Angazhimi i Diasporës Për Zhvillim të Politikave

Vendet anembanë botës po eksplorojnë potencialin e Diasporës së tyre për të kontribuar në zhvillimin e atdheut. Në rastin e Kosovës, Diaspora vazhdon të jetë burim i madh financiar nëpërmjet remitancave (15% e PBB-së gjatë vitit 2017). Përtej dërgimit të parave, Diaspora vazhdon të ketë lidhje të ngushta e emocionale me Kosovën dhe është e gatshme për të dhënë kontribut në zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit amë. Andaj, krijimi dhe zhvillimi i programeve që ofrojnë hapësirë për angazhimin e tyre është thelbësor për të optimizuar rëndësinë e Diasporës në drejtim të adresimit të nevojave, shqetësimeve dhe mundësive për të qëndruar sa më të lidhur me atdheun.

Përkundër faktit që Kosova ka bërë disa përparime të nevojshme me qëllim të organizimit të diasporës dhe në njohjen e rëndësisë së kontributit të tyre me krijimin e Ministrisë së Diasporës në vitin 2011, është bërë shumë pak në përfshirjen e komuniteteve të Diasporës në proceset e hartimit të politikave. Jemi akoma mbrapa në krijimin e mekanizmave që mundësojnë përfshirjen e zërave të Diasporës në kornizën legjislative dhe institucionale për zhvillimin e shtetit. Nëse këtë e kthejmë në numra, do të thotë se kontributi dhe perspektiva e një prej grupeve më të mëdha shoqërore të Kosovës (800,000 sipas organizatës ndërkombëtare për migrim IOM) nuk është e përfaqësuar në politikëbërje.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në Kosovë është duke punuar në dy dokumente shumë të rëndësishme për Diasporën: 1. Projektligji për Diasporën dhe 2. Strategjia dhe Plani i Veprimit 2019 -2023. Germin ka filluar nismën Angazhimi i Diasporës për Zhvillimin e Politikave, që synon të sigurojë që zëri i diasporës është i pranishëm dhe do të kanalizohet në këto dy dokumente shumë të rëndësishme, ku bëhet fjalë për zbatimin e të drejtave politike, socio-ekonomike dhe kulturore për bashkatdhetarët.

Qëllimi gjithëpërfshirës i këtij projekti është që të lehtësojë kontributin e Diasporës në Kosovë gjatë procesit të hartimit të politikave dhe strategjive, në veçanti të Strategjisë së Diasporës 2019 -2023 dhe Projektligjit për Diasporën.

Germin përmes kësaj nisme synon:

  1. Të avancojë zërin e Diasporës në hartimin e politikave dhe strategjive me anë të forumeve dhe kanaleve të reja teknologjike;
  2. Të përfshijë aftësitë dhe njohuritë e pjesëtarëve të Diasporës që proceset gjatë zhvillimit të politikave dhe legjislacionit të jenë sa më gjithëpërfshirëse;
  3. Të fuqizojë pjesëtarët e shtatë task forcave të krijuara nga Germin për të marrë pjesë në proceset politikëbërëse në Kosovë.

Disa nga aktivitetet kryesore:

  1. Forumet e Diasporës për analizim dhe angazhim në hartimin e politikave;
  2. Opinione dhe Editoriale lidhur me temën Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave dhe rëndësinë për përfshirjen e komuniteteve jashtë vendit në zhvillimin e politikave;
  3. Punëtori me komunitetet e Diasporës në tri shtete (Zvicër, Gjermani dhe Austri) për të diskutuar dhe avancuar zërin e diasporës për Strategjinë e Diasporës dhe Projektligjin për Diasporës; dhe
  4. Diskutime virtuale për këto politika publike në kanalin Google Hangouts, me pjesëtarët e Shtatë Task Forcave të Germin dhe pjesëtarëve të tjerë nga Diaspora.

Kjo nismë do të përfshijë anëtarët nga Diaspora, institucionet vendimmarrëse në Kosovë dhe subjekte të shoqërisë civile.

***

Ky grant financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).