Kronikë nga Samiti i G20 në Gjermani

Siç ishte njoftuar nga media, Samiti i G20 u mbajt nga datat 7- 8 Korrik 2017 në Hamburg të Gjermanisë. Në të morën pjesë krerët e shteteve më të fuqishme ekonomike botërore. I pranishëm ishte edhe Presidenti i SHBA Donald Trump, i cili sipas komenteve të Shtëpisë së Bardhë, paraprakisht i shprehu mbështetjen e tij kancelares Merkel për Samitin e G20.

Gjithashtu Shtëpia Bardhë sqaroi më parë, se gjatë bisedës telefonike liderët diskutuan rreth “Marrëveshjes së Parisit” për klimën, iniciativës për financime të pjesëmarrjes së grave në bisnes dhe për tregëtinë, duke përfshirë edhe çështjen mbi kapacitetin e tepërt global të çelikut. Po gjatë kësaj telefonate presidenti Trump i tha kancelares Merkel se ndihet i gëzuar që mund të ndihmojë që Samiti të ketë sukses.

Në Samitin e G20, u mblodhën presidentët dhe kryeministrat e vendeve me kapacitete të fuqishme ekonomike dhe botërore, ku diskutuan kundër terrorizmit, ndryshimet klimatike, tregëtisë së lirë dhe çështje të tjera, por ky samit nuk kaloi pa kontradikta që priteshin, veçanërisht për Marrëveshjen e Parisit mbi klimën globale dhe shfuqizimin e subvencioneve të karburanteve.

Para fillimit të punimeve të samitit presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan për herë të parë takimin dy krerësh në Hamburg.

Hamburgu u përfshi në flakë nga protestuesit, të cilët përshkallëzuan lëvizjet e tyre në bllokime rrugësh, vandalizma duke djegur dhe shkatërruar makina dhe dyqane, mësyn rezidencën ku ishte akomonduar presidenti Trump, të cilët bënë të pamundur qarkullimin e lirë të First Lady të SHBA Melania Trump, si dhe sulmuan hotelin ku ishte vendosur presidenti Putin. Situata i doli jashtë kontrollit policisë dhe qeverisë së Hamburgut, prandaj kërkuan përforcime nga shtete të tjera rreth Gjermanisë.

Për të sjellë ushtrinë e tij, i gatshëm u tregua edhe presidenti Putin, por me ardhjen e disa helikopterëve dhe forcave policore nga shtete të tjera brenda Gjermanisë gjendja u stabilizua. Qarkullimi i lirë i qytetarëve u bë pothuajse i pamundur, dyqanet dhe shumë institucione u mbyllën, kudo protestuesit ardhur edhe nga shtete të ndryshme të botës, si kundërshtarë të këtij samiti si anti – kapitalist, vërshuan nëpër rrugët e Hamburgut ku ishin mbi 10,000 persona, protestat e të cilëve si fillim ishin paqësore, ku për ruajtjen e qetësisë dhe rendit forcat gjermane angazhuan 20 mijë policë ne Hamburg, kancelarja Merkel u bëri thirrje demonstruesve që të qëndronin të qetë kur të protestonin kundër Samitit G20, por kur protesta mori përmasa të tjera, policia u përball ato ditë me mijëra ekstremistë të dhunshëm anti – globalistë. Numri i tyre u rrit ndjeshëm dhe veprimet e tyre vandale nuk u përballuan dot vetëm nga policia vendase.

Nga ana e saj kancelarja Merkel gjatë zhvillimeve të Samitit te G20 në Pallatin e Kongreseve në Hamburg, u shpreh duke thënë se “Ne i dimë qëndrimet e qeverisë amerikane për çështje të caktuara dhe nuk pres – tha ajo – që brenda këtij samiti dy-ditor në Hamburg të ndryshojnë këto qëndrime rrënjësisht”.

Ushqimi dhe Qendrat e urgjencës mjekësore brenda ambjenteve të Pallatit të Kongreseve ishin në gadishmëri të plotë dhe të një niveli të lartë shërbimi 24 orë, vetë Pallati i Kongreseve qëndroi për katër ditë hapur 24 orë, ku priti, mbajti dhe përcolli mysafirët e Samitit.

Para fillimit të samitit Kancelarja Merkel zhvilloi takime dhe konsultime me krerët e Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane që morën pjesë në samit, si dhe zhvilloi bisedime telefonike me presidentin e Rusisë, Kinës dhe Koresë së jugut.

Në Samitin e G20, në një paralajmërim të tij nuk mori pjesë Mbreti i Arabisë Saudite. Shkak, sipas kësaj mbretërie, ishte konflikti midis Arabisë Saudite dhe Katarit.

Ndër udhëheqësit kryesorë të këtyre shteteve Zonja Merkel u përshi në takime me presidentin Trump, Zonjën May, presidentin e ri të sapo zgjedhur francez Emmanuel Macron, etj. Si përfundim shtetet e G20 arritën në një kompromis dhe deklaratë të përbashkët përsa i përket tregëtisë së lirë dhe luftës kundër proteksionizmit.

Në mbështetje të Samitit G20 në Hamburg, u mbajtën një sërë koncertesh nga këngëtarët dhe artistët më të famshëm të botës, si brenda Pallatin të Kongreseve dhe jashtë ambjenteve të tij. Po në Hamburg, në Filharmoninë më të famshme botërore, u dha një koncert me muzikë klasike, ku morën pjesë edhe presidentët botërorë, përfshi edhe Donald Trump me bashkëshorten e tij Melania Trump.

Në një nga seancat e këtyre punimeve pata rastin të njoh si të ftuar gjithashtu edhe shqiptaren Ornela Mulla, studente e shkencave politike në Universitetin e Torontos në Kanada, e cila ishte duke ndjekur studimet e nivelit Master në Munk School of Global Affairs në Berlin.

* * *

Pas C20 dhe G20 në Gjermani

Pas përfundimit të Samitit C20 dhe G20 në Gjermani, ku rastësisht u takova aty me studenten shqiptare e cila ndiqte studimet për shkenca politike në Berlin Ornela Mulla, ftuar edhe ajo në Samitin e G20 në Hamburg, patëm mundësi të vizitonim qytetin përreth Hamburgut, muzeumet, institucione të rëndësishme kulturore e historike, si dhe “Beatles Plaza”, ku bën emër për herë të parë dhe u njohën si të famshëm këngëtarët e grupit “Beatles” dhe banda e tyre muzikore, Muzeun e Çokollatave, Portin më të madh Detar në botë që lidh Gjermaninë me të gjitha vendet e botës,  ndërtesën e Elbphilharmonie, Simbolin e Der Koenig Der Loewen (The Lion King) ku shfaqen spektakle të rrymave të ndryshme muzikore dhe xhirohen jo vetëm filmat e njohur gjerman por edhe ato Hollivudian.

Pas Hamburgut udhëtuam drejt Berlinit. Atje vizituam Murin e Berlinit dhe Muzeun e Murit të Berlinit. Muri i Berlinit u ndërtua me 13 gusht 1961 dhe u shkatërrua më 9 nëntor 1989, por sot e kësaj dite shikoje të mbijetuara disa segmente të tij. Ishte një barrierë prej betoni gati 3 metra e lartë dhe përshkonte gjithë kryeqytetin gjerman duke e ndarë në lindje dhe perëndim. Mur që ndau më dysh Gjermaninë duke parandaluar kalimin e emigrantëve nga blloku lindor në perëndim.

Në të bënin pjesë dhjetra kulla vëzhgimi dhe dyer kalimi, përfshi edhe “Pikëkalimin Çarli”, që konsiderohej si linja e hekurt midis dy botëve të kundërta përgjatë gjithë kohës së luftës së ftohtë. Qëndroi nën kontroll të rreptë për 28 vjet duke ndarë Berlinin lindor me Berlinin perëndimor, post-blloku lindor rrethohej me tela me gjemba dhe mitrolozë, ndërsa post-blloku perëndimor që ishte nën kujdesin e forcave paqeruajtëse vrojtohej vetëm me flamujt e lirisë që valëviteshin paqësisht. Shkatërrimi i tij shënoi edhe fillimin e krisjes së komunizmit në Evropë.

Gjithashtu në Berlin vizituam Topografinë e Terroreve, Muzeun Historik të Berlinit, Muzeun “Anne Frank”, Parlamentin Gjerman, ose Deutscher Bundestag siç e quajnë gjermanët, Muzeun e makinave super të shtrenjta dhe të shpejta “Trabi” që përdoreshin nga sigurimi shtetit ndërtuar me aparatuara spiunazhi. Memorialin e Holokaustit, muzeumet e krimeve të stasit dhe spiunëve. Muzeu i stasit dhe Muzeu i spiunëve, ishin ndërtesa me disa kate, ngritur në qendër të Berlinit dhe mund të vizitoheshin nga çdo qytetar apo vizitor i rastit.

Duke lidhur ngjarjet atje, me vendin tonë Shqipërinë është për të ardhur keq që akoma nuk ka përfunduar proçesi i hapjes së dosjeve për spiunët e sigurimit, e jo më të ndërtohet një muze me kate për spiunët, specifikisht për ata kriminelë që vranë e masakruan, burgosën e internuan mijëra e mijëra shqiptarë, burra, gra përfshirë edhe fëmijë.

Në qytetin Lüneburg dhe qytezën Deutsch Evern vizituam Fabrikën Gurore të famshme të Kripës, që historikisht i kishte sjellë shumë fitime vendit, sot kthyer në Muze, Shkollën e Muzikës, Gjykatën e Lüneburg-ut, ku kishte filluar pune si juriste edhe një vajzë e re shqiptare, quajtur Donika Mehmeti. Në Lüneburg na priti dhe shoqëroi familja e juristëve shqiptarë Ajnishahe dhe Hisni Mehmeti nga Kosova, të cilët kishin vite që kishin emigruar në Gjermani. Na ftuan dhe na mirëpritën edhe në banesën e tyre, si dhe na shëtitën përreth qytetit Lüneberg dhe qytezës Deutsch Evern, ose siç quhet në gjuhën shqipe Qyteza e Dojçit. Kishin katër fëmijë, Donikën, Arbërin, Korabin dhe Atdheun, të cilët edhe pse kishin lindur në Gjermani e flisnin gjuhën shqipe me gramatikë të rregullt e shumë pastër, çfarë tregonte kujdesin që kishin treguar prindërit e tyre për mos asimilimin e gjuhës amtare tek fëmijët e tyre. Ata të katërt studiojnë nëpër universitetet shtetërore me rezultate të larta në mësime. Donika, vajza e parë e familjes, sapo kishte përfunduar studimet për juriste me rezultate të shkëlqyera, të njëjtin specialitet që edhe prindërit e saj kishin kryer në Prishtinë, ku dhe ishin njohur së bashku. Për rezultatet e saj të larta akademike, Donika renditej tek studentët më të mirë në të gjithë shtetin Gjerman ku ajo jeton, dhe e 16-ta në të gjithë Gjermaninë.

Po ashtu në Hamburg u takuam dhe shëtitëm së bashku përgjatë Portit më të madh Detar në botë dhe Filharmonisë së Gjermanisë, me familjen Osmani, bashkëshortët Drita dhe Irfan Osmani nga Prishtina. Ata kishin tre djem, Naimin, Afrimin dhe Florinin, rritur e shkolluar në Gjermani me rezultate të shkëlqyera nëpër universitete dhe ishin punësuar nëpër Institucione të rëndësishme të vendit. Shqipen sigurisht e flisnin rrjedhshëm e pastër, si dhe përcillnin festat dhe traditat e bukura shqiptare. Edhe Drita me Irfanin na ftuan dhe gostisën në banesën e tyre. Takimi me këto dy familje atdhetarësh e patriotësh dhe mikëpritja e tyre, na lanë mbresa të mrekullueshme, të cilat do të mbeten të paharruara në kujtesën tonë.