Përtej seminareve: diaspora kërkon zgjidhje për mësimin plotësues në gjuhën amtare
Shkruan: Mentor Gjergjaj
Mësimi plotësues i gjuhës amtare në Diasporë, ka ende telashe serioze për aplikim me kritere të larta. Kryesisht ato kanë të bëjnë me mbulimin financiar të këtij programi në të gjithë diasporën, por edhe kualifikimin adekuat të mësimdhënësve të mësimit plotësues. Në anën tjetër, duke e konsideruar diasporën, si shtyllë mbështetëse për zhvillim ekonomik për një kohë të gjatë për vendin tonë, ruajta dhe forcimi i lidhjeve merr mjaft rëndësi. Për këtë, mësimi i gjuhës shqipe, gjeografisë si dhe trashëgimisë kulturore për brezin e dytë dhe të tretë konsiderohet si bazë e forcimit të identitetit shqiptar.
Disa nga mësuesit e gjuhës shqipe, që japin mësimet e gjuhës amtare tek bashkatdhetarët jashtë vendit janë ende pa fonde për paga nga shteti amë. Këta mësimdhënës arrijnë të paguhen për punën e tyre falë kontributeve financiare që japin shtetet e caktuara për t’u mundësuar mësimin e gjuhës anëtare të banorëve që vijnë nga vendet shqipfolëse. Pa këto fonde dhe paga, mësimi i gjuhës shqipe në diasporë vështirë që do të funksionojë gjatë, edhe pse ka raste kur kjo punë kryhet në baza vullnetare nga mësimdhënës dhe organizata shqipfolëse në diasporë.
Premtimet e dhëna nga dy qeveritë shqiptare ende nuk kanë nisur të zbatohen, për sa i përket financimit dhe hapave të mëdhenjtë të përkrahjes së mësimit plotësues në diasporë nga shteti shqiptar dhe ai i Kosovës. Problemet, por edhe funksionimi dhe rezultatet e mësimit plotësues në diasporë, së fundi janë evidentuar gjatë një diskutimi online të organizuar nga OJQ ‘Germin’ me mësimdhënës dhe përfaqësues të këtyre mësimeve në katër vende të ndryshme të Evropës.
Hazir Mehmeti, që jeton në Austri, e që është autor i shumë librave për mësimin plotësues të gjuhës amtare në Diasporë potencoi se janë premtuar nga Qeveria e Kosovës hapa madhorë për financimin e këtyre mësimeve. Në diskutim, sipas tij këta hapa është dashur të bëhen shumë më herët, dhe se ende ka vonesa në përkrahjen financiare për t’u mundësuar mësimet plotësuese të gjuhës shqipe kudo ku ka shqiptarë. Në Austri, mësimdhënësit e mësimeve plotësuese paguhen nga shteti. Të rregulluar mirë këtë gjë e ka edhe Kroacia. Atje nëse vetëm një fëmijë kërkon që të mësojë gjuhen amtare, atëherë shteti kroat detyrohet me ligje t’i ofrojë orët plotësuese.
Por pa marrë parasysh kushtet ose jo, edhe interesimi i familjeve që jetojnë në diasporë për t’i dërguar fëmijët e tyre në mësime të gjuhës shqipe nuk është aq sa duhet i lartë. Pagesa e mësuesve nuk është zgjidhje më shkop magjik i këtij problemi, tha në diskutim Avdyl Lipoveci nga Ministria e Diasporës e Kosovës. Duke treguar se duhet investuar ende më shumë në fushatat sensibilizuese që të binden familjet shqiptare që t’i dërgojnë fëmijët që të mësojnë gjuhen amtare, pa marrë parasysh shtetin ku jetojnë. Një tjetër problem janë edhe kriteret për mësimdhënës, përgatitja dhe kualifikimi i tyre. Ashtu sikurse ka mangësi edhe në informimin e fëmijëve shqiptarë në Diasporë për funksionimin e këtyre orëve plotësuese për mësimin e gjuhës amtare.
Rozana Hykaj, tregoi se në Londër kanë probleme serioze edhe më tekstet që përdorin për mësime të gjuhës shqipe. Ajo tregoi se shqiptarët që jetojnë në Angli nuk e dinë nëse librat që përdorin për mësim plotësues janë të duhurat për të mësuar nxënësit shqip. Por sikur të mos mjaftojë, shqiptarët në Londër as këto libra nuk i kanë aq sa u nevojiten. Mungesa e tyre është e madhe, dhe zgjidhje as ambasadat e shteteve shqiptare në Angli nuk u kanë bërë. Megjithatë, Ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë ende një kurikulë të përbashkët për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Ndonëse pritet që një gjë e tillë të ndodhë shumë shpejt. Kurikula do të duhet të sjellë edhe aprovim të standardeve dhe ngrite të nivelit të mësimdhënësve, sikurse edhe rishikim të teksteve shkollore që përdorin fëmijët e diasporës për të mësuar gjuhen shqipe.
Beqir Cikaqi, mësimdhënës në Itali, punën e tij e bënë vullnetare për gjuhë amtare, sikurse shumë mësues tjerë, por ndihet i lënë pas dore pas institucioneve të shteteve shqiptare, ashtu sikurse edhe nga ambasadat. Tregon se zakonisht shkollat ku mësohet mësimi shqip improvizohen në disa klasë, por vullneti nuk u mungon, edhe pse vizitat atyre u mungojnë nga personat zyrtarë.
Këto janë vetëm disa nga problemet e identifikuar nga diskutimi më shumë se një orësh online, nga organizata ‘Germin’, e cila tash e një kohë po avokon për të drejtat politike dhe sociale të mërgimtarëve tanë. Pasi problemet për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë janë edhe më të thella, ndërsa zotimet për përmirësime nuk kanë fund, diaspora kërkon politika konkrete kombëtare përtej seminareve të organizuara nga qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Germin-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K- së, DANIDA-së apo KCSF-së.