Më në fund e fituam!
Qendra e Re për Komunitetin Shqiptar!
Pas një periudhe të gjatë 6 mujore përpjekjesh, takimesh të shumta të zhvilluara me përfaqësues të fondacioneve që merren me ruajtjen e ndërtesave historike në Filadelfia, me përfaqësues të bashkësisë së këtij qyteti, Real-Estates, e kemi bërë të mundur dhe mbrojtur projektin tonë për Qendrën e Re të Komunitetit Shqiptar si dhe dëshirën e nevojën tonë për ta blerë atë në adresën 3322 Willits rd. Philadelphia. Me në fund u arrit që oferta jonë të pranohet, prandaj po e ndajmë bashkërisht këtë moment gëzimi duke falënderuar përzemërsisht komunitetin tonë këtu në Filadelfia, por edhe të gjithë ato/ata bashkatdhetarë me banim në shtetet e tjera, që kontribuuan dhe mbështetën fushatën për mbledhjen e fondeve të kësaj godine.
Gjatë këtyre muajve u vu re bashkimi si asnjëherë tjetër i shqiptarëve duke manifestuar dukshëm në çdo ambient dashurinë për vendlindjen dhe dëshirën për trashëgiminë e gjuhës, historisë dhe kulturës tonë kombëtare, nëpërmjet ndërtimit të një shkolle të re shqipe dhe një qendre të re për shqiptarët. Falë këtij shpirti dhe kontributit tuaj të nderuar bashkatdhetarë, NE SOT FITUAM atë çfarë deshëm dhe për të cilën u imponuam së bashku. Jemi të bindur se kështu së bashku do të arrijmë të organizojmë e të realizojmë të gjitha punimet e domosdoshme për ta rindërtuar godinën , duke iu dhënë fëmijëve tanë një shkollë shqipe për te gjithë dhe bashkatdhetarëve tanë një qendër dinjitoze për ta. Në gjurmët e nismave te disa biznesmenëve që heret kanë premtuar kryerjen e punimeve të ndryshme si elektrike, instalimin e ujit, pastrimin etj, besojmë se kemi të drejtën t’ju kërkojmë të gjitha bizneseve që të japin kontributin e tyre të mundshëm të punës, në këtë vend të ri. Për gjithçka, hap pas hapi , do t’ju njoftojmë. Ta gëzojmë së bashku ndërtesën e re, si qendër të komunitetit dhe shkollë shqipe për fëmijët.
Këshilli Drejtues i Shoqatës