Si mund Kosova ta ndihmojë diasporën e vet?
Shkruan: Migjen Kajtazi
E pyetën një shkrimtar gjatë prezentimit të librit të tij të fundit se si ja bën që shkruan me aq pasion e aq shumë. Përgjigjja e shkrimtarit ishte e thjeshtë e me domethënje: Duke lexuar, shkruaj…
Po të mos kisha lexuar shkrimin lidhur me « Zvicrën e shekullit XIX » nuk do ta kisha marrë guximin për të shkruar këtë shkrim sidomos në këtë kohë kur Diaspora shqiptare është bërë sy e veshë në drejtim të Kosovës e Shqipërisë…që mundohet të kuptojë se çfarë po ndodhë në taboret politike shqiptare; çfarë kanë këto tabore politike që ndihmuan me magjinë e tyre të mos koncentrohemi shumë në pandeminë botërore. Mobilizimi i radhëve të taboreve politike bën që të dëgjojmë e të shikojmë mozaikun e ideve e kundërthënjeve të mëdha. Në qoftëse marr një shembull figurativ se ku gjindet diaspora në këto pozicionime të taboreve politike, mund ta marr shembullin e lojës së tenisit, ku kemi dy kundërshtarë, kurse diaspora në ketë lojë të tenisit ka rolin e vet: Të mbledh topa për këta kundërshtarë…
Kontributin e disasporës për Kosovë e Shqipëri askush nuk mund ta mohojë. Edhe arrogantët e pasluftës që kemi rastin ti shohim e ti lexojmë në gazetat, kanalet televizive apo në biseda private, nuk mund ta mohojnë edhe pse forma e tyre imagjinare kundër diasporës shqiptare shpesh do i kishin lakmi edhe kameleonët…
Thuhet që historia nuk është shkencë abstrakte. Njohuritë për historinë na ndihmojnë për të jetuar sa më mirë kohën e tashme dhe për të përgatitur të ardhmen. Historia është kujtesë e vendit dhe kombit tonë. Historia faktike na ndihmon të largohemi nga legjendat e shumta.
Zvicra në përceptimin e shumë njerëzve mendohet që ka qenë vend gjithmonë i zhvilluar dhe i hapur për emigracionin e ardhur nga vendet e ndryshme. Po historia na tregon që zvicranët në shekullin e XIX dhe më herët kanë ikur nga vendi i tyre. Në shekullin XIX nga Zvicra kanë ikur qdo vit 120.000 banor apo 3,4% e popullsisë. Mbi 80.000 zvicran ishin vendosur në Francë, mbi 40.000 në Gjermani, mbi 12.000 në Itali, 8.000 në Austri, 6.000 në Angli e shumë në Rusi, Belgjikë e Holandë. Në një shkrim mbi Zvicrën gjej informatën që tregon që nga viti 1472 deri më 1792 llogaritet që 920.000 zvicranë ishin të angazhuar si mercenarë në principatat e ndryshme të huaja me një mesatare vjetore të 3.000 zvicranëve të angazhuar si mercenarë. Duke marrë parasysh numrin e popullsisë në atë kohë, ky numër paraqet një pjesë shumë të madhe të popullsisë që kanë braktisur Zvicrën për ketë qëllim. Në gjithë këto valë e perioda të largimit, si arsye e largimit të zvicranëve nga vendi i tyre paraqitet një arsye kryesore dhe ajo është: pamundësia që Zvicra të ushqente popullsinë e vet…
Në statistikat e ndryshme që qarkullojnë në rrjete sociale përmendet numri i shqiptarëve të pranishëm në shtetet e ndryshme si në Zvicër, Gjermani, Itali, Amerikë veriore, Turqi, Belgjikë etj. E arsyet e largimit janë të ndryshme: luftërat, varfëria, mungesa e zhvillimit socio-ekonomik etj.
E tani i parashtroj pyetje vetës: Pse po largohen shqiptarët nga vendi i tyre, nga Shqipëria e Kosova? Nuk mundem të pretendoj që me dy faqe shkrim të gjej një përgjigjje. Po një mundem të them që largimi i shqiptarëve nga vendi i tyre nuk ka qëllim që kjo popullsi e larguar të mobilizohet sapo të vendoset në shtetet perëndimore në radhët e diasporës që do mundohet të kuptojë se çfarë po ndodhë në Kosovë apo Shqipëri… dhe të rreshtohen nga distanca në taboret politike të Kosovës dhe të Shqipërisë…
Largimet e fundit që janë duke ndodhur nga Kosova e Shqipëria a janë largime nga varfëria?
A janë largime në mungesë të perspektivës ekonomike, sociale etj?
A janë largime nga mos dëshira të jenë të ngulfatur nga taboret politike?
Largimet a janë të nxitura për uljen e papunësisë në Kosovë e Shqipëri?
Pyetje mund të bëj në pafundësi, por qëllimin që i kam dhënë vetës me këtë shkrim ashtu sic tregon edhe titulli, më duhet se paku të jap një përgjigjje në pyetjen: Si mundet Kosova ta ndihmoj diasporën e vet?
Kosova ka treguar haptas që dëshiron të kuptoj diasporën me krijimin e mekanizmave që ndikojnë në forcimin e lidhjeve në mes Kosovës dhe diasporës. Po me sa po shoh nuk po munden që të japin rezultate të shpejta. Diaspora së paku tani gjindet në menytë e të gjitha taboreve politike. E kur mungojnë ide politike për çështje të Kosovës hidhet ndonjë ide për diasporën…
Edhe pse pohoj për inciativa të mira, përsëri nuk arrij të gjej një përgjigjje për pyetjen e shkrimit : Si mundet Kosova ta ndihmojë diasporën e vet?
Në shumë analiza kemi lexuar e shikuar emisione mbi format e kontributit që Diaspora mund të vazhdojë të dhurojë. Mundohem të futem në temë e përgjigjja që më së shumti më pëlqen të përmbyll pyetjen është që Kosova mund ta ndihmojë Diasporën e vet kur të fuqizohet së pari nga brenda në fushën politike, ekonomike, sociale e që të bëhet shembull i mirë i jetesës së pari për popullsinë e vet. Që Kosova të frymëzojë e të reflektojë për të mirë për popullsinë që jeton në Kosovë. Që Kosova të jetë shembull i përparimit në shumë fusha. Që çdo vizitë e pjesëtarëve të diasporës të përfundojë me dëshirën për të vazhduar ende pushimet apo qëndrimin në Kosovë. Që në bisedat e diasporës pas vizitës në Kosovë të fillojnë me marrjen e shembujve pozitiv. Kosova duke e forcuar pozitën e vet në aspektin e mbrendshëm dhe të jashtëm shtetëror do bënte që edhe gjeneratat e reja të Diasporës të lindur e të rritur jashtë Kosovës të ndjejnë krenarinë e të qenurit pjesëtar i Kosovës…