Çka do të ndodhë me 10 vite pensione të mijëra punëtorëve mërgimtarë të kthyer nga Zvicra
Marrëveshja për sigurimet shoqërore, e njohur si “marrëveshja e pensioneve” në mes të Kosovës dhe Zvicrës është preokupim për shtetasit e Kosovës që kanë punuar në Zvicër dhe më gjerë që nga dita kur kjo marrëveshje është ndërprerë, më 1 prill 2010. Ndonëse, më 1 qershor të vitit 2017 është nënshkruar marrëveshja e re nga grupet teknike nga të dyja shtetet, mjerisht diskriminimi ende nuk është shmangur. Në rast se marrëveshje e re ratifikohet, përjashton nga përfitimi shumë të prekur për një periudhë gati 10 vjeçare, kontribuues në arkat e sigurimeve shoqërore të Zvicrës.
Për të diskutuar më shumë për këtë temë, organizata jo-qeveritare Germin organizoi diskutim virtual më 18 dhjetor 2017, që mblodhi përfaqësues nga Qeveria, Parlamenti dhe ekspertë të çështjes nga Zvicra. Paneli diskutues përbëhej nga: Osman Osmani (Sekretar Nacional për Migrim në Sindikatën Unia, Zvicër), Besa Baftiu (deputete nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, RKS), Hilmi Gashii, (Bashkëdrejtues i Regjionit Berner Oberland në Sindikatën Unia, Zvicër), Bahri Xhaferi (Drejtor i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, RKS), Ruzhdi Ibrahimi,(Ekspert i sigurimeve shoqërore në Zvicër).
Përfaqësuesit nga sindikata Unia u shprehën se kjo organizatë është angazhuar në të gjitha etapat për ruajtjen e vazhdimësisë së sigurisë sociale mes Zvicrës e Kosovës, pas ndërprerjes të zbatimit të saj dhe arritjes së marrëveshjes së re të sigurimeve shoqërore. Kjo sepse me ndalimin e marrëveshjes shtetasit nga Kosova që kanë punuar në Zvicër dhe janë kthyer në Kosovë nuk kanë pasur mundësi në eksportimin pensioneve të tyre plotësisht të merituara në vendlindje.
“Me ndërprerjen e marrëveshjes, është shkaktuar një shok i madh për Kosovën, pasi që një numër i banorëve janë rikthyer dhe nuk kanë të drejta për ta marrë pensionin si dhe përfitime tjera nga sigurimet shoqërore dhe nuk gëzojnë të drejta të barabarta” – u shpreh z. Ibrahimi. Ai në vazhdim potencoi se nga mungesa e marrëveshjes të prekur janë të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët tani jetojnë dhe zhvillojnë një veprimtari ekonomike në Zvicër si dhe ata të cilët kanë kryer një veprimtari ekonomike më herët në Zvicër dhe tani janë të kthyer në Kosovë si dhe familjarët e ngushtë të tyre.
Në anë tjetër, z. Gashi u tha se kjo çështje është politizuar nga partia popullore zvicerane, të cilët kanë zhvilluar fushatë propagandistike e presioni politik kinse pensionet e invaliditetit janë keqpërdorur nga punëtorët mërgimtarë. Në anët tjetër, z. Gashi potencoi se edhe institucionet përgjegjës të Kosovës kanë injoruar këtë çështje vitale për interesat e qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar dhe punojnë në Zvicër. Kombinimi mes presionit politik në Zvicër dhe neglizhenca e Kosovës zyrtare ka quar deri te mosvazhdimi i marrëveshjes me pasoja të rënda për pensionistët kosovarë. Kurse, z. Osmani ka treguar se Unia dhe aktivistët mërgimtarë shqiptar bashkë edhe me zviceranë dhe të huaj që nga viti 2010 kanë punuar për të gjetur një zgjidhje që mënjanon padrejtësinë dhe diskriminimin e kontribut-paguesve nga Kosova dhe njëherazi edhe për ta përshpejtuar procesin për nënshkrimin e marrëveshjes së re.
“Mjerisht kanë kaluar shumë vite, por rekomandimet e miratuara nga Parlamenti i Kosovës nuk janë zbatuar me prioritet nga Qeveria e Kosovës, gjë që ndoshta mund të arsyetohet nga fakti i shtetësisë së brishtë dhe përvojës së mangët profesionale. Fajin nuk mundemi t’ia kalojmë vetëm Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, edhe përkundër faktit të mos reagimit adekuat apo neglizhencës”, u shpreh z. Osmani, duke kërkuar nga autoritetet kosovare që të mos të vazhdojnë i anashkalojnë kontribuesit zviceran si: përgjegjësit kryesor të sindikatës Unia edhe sindikatave tjera; pastaj partnerët e tyre politik, nga të cilët po veçojmë zotëri Ueli Leunberger, ish-parlamentar nacional dhe ish-kryetar kryetar i Partisë së Gjelbër të Zvicrës, zonjën Barbara Gysi, parlamentare dhe anëtare e komisionit parlamentar zviceran për politika sociale si dhe nënkryetare e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.
Osmani shprehi brengat se edhe përkundër mundësisë dhe premtimit nga pala zvicerane që Marrëveshja të fuqizohet deri në fund të vitin 2017 për të filluar zbatimi i saj qysh nga fillimi i vitit 2018, kjo tani për arsye objektive e subjektive të palës së Kosovës është vënë në pikëpyetje. Pikërisht për të filluar proceduarat fuqizuese ai në fillim të muajit nëntor 2017 ka dërguar e-mail tek Ministri z. Reçica, zyra e Kryeministrit dhe ka kontaktuar edhe Kryetaren e Komisionit përgjegjës të Kuvendit të Kosovës, por që mjerisht nuk është reaguar fare dhe se nuk ka marr akoma përgjigje.
Kurse përfaqësuesit nga institucionet politikëbërse, u shprehën se Qeveria e Kosovës e ka vendosur si prioritet ratifikimin e kësaj marrëveshje. z. Xhaferi, si drejtor i departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale u shpreh se Kosova padrejtësisht ka ndërprerje të plotë të marrëveshjes dhe se ekzekutivi nga mesi i janarit 2018 do të raportoj tek Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale pranë Parlamentit të Kosovës. Ndërsa, z. Baftiu u shpreh se legjislatura e IV e Parlamentit të Kosovës ka debatuar dhe kanë dal rekomandime nga deputetët, mirëpo rezoluta e aprovuar njëzëri nga Kuvendi i Kosovës nuk është përfillë sa duhet nga Qeveria e Kosovës.
“Ne jo që e kemi harru problemin, mirëpo kemi prit deri sa Qeveria e Kosovës ta kaloj 100 ditëshin e saj dhe tani do të kërkojmë raportime nga z. Reçica rreth punës që e ka bërë Qeveria për marrëveshjen e pensioneve”, potencoi deputetja Baftiu.
Për fund, u kërkua që në këtë proces të kyçen edhe ekspertët shqiptar, të cilët janë anashkaluar gjatë procesit si dhe të ketë mirëkuptim nga ana e Qeverisë së Kosovës për t’i përfshirë edhe bashkëpunëtorët e ngushtë jo-shqiptar./Germin/