Mbrëmje boksi për diasporën
Të premten më 28 korrik në palestrën ‘Karagaçi’ të Pejës do të zhvillohet një mbrëmje e madhe e boksit, ku do të boksojnë Shpëtim Shala, Faton Vukshinaj, por edhe disa boksierë tjerë.
Shpëtim Shala është boksier profesionist nga Peja, i cili jeton në Vjenë të Austrisë, derisa do të zhvillojë duelin e 25-të profesionist. Shala i cili kësaj radhe do të garon në kategorinë e mesme, do të ketë për kundërshtar 33-vjeçarin Chiotcha nga Malawi i Afrikës.Në duelin e dytë kryesor të mbrëmjes do të ngjitet në ring boksieri shqiptar me prejardhje nga Prizreni, i cili është i lindur dhe jeton në Bazel të Zvicrës, fjala është për 26-vjeçarin Faton Vukshinaj.Pas gjithsejtë 70 dueleve në boksin amator si dhe në kikboks, ku arriti të bëhet edhe kampion bote, Vukshinaj ka kaluar në disiplinën më të lartë të sporteve luftarake, në boksin profesionist më 4 shkurt 2017 dhe nga ajo ditë deri tani i ka zhvilluar tre duele, i ka arritur tre fitore dhe të gjitha me nokau.
Pos Shalës dhe Vukshinaj në këtë mbrëmje do të ketë edhe disa duele të tjera atraktive, me Bernardin Jakaj, Edonis Beqiri etj. Gjithsesi një mbrëmje e shkëlqyer për boksdashësit e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë të cilët gjinden në pushime në vendlindjen e tyre dhe mund të kalojnë disa orë të bukura sportive në palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë në ora 18:00.