Të drejtat politike dhe sociale të diasporës të pa trajtuara ligjërisht
Të hënën, më 11 dhjetor 2017, Germin prezantoi të gjeturat nga raporti preliminar mbi Diasporën Shqiptare në Gjermani, me synim të adresimit të kërkesave, sfidave dhe mundësive të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjeturat u prezantuan para përfaqësuesve të legjislativit, Ministrisë së Diasporës, Zyrës së Kryeministrit, KQZ-së, si dhe organizatave të tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Behar Xharra drejtor ekzekutiv nga Germin ka hapur tryezën “Diaspora kërkon rol në të ardhmen e Kosovës”, duke potencuar të drejtat politike dhe sociale të diasporës në Kosovë.
Në anën tjetër, Liza Gashi, ka prezantuar rezultatet preliminare të të gjeturave nga hulumtimi me bashkatdhetarët në Gjermani, në kuadër të nismës Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës.
Gashi potencoi se disa nga të gjeturat kryesore të identifikuara në takimet e mbajtura në Düsseldorf, Köln, Frankfurt dhe Stuttgart, tregojnë se diaspora shqiptare në Gjermani është shumëllojshme, e ndarë politikisht dhe ndër-gjeneratash, si dhe ka një strukturë të paorganizuar. Në bazë të hulumtimit, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit nuk mendojnë se i gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligj. Po ashtu, mungesa e informacionit mbi të drejtat e tyre në Kosovë mbetet sfidë.
Ky raport përmbledh edhe sfidat e mësimit plotësues të gjuhës amtare, perceptimet e diasporës dhe mosbesimin e krijuar karshi institucioneve politikëberëse që nga paslufta. Ndërsa për procesin e votimit në Kosovë, ata kanë kritikuar sistemin e tanishëm si jo të përshtatshme.
Kurse, Arian Daci zv.ministër nga Ministria e Diasporës, përshëndeti organizimin e kësaj tryeze, duke theksuar se zgjedhjet e fundit kanë hapur një debat sa i përket pjesëmarrjes së diasporës në votim. Gjithashtu z. Daci theksoi se: “Ju kujtojmë që sapo kemi nënshkruar tre marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë, të cilat do ta lehtësojnë adresimin e problemeve për gjithë diasporën shqiptare drejtë zgjidhjes sa më efektive”.
Jahja Lluka nga zyra e Kryeministrit theksoi se duhet të bëhen ndryshime të Kushtetutës dhe të shqyrtohen mundësitë për përfaqësimin e Diasporës në Parlament dhe vendimmarrje. Kurse, Time Kadraj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, theksoi se janë në pritje të Projektligjit të Diasporës dhe veçse kanë filluar diskutimin e këtyre temave më herët mes Komisionit për punë të jashtme dhe Ministrisë së Diasporës, duke u bazuar në kontributin e Diasporës në Kosovë.
“Më e pakta që mund të bëjmë është që këto kërkesa duhet të trajtohen ligjërisht ashtu siç do të duhej, dhe nuk besoj që dikush në këtë tryezë beson ndryshe”, tha deputetja Kadriaj.
Sami Kurteshi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje tha se angazhimi i mërgatës në skenën politike është i padëshiruar nga qeveria e Kosovës, për arsye se në Kosovë është krijuar një klientelë, që nuk dëshiron një mendësi tjetër të zhvillimit në Kosovë.
“Fenomenet negative, si haraqi dhe klientelizmi e kanë vështirësu qasjen e Diasporës për të investuar në Kosovë, e mos të flasim për konsullatat dhe ambasadat ku i kemi të gjithë përfaqësues familjar dhe pa asnjë përgatitje profesionale. Gjithashtu duhet theksuar se buxheti i Kosovës nuk ka ndarë asgjë sa i përket mërgatës”, tha Kurteshi.
Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës, potencoi se forcimi i ligjit është rrugë që kjo kategori të jetë më afër nesh dhe të shpërblehen për kontributin qe kanë dhënë në Kosovë, duke shtuar: Ne duhet të përfundojmë një mori obligimesh si përfaqësues të popullit ndaj diasporës sonë. Puna e mërgatës është një pasqyrim tragjik i historisë së Shtetit tonë.
Në përfundim të tryezës, “Diaspora kërkon rol në të ardhmen e Kosovës”, të gjithë përfaqësuesit nga institucionet dhe partitë politike u zotuan se janë të gatshëm të ndihmojnë në adresim e kërkesave dhe rekomandimeve nga ky raport institucionalisht, si formë e vetme për të mundësuar ekzekutimin e të drejtave sociale dhe politike të këtij komuniteti.
***
Iniciativa Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës përkrahet nga programi Promovimi i Shoqërisë Demokratik – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Danimarkës (DANIDA). Ndërsa, formati i takimeve DiasporaFlet nëpër Gjermani, financohet nga DIMAK dhe PME, projekte këto të implementura në kuadër të Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.