9 vjetori i Pavarësisë së Kosovës dhe Epopeja e UÇK-së u festua edhe në Stamboll
Me datë 05.03.2017, në Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll, nën organizimin e Unionit Studentor Shqiptar në Turqi (USSHT), u festua 9 vjetori i Pavarësisë së Kosovës dhe Epopeja e UÇK-së. Përveç një numri të konsiderueshëm të studentëve shqiptarë në Turqi, të pranishëm ishin edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Stamboll z. Rrahim Morina, Drejtori i QKK-së z. Qamil Bytyçi, Oficer i Forcave të Armatosura të RSH z. Emrush Bejdo, N/Kolonele znj. Majlinda Sallaku, Kapiten i FSK-së dhe ish ushtar i UÇK-së z. Basri Topalli, si dhe shqiptarë që jetojnë në Turqi prej një kohe të gjatë.
Moderuar nga studentja Ora Bytyçi, programi filloi me disa fjalë përshëndetëse dhe falënderuese nga Kryetari i USSHT Jetlir Kovaçi, më pas z. Basri Topalli – Kapiten i FSK-së dhe ish ushtarë i UÇK-së, dhe në fund Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Stamboll z. Rrahim Morina, i cili poashtu shprehu fjalë falënderuese dhe shpalosi shkurtimisht rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë së saj. Për të treguar, përkujtuar dhe kurrë për të mos e harruar rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë u shfaq një film i shkurtër dokumentar i titulluar “Kosova në kërkim të lirisë”, përgaditur nga USSHT. Nuk munguan as tingujt e kitarës nga artisti Lian Lutfija. Një fjalë përshëndetëse e bëri edhe artistja Linda Kalemi duke përgëzuar studentët për organizimin e aktiviteteve të tilla.
Në fund të programit u organizua edhe një koktej rasti. Mbrëmja vazhdoi me këngë të bukura shqiptare, kurse të pranishmit e zbukuran mbrëmjen me valle e argëtim.
Unioni Studentor Shqiptar në Turqi duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, Qendrën Kulturore me drejtor z. Qamil Bytyçi, Konsullin e Përgjithshëm të Rep. së Kosovës në Stamboll z. Rrahim Morina, shpreson në vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta me të gjithë studentët shqiptarë.