Si u njoha me mbesën e Mandelës
Shkruan: Moza Boletini
Për nder të 100 vjetorit të lindjes së heroit të Afrikës së Jugut Nelson Mandela, Kombet e Bashkuara në New York organizuan një recension libri dedikuar figurës madhore të tij. E ftuara speciale ishte mbesa e heroit Zamaswazi Dlamini-Mandela, njëherësh edhe autore e librit “The Prisson Letters of NELSON MANDELA”. Në përmbajtje të librit, i cili i kishte marrë dhjetë vite realizimi korrektores dhe mbesës së tij, ishin letra, dorëshkrime origjinale të mbledhura, foto të vetë heroit dhe gjyshes së Zamaswazit, Winnie Mandela. Letrat e paraqitura ishin të shkruara me dorë ose makinë shkrimi. Sipas specialistëve letrat ekzistuese me makinë shkrimi, i drejtoheshin kryesisht presidentëve dhe administratës së shtetit, shtypur nga njerëz të tjerë, por me autorësi të Nelson Mandelës, ndërsa ato me shkrim dore familjes dhe të afërmve të tij.
Aty pata rast të takoj nga afër edhe mbesën e heroit Nelson Mandela, Zj. Dlamini-Mandela. Folëm së bashku edhe rreth persekucionit politik që ka përjetuar populli ynë për afro gjysëm shekulli nga rregjimi komunist në Shqipëri. Më dëgjoi me vëmendje, ndjeu emocion që isha e pranishme në atë event dhe më la hapësira për komunikime të mëtejshme. Ishte femër e zgjuar, fisnike, e dashur e thjeshtë dhe mirënjohëse për këdo që e kishte respektuar me praninë e tij/saj për nder të figurës së gjyshit të saj. Në takim folën moderatori i aktivitetit Andrew Gilmour, Zamaswazi Dlamini-Mandela dhe bashkëautorja e librit Sahm Venter. Më pas u kalua në pyetje e përgjigje nga salla. Sipas mbesës së heroit, një ndër shprehjet më brilante që kishte në mendje nga gjyshi i saj, ishte aftësia e tij për të falur.
Ish Presidenti Legjendë i Afrikës së Jugut, i burgosur politik për 27 vite nga apartheidi, sipas mbesës së tij, kishte natyrë të qetë, ishte i durueshëm sigurisht edhe një intelektual i mirëfilltë për kohën që jetoi e deri në veprat që la pas. Por njëherësh ai kishte edhe një shpirt karizmatik. Libri përmban 255 letra, disa nga të cilat edhe ishin bërë publike për median kohë pas kohe. Zamaswazi Dlamini-Mandela është mbesa e Nelson Mandelës dhe Winnie Mandela. Merret me biznes dhe publicistikë, ështe folëse e njohur për të drejtat e njeriut dhe përkthyese. Si pasardhëse e gjyshit të saj, ndjek me përkushtim linjën e tij të paqes dhe demokracisë në botë. Ndërsa korrektorja dhe bashkëautorja e librit Sahm Venter, ështe gazetare me një eksperiencë njëzet vjeçare dhe recensioniste e librit e hulumtuese e figurës së heroit Nelson Mandela.
Eventi u moderua nga Asistenti Gjeneral i të drejtave humane pranë OKB Andrew Gilmor. Pjesëmarrja ishte e gjerë, që nga aktivistë të të drejtave të njeriut, studentë, diplomatë, studiuesë e gazetarë të mediave të ndryshme.
Nelson Mandela (Rolihlahla Dalibhunga Mandela) lindi më 18 korrik të vitit 1918. Ishte President i Afrikës së Jugut dhe luftëtar i lirisë, i cili luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej njerëzve me ngjyrë në Afrikën e Jugut. Ai studjoi për juridik. Shumë vite të jetës së tij i kaloi nëpër burgje. Fillimisht Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe shokëve të tij. Në vitin 1956 ai u akuzua për “tradhëti të lartë” nga rregjimi i atëhershëm bashkë me 155 shokë të tjerë, të cilët u akuzuan për luftë të armatosur dhe burgim të përjetshëm. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit në qoftëse do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi. Në vitin 1990 mbajti një fushatë të ANC dhe nga presioni ndërkombëtar lirohet pa kushte.
Në vitin 1993 ai fitoi çmimin Nobel. Kurse në vitin 1994 u zgjodh me zgjedhje demokratike President i Afrikës Jugore dhe më 9 maj u zgjodh si President i parë me ngjyrë në vend. Në vitin 1999 dha dorëheqje dhe ishte aktiv për organizatat e të drejtave të njeriut. Në vitin 2013, më 5 dhjetor, ai ndërron jetë. Ai ishte një hero, simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit. Cilësohej si njeri i thjeshtë karizmatik dhe besnik, si një njeri që kujdesej shumë për të tjerët. Që në moshë të re u bë aktiv në lëvizjen anti-apartheid dhe ju bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Pas përfundimit të juridikut së bashku me mikun e tij Oliver Tambo, themeluan firmën e parë të avokatisë të njerëzve me ngjyrë në Afrikën e Jugut me qendër në Johanesburg, ku i jepnin këshilla falas ose me çmim të ulët njerëzve me ngjyrë. Gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit Nobel për Paqen ai deklaroi: “Jug-afrikanët kanë krijuar një shoqëri, e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë, dhe se së bashku mund të luftojmë sfidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë”.
Mimoza Boletini është themeluese dhe kryetare e shoqatës The Women’s Organization Hope & Peace dhe është mbesa e heroit kombëtar Isa Boletinit.