Mësimi në gjuhën shqipe në Austri

Shkruan: Anton Marku

Në njëzet vitet e fundit komuniteti shqiptar në Austri ka shënuar progres të dukshëm në procesin e integrimit të tij. Kjo vërehet sidomos në aspektin e pjesëmarrjes në jetën shoqërore dhe ekonomike. Për fat të keq, ende është prezent një stagnim në sferën e përfaqësimit politik. Por edhe këtu, sado që modeste, përpjekjet dhe rezultatet nuk kanë munguar.

Në anën tjetër, duket se komuniteti ynë ende ballafaqohet me sfida nga më të ndryshme, pos atyre që kanë të bëjnë me faktorë të jashtëm, edhe me aspektin e organizimit brenda për brenda vet bashkësisë. Kjo dhe në mbështetjen e strukturave tashmë ekzistuese. Njëra prej tyre, ndër më të rëndësishmet, e themeluar fillimisht në vitin 1994 për t‟u riaktivizuar në vitin 2010 (me emrin VALE) është edhe Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri „„Naim Frashëri‟‟. Për vite të tëra, në mungesë të një strategjie, qoftë ajo dhe afatshkurtër, mësimdhënëset dhe mësimdhënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Austri janë lënë në mëshirën e vetorganizimit dhe dëshirës, pothuajse individuale, për këtë (mos)organizim. Në këtë mënyrë janë arritur efekte të kundërta nga ato që do të jenë pritur: vetëm disa vite pas funksionalizimit të tij si ofertë shtesë për mësimnxënie në gjuhën amtare, numri i vijuesve (nxënësve) të këtij lloji të edukimit ka pësuar dhe po pëson rënie të vazhdueshme. Me këtë edhe numri i mësimdhënësve po bie.

Që paradoksi të jetë më i madh, dëshmon edhe fakti se shumica e prindërve shqiptarë, sidomos nga Kosova, si grupi më i madh i bashkëkombasve që jetojnë në Austri, i takon gjeneratës së viteve 1980-ta dhe të cilët në vitet e 1990-ta ishin vet nxënës apo studentë, e të cilëve, nga ana e pushtetit represiv serb, ju ishte mohuar e drejta e shkollimit në gjuhën amtare. Tani, fatkeqësisht, janë pothuajse po këta prindër që, në rrethana krejtësisht tjera, u mohojnë këtë të drejtë themelore fëmijëve të tyre. Pas asnjë presion, as nga eksponentët e jashtëm, e as nga ata të brendshëm.

Të gjithë pajtohen se arsimi është komponenta më e rëndësishme e integrimit. Nga ana tjetër, për fat të keq, nga vetë të huajt, e edhe nga migrantët shqiptarë, shpesh mund të dëgjohet paragjykimi i padrejtë se në këtë vend „„nuk jemi të mirë se ardhur‟‟, se nuk po i „„na lejojnë ‟‟ që të integrohemi, se jemi vetëm „„numra që nuk kemi zë zë‟‟, se „„po dukemi por nuk po dëgjohemi‟‟, etj.

Në mërgim zakonisht janë elitat ato që asimilohen të parat. Pastaj kjo u ndodh masave. Tek ne po ndodh e kundërta. Duke mos aritur që të gjejnë veten në shkallë të mjaftueshme, gjenerata jonë e re gjithnjë e më shpesh po i drejton vetes pyetjen e të gjitha pyetjeve: Kush jam unë? Në këtë ballafaqim identitetesh, në vend se ato (identitetet, Vër. ime) të plotësojnë njëra-tjetrën (shqiptar, austriak, evropian, besimtar-islam, i krishterë, ateist, nxënës/student/punëtor, etj), duket se ato po i bëjnë pengesë njëra-tjetrës, e herë pas here edhe konkurencë deri në oponencë. Si reflektim, ne nuk duhet fshehur dështimet tona. Por në të njëjtën kohë nuk duhet lejuar që ato të dominojnë të ardhmen tonë. Me pak më tepër përkushtim, është e mundur që në të njëjtën kohë të mbesim shqiptarë të devotshëm, të respektojmë ligjet dhe rregullat si qytetarë lojal të shtetit austriak dhe të dëshmohemi si evropianë të mirë.

II. Ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe në diasporë duhet të jetë interes strategjik kombëtar dhe shtetëror e jo vetëm i mërgatës dhe mësidhënësve. Kjo dhe për faktin se ajo është elementi më unifikues i kombit tonë të ndarë në disa besime fetare. Për të shtyrë përpara kultivimin e gjuhës shqipe në mërgatë, mision ky që të tjerët e lanë në duart tona, duhen bërë bashkë dëshirat dhe interesat e mërgatës sonë me vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit mikpritës, në këtë rast atij austriak. Për të arritur deri tek zgjidhja duhet të nisemi jo nga përceptimet, por nga realiteti. E për të parë ndryshime pozitive duket se momentalisht në zinxhirin e zgjidhjes mungojnë disa hallka. Gabimet e së djeshmes mund të shndërrohen në përparësi të së sotmes, që si rezultat do të sillin ndryshme pozitive për të nesërmen. Kjo do të mund të arrihet jo duke i ndarë ata që mund të kenë më së shumti ndikim në këtë procesprindërit në „„kombëtar‟‟ dhe „„më pak kombëtar‟‟ por duke u angazhuar për t‟i bindur ata, duke punuar paralelisht në dy drejtime:  me ata që tashmë kanë informacione të mjaftueshme por që mund të mos jenë plotësisht të kënaqur me programet dhe metodologjinë mësimore dhe me ata të cilët ende nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për të shfrytëzuar këtë mundësi për fëmijët e tyre.

III. Lidhur me cilësinë e mësimit dhe performancën e mësuesve ka pasur dhe ka vërejte. Debati nuk është i ri. Ata që e bëjnë këtë nuk janë të shumtë në numër, por herë pas here janë më të zëshëm se pjesa tjetër e komunitetit. Ndonjë herë mbase dhe me të drejtë. Dobësitë dhe të metat aktuale do të mund të zvogëloheshin duke angazhuar studentë dhe/apo ekspertë të profileve të ndryshme, sidomos atyre të fushave të didaktikës, shkencave gjuhësore, artit, sociologjisë, psikologjisë, filozofisë, etj. Ata do të bënin monitorimin dhe vlerësimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe, duke bërë edhe asistimin në orët mësimore, plotësimin e pyetësorëve dhe zhvillimin e anketave, intervista me prindër, nxënës dhe mësues dhe interpretimin e rezultateve të tyre, analizimin e tekteve mësimore dhe metodologjisë së punës, mbledhjen e të dhënave dhe statistikave (mosha, gjinia, statusi social i nxënësve/prindërve, etj) duke bërë publike, një herë në vit, të gjeturat, konkluzionet dhe sugjerimet për ndërmarrjen e hapave drejt ndyshimeve eventuale.

Për të rritur dukshmërinë në komunitet dhe ofruar projekte të reja, innovative dhe atraktive për nxënës dhe prindër, mund të thellohen edhe format e bashkëpunimit me subjektet tjera shqiptare në Austri, të cilat në rastin e Lidhjes së Shkrimtareve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri „„Aleksandër Moisiu‟‟ dhe Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Austri „„Naim Frashëri‟‟ mund të përfshijnë: partneritet në aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, dhurimi i librave (krijimi i një fondi të librave, të cilat do t‟ju dhurohen nxënësve të dalluar në konkurse poezie, kuize diture, etj.), promovimi i mësimit në gjuhën shqipe nëpër orët letrare (fjalime, shpërdarje të materialit informues, etj.), lexime nëpër orët mësimore në gjuhën shqipe, etj.

Konkludim

Roli i shoqatave shqiptare në Austri në kombinim me institucionet tona përfaqësuese si dhe në lidhje të ngushtë me vet komunitetin është dhe do të mbetet qenësor në promovimin e mësimit në gjuhën shqipe në këtë vend mik. Ato janë subjektet që posedojnë me një anëtarësi të madhe në numër me mundësi të mobilizimit të tyre në mbështetje të vizionit madhor: atij të ruajtjes së frymës kombëtare në mërgim. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Austri „„Naim Frashëri‟‟ ka potencial dhe kapacitet që të jetë bartëse e arsimit shqip në Austri. Duke reflektuar në raport me lëshimet eventuale të deritanishme dhe duke zgjeruar gamën e aktiviteteve si dhe numrin dhe shumëllojshmërinë e partnerëve, qoftë institucionalë apo nga shoqëria civile, kjo Lidhje do të jetë në gjendje që t‟u përgjigjet sfidave të kohës. Për të përmbushur këtë mision nevojitet një transformim i tërësishëm, si në qasje ashtu dhe në përmbajtje dhe formë. Në këtë udhëtim, mësimdhënëset dhe mësimdhënësit nuk do duhej të jenë vetëm, por të përkrahur nga të gjitha entitetet dhe individët shqiptarë në Austri, në mënyrë që ata t‟ja dalin që me suksese të ballafaqohen me sfidat që kanë dhe mund të kenë para vetes për të mbajtur gjallë dashurinë për gjuhën amtare edhe larg atdheut.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i PEN Klubit të Austrisë, i Shoqatës së Autorëve të Austrisë (IG), i Klubit letrar „„Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu‟.

Shkrimi i botuar fillimisht në revistën Dielli Demokristian