjatë ….shpresoj.

Sapo arritëm afër portit të Makarsës u ndalëm afër fontanës të ndërtuar për hir të të rënëve të Brigadës 156 në luftë e mbrojtës kundër serbëve. Shikimi jonë në drejtim të portit dhe hutimi nga gumëzhitja e madhe të turistëve, na u ndërpre nga një zotëri, që me gjuhën e vetë të pastër shqipe na pyeti se a kemi nevojë për ndihmë.

Pasi shkëmbyem disa fjali me zotëriun pashë që kishte dalë nga argjendaria e tij që gjendej mu në mes të portit.

Ky shkëmbim i fjalëve në gjuhën shqipe me një shqiptar të Kroacisë ende pa e realizuar ardhjen tonë në ketë qytet turistik të njohur nga ne më nxiti të provokoj bisedat në ditët që kalova në Makarska. Plazhi më tërheqi sidomos pasdite dhe isha i gëzuar që mëngjesin do kaloja me një qëllim të saktë : të dëgjoja rrëfimin e shqiptarit të Kroacisë dhe të bëja gjurmime urbanistike që do mundesha të bëja një lidhshmëri në mes Shqiptarëve dhe Kroatëve.

Makarska qytet shumë piktoreskë me portin e bukur të rrethuar me palma të mëdha , me shtëpitë e gurit dhe me ngjyrë të bardhë të radhitura me një hijeshi  dhe mbi qytet me kurorën e maleve Dinarike, bukurinë ia shton qytetit edhe me praninë e numrit të madh të dallëndysheve.

Të nesërmen në mëngjes fillova të shikojë emrat e rrugëve dhe monumentet historike dhe fjala: kush kërkon gjen më duket se pati kuptimin e vetë se pas disa minutave kërkimeve në rrugët e qytetit të vjetër të Makarskës pashë një pllakë të shkruar …. «  në ketë shtëpi ka jetuar dhe punuar Stjepan Ivecevic (1801-1871) , shkrimtar, juristë, politologë dhe ilirilogu i parë i Makarskës.

Pas kësaj befasie të mirë që shkonte në përgjigjen pozitive në hipotezën time me lidhje mes shqiptarëve dhe kroatëve vazhdova rrugën në drejtim të argjendarisë të Shqiptarit të Kroacisë i cili për qefin tim ishte para argjendarisë. Sapo më pa më buzëqeshjen e tij të ngrohtë më bëri të kuptojë që më njohu. ..

Më quajnë Roko Berisha, me prejardhje nga Prizreni i vendosur në qytetin e Makarskës para 50 viteve kur ky qytet kishte vetëm 1200 banorë ku tani numëron mbi 20 mijë banorë pa numëruar turistët e shumtë. Më thotë që kur ishte vendosur në ketë qytet nuk kishte rrugë tokësore që lidhte lokalitetin me qendrat tjera dhe e vetëm mundësi transporti ishte anija. Më thotë që është bashkëpronar i argjendarisë me të shoqen Margarita, poashtu, shqiptare e Kroacisë e rritur në qytetin e Rjekës dhe me prejardhje nga familja Shiroka. Bisedën tonë e ndërprenë klientët po i bëra shenjë Rokos që do kaloja prapë.

Në mëngjesin në vijim pas pirjes së kafes në « Kavana Zagreb » vazhdova rrugën prapë në drejtim të qytetit të vjetër dhe me syrin tim vrojtues shoh përmendoren e Andrije Kavacici, të ilustruar me një lahutë. Që për qudi edhe pse kisha kaluar shumë herë nuk e kisha parë këtë detaj domethënës për mua.

Kthehem me hapa të shpejtë në drejtim të Rokos i cili kishte marr drejtim sikur donte të më thoshte vazhdojmë bisedën tonë … kureshtja ime për artin e filigrantit dhe si ndodhi që Rokoja të bëhej argjendar u përcoll me rrëfimin e Rokos që falënderon babain Nikë Berisha që ishte ndër mësuesit e parë të Kosovës të pas Luftës së Dytë Botërore dhe që nuk kishte dëshirë që Roko të humbiste kohën pa ndonjë aktivitet dhe kështu filloi mësimin e argjendarisë si formë për t’i ndihmuar edhe vëllait Engullit që punonte si argjendar, pas mbarimit të studimeve në Histori. Zanati i argjendarisë i dha mundësinë të ushtrojë në Makarska, më thotë Rokoja që pothuajse të gjithë argjendarët të shumtë në Makarska janë shqiptarë… duke mos dashur ta pengojë shumë në vazhdova rrugën e duke pritur me padurim të nesërmen për të dëgjuar rrëfimin e Rokos !!!

Ashtu si tre mëngjeset tjerë edhe mëngjesi i katërt fillojë me kafe dhe me gjurmim historik…e kësaj radhe ishte vizita në muzeun e qytetit ku që nga eksponatete dhe deri në përshkrimin e historisë të regjionit të paraqitura në dokumentet përshkruese përmendet fakti i lidhshmërisë me kulturën ilire … i mbushur me emocione nga vizita në muze shkojë në argjendarinë e Rokosë që për fatin tim nuk kishte vizitor dhe munda ta shtjellojë bisedën edhe më shumë. Rokoja më tregon që integrimi i tij në jetën shoqërore të qytetit nuk ndalet vetëm me aktivitetin e punës, po Rokoja është i kyçur në korin e qytetit që i ka dhënë mundësi të jap koncerte edhe në Jerusalem. Ky pasion i muzikës i ka lindur që nga fëmijëria dhe që Rokoja këndon ende këngët e vjetra të Prizrenit. Rokoja është i kyçur në këshillin e Kishës dhe kujton luftën kur ishte i mobilizuar.( Fotografi të Rokosë me kostum shqiptar)

Më shumë emocione Rokoja kujton vizitën e parë në Tiranë në sheshin Skënderbeu. Njohuritë e mija për metale fisnike sikur e nxitën Rokon të më tregojë për gjeneratën e parë të argjendarëve të Prizrenit të pas Luftës së Dytë Botërore. Gjeneratë që pastaj i gjejmë anë e kënd bregdetit Adriatik dhe më gjerë .

Rrugës në drejtim të aeroportit të Splitit vëzhgojë gjeneratorët e shumtë të vendosur majave të kodrave për prodhimin e energjisë nga era, kurse unë mendja më kishte mbetur në energjinë e shqiptarit që kurrë nuk u ndalë.

Nuk e përshëndeta Rokon se i thashë vetit që do vazhdojë herën tjetër bisedën tonë po morra me veti rrëfimin e një shqiptari të Kroacisë…

 

***

Migjen Kajtazi është përgjegjës kantonal pranë zyrës të integrimit te departametit të ekonomisë në katonin e Vaud-it. Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.