DiasporaFlet n’Oslo: Bashkëbisedim me mërgimtarët në Norvegji
Organizata jo-qeveritare Germin ishte në Oslo më 29 prill 2017 për të bashkëbiseduar me mërgimtarët atje për të drejtat politike dhe sociale të tyre në vendet amë. Ky udhëtim u realizua në kuadër të iniciativës Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës, që ka për synim të krijojë një bashkëpunim në mes të komunitetit shqiptarë dhe institucioneve publike.
“Bashkëbisedimi në Oslo, ishte mënyra më efikase për Germin-in që të marr informata të hollësishme për mendimet dhe perceptimet e diasporës”, tha Liza Gashi, drejtoreshë e programeve në Germin. Gjatë këtij takim u prezantua iniciativa Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës si dhe platforma Diasporaflet.org. Në këtë takim, u diskutuan tema të ndryshme, duke përfshirë problemin e identitetit dhe shtetësisë, integrimin e shqiptarëve në Norvegji, mësimi i gjuhës shqipe, dhe angazhimin e profesionistëve nga diaspora.
Gjatë këtij takimi u prezantuan edhe disa iniciativa nga individët dhe organizatat e ndryshme në Norvegji.
Ilir Daci, një biznismen i suksesshëm në Oslo, me prejardhje nga Mali i Zi, i lindur në Kosovë, tregoi për Apartment’s Company, biznesi ku ai është pronar. Firma e tij, sot është një ndër më të suksesshmet në Oslo, ku nga 6 apartamente që kishe në fillim, sot në vitin 2017 kanë rreth 180. Daci dhe shumë të tjerë sot janë pjesë e Rrjetit të Biznesve Shqiptare në Norvegji, që është pasqyrim se shqiptarët kanë arritur suksese në shumë fusha. Ndërsa Fatmir Lekaj, nga rrjeti i Profesionistëve Shqiptarë në Norvegjia shpjegoi për integrimin e shqiptareve dhe nocionin e integrimit, asimilimit, sekretimit dhe kulturalizmit.
Ndërsa Shemsi Bunjaku, gazetar në televizionin shtetëror të Norvegjisë (NRK), foli për problemet e identitetit dhe shtetësisë për shqiptarët në Norvegji. Në shumë raste, kur shqiptarët të cilët aplikojnë për pasaportë të re, shteti i lindjes ju shkruan Serbia. Në këtë rast, disa mund ta shkruajnë Kosova, ndërsa të tjerët jo. Pra, praktimi nga autoritetet norvegjeze nuk është i njëjtë.
“Norvegjia po kërkon prej një numri të shqiptarëve ta shkruajnë shtetin e lindjes Serbinë gjatë marrjes së pasaportave të reja. Kjo është e papranueshme nga ana jonë”, u shpreh Bunjaku.
Andaj, kjo ngjarje mund të jetë edhe si pik fillim për të filluar nismën për një peticion ndaj shtetit norvegjez për të kërkuar që shqiptarëve të ju largohet vendi Serbia, potencoi Bunjaku.
Në këtë ngjarje, duke marr parasysh që mikrofoni ishte i hapur për të gjithë, mundësi patën dhe të tjerë të shpalosin idetë, kërkesat dhe punën që ata e bëjnë për komunitetin shqiptar dhe vendin amë. Anëtar të Lobit Euro-Atlanik Shqiptar, dega në Norvegji folën për punën e tyre si shoqatë dhe rëndësinë e integrimit të shqiptarëve. Ndërsa Gazmend Berisha foli për rrjetin e mjekëve shqiptarë në Norvegji, të cilët sot edhe pse të pakët në numër, kanë arritur shumë suksese.
Në kuadër të vizitës në Norvegji, shfrytëzuan rastin t’i realizojnë disa takime frymëzuese duke parë nga afër punën e shumë shqiptarëve atje, si dhe mënyrat, me të cilat ata kanë arritur t’i tejkalojnë pengesat gjatë rrugëtimit të tyre atje. U takuan me shoqatën e studentëve shqiptarë në Norvegji Albanks Ungdom, të cilët kanë ndihmuar Germin në të gjitha përgatitjet logjistike. U takuan me analistin Sylo Tarakun, profesionistë të rinj, biznesmen sikurse Ilir Daci dhe Korab Thaqi, dhe prezantuan punën në radion shqiptare, Radio Rilindja.
Germin është duke vazhduar udhëtimin në disa shtete të botës për t’u takuar me bashkatdhetarët tanë. Në fund të muajit, Germin publikon raportin e parë me kërkesat dhe sugjerimet e dala nga Fokus Grupi si dhe ngjarja DiasporaFlet n’Oslo. Nga këto takime, do të themelohet Grupi Avokues i Diasporës, i përbërë me tema të ndryshme.