Marin Mema: “Asimilimi i Shqiptarëve”

26 tetor 2017, në ora 19:00, mbahet konferencë-debati « Asimilimi i Shqiptarëve » në sallën 1612 në ndërtesën Geopolis e Universitetit të Lozanës, me gazetarin Marin Mema i cili është i njohur për punën dhe hulumtimet tejet të rëndësishme rreth historisë së Shqiptarëve.

Asimilimi i Shqiptarve në trojet e tyre etnike, jashtë kufijve të shteteve të sotme të Shqipërisë dhe Kosovës, është proçes i dhunshëm i bërë nga fqinjët në Ballkan. Sanxhaku në Serbi, Plava dhe Gucia në Mal të zi, Çamëria në Greqi, Ilirida në Maqedoni etj. gjatë historisë dhe deri më sot kanë pësuar nga presioni i madh i politikës dhunuese, diskriminuese dhe asimiluese të këtyre shtetëve. Dhuna, mohimi i gjuhës, mungesa e shkollave shqipe, ndërrimi i mbiemrave, presioni ndaj Shqiptarëve për të ikur nga trojet e tyre etj. janë disa nga mjetet që janë përdorur për t’i frikuar Shqiptarët nga ruajtja dhe shprehja e identitetit të tyre kombëtar. Dhe sot, në disa prej këtyre trojeve, Shqiptarët janë asimiluar tërësisht, në tjera, mbetën Shqipëtar por nuk e kanë guximin t’a shprehin identitetin jashtë shtëpisë së tyre, dhe shpesh nuk ua mësojnë gjuhën fëmijëve. Dhe kështu, me kalimin e kohës, shndërrohet identiteti i tyre Shqiptar në Grekë, Boshnjak, Maqedonas apo tjetër.

Fatkeqësisht, nuk është vetem dhuna fizike dhe psikologjike që shtynë një individ deri në mohimin ose humbjen e identitetit kombëtar dhe asimilimin e tij në një tjetër komb. Emigrimi në shtetet perëndimore, sikurse jemi ne në Zvicër, rrezikon gjithashtu humbjen e kulturës, gjuhës dhe identitetit nëse me kalimin e gjeneratave nuk bëhet kujdesi i duhur për t’i trashëguar ato.

Cilat janë shkaqet e asimilimit dhe si mundemi të punojmë së bashku për t’u mbrojtur nga ky rrezik ? Për të biseduar më gjërë rreth kësaj teme, ju ftojmë në debat me gazetarin Marin Mema, ku do ti jepet përparësi pyetjeve dhe shkëmbimit të ideve mes jush dhe mysafirit tonë.

Shoqata e Studentëve Shqiptar të Lozanës