Marrëveshja e sigurimeve shoqërore Kosovë – Zvicër hyn në fuqi më 1 shtator 2019

Enti federal për Sigurime Shoqërore (BSV) ka konfirmuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë duke filluar nga 1 shtator 2019, e cila u nënshkrua vitin e kaluar në Prishtinë (8 qershor 2018). 

Duke filluar nga kjo datë të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët kanë punuar në Zvicër dhe nuk i kanë tërhequr kontributet e Sigurimit të pleqërisë AHV/AVS, në mungesë të marrëveshjes deri tani nuk kanë pasë të drejtë në pensione, mund të parashtrojnë kërkesën për përfitime të pensionit të pleqërisë, të trashëgimtarëve dhe të pensioneve të Invaliditetit pavarësisht vendbanimit të tyre.

Pensionet nga kjo datë paguhen edhe në rast të vendbanimit jashtë Zvicrës.

Nga 1 shtator 2019  përfundon definitivisht diskriminimi gati dhjetëvjeçar i shtetasve të Kosovës në raport me përfitimet.

Por kjo vlen vetëm për përfitimet nga kjo datë pasi që marrëveshja nuk parasheh përfitime retroaktive (nga 1 prill 2010 deri më 31 gust 2019).

Sfidë e madhe do të jetë në vazhdim padyshim kërkesa e arsyeshme për zgjidhje të çështjes rreth përfitimet retroaktive.

Marrëveshja për Sigurime Sociale që ishte lidhur paraprakisht me Jugosllavinë nuk zbatohet në raport me Kosovën që nga 1 prill 2010. Kosova ishte shteti i vetëm pasues i Jugosllavisë, me të cilin Zvicra nuk kishte marrëdhënie kontraktuale në fushën e sigurimeve sociale. Prandaj shtetasit e Kosovës nuk mund të merrnin sigurimin pensional, pensionin për trashëgimtarë dhe sigurimin invalidor në shtetet e jashtme.

Për pyetje më të hollësishme rreth aplikimit dhe mundësisë së përfitimit edhe në gjuhën shqipe mund të klikoni faqen e Entit Federal për Sigurime Shoqërore (BSV) në vijim: https://www.bsv.admin.ch/bsv/de/home/sozialversicherungen/int/kosovo.html?fbclid=IwAR2-fxRHr3l8JbdQihM6HuEUPZHrc5RS7mPCbhGrWNgoki_o6qtJUoWvTIg.