Potenciali ekonomik i diasporës përtej remitancave

Shkruan: Lirim Krasniqi

Qasja e deritanishme e institucioneve të shteteve shqiptare për angazhimin e diasporës është përqendruar kryesisht në dy çështje: ruajtjen dhe forcimin e identitetit kulturor/kombëtar dhe avancimin e të drejtave politike dhe komunikimin me pjesëtarët e disaporës. Angazhimi ekonomik i diasporës është një temë për të cilën flitet sipërfaqësisht dhe e cila merr në konsideratë kryesisht remitancat financiare. Jo pse dy çështjet e para janë më pak të rëndësishme, por se potenciali i diasporës është shumëdimensional dhe duhet të kanalizohet më me efikasistet.

Pse angazhimi i diasporës është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Në rend të parë, Kosova nuk ka kapacitet të brendshëm për të gjeneruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kosova përballet me nivel të lartë të papunësisë (rreth 35%) dhe deficit të madh tregtar, ku importet dominojnë në masë të lartë. Popullsia në moshë të re është kthyer në statistikë negative e shifrave të papunësisë, sikurse gratë janë shumë pak të përfshira në aktivitetet ekonomike (rreth 18%). Sipas raportit Fuqia Punëtore nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës (ASK), popullsia e re në Kosovë, ka një shifër mjaft të lartë papunësie me 55.0%.Ekonomia e Kosovës është shumë vite larg afrimit të mesatares së zhvillimit të vendeve BE-së. Bruto Produkti Vendor (BPV/GDP) është dhjetëfish më i vogël se mesatarja evropiane, ndërsa përqindja e rritjes ekonomike (mes 3-4%) është lehtësisht para përqindjes së zhvillimit të 28 vendeve të BE-së së bashku (2%).

Investimet, përfshirë ato të huaja, janë gjithashtu një indikator në rënie e sipër. Në këtë drejtim, qeveria (sektori publik) është investitori dhe punëdhënësi më i madh, ndërsa industria është në shkallën më të ulët të zhvillimit, krahasuar me vendet në rajon. Sektorët e tjerë aktivë janë të ndjeshëm ndaj konkurencës jofer, informalitetit, dhe mungesës së infrastrukturës së nevojshme, elemente këto që vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e bizneseve. Ndërkohë, korrupsioni, efikasiteti i dobët i qeverisjes dhe i sistemit të drejtësisë janë arsye të forta për dështimin e tërheqjes së investitorëve të huaj. Probleme si këto janë tregues të mjaftueshëm për të kuptuar pamjaftueshmërinë e ekonomisë vendase dhe nevojën e ndihmës nga jashtë, e cila më së miri mund të vijë përmes angazhimit direkt ekonomik të diasporës.

Angazhimi i diasporës në ekonominë e Kosovës

Kthimi dhe qarkullimi i trurit

Sistemi i dobët i edukimit, trendi i largimit të të kualifikuarëve dhe papunësia e lartë në mes të të rinjve, janë disa nga problemet më të mëdha për vendet në zhvillim, duke përfshirë edhe Kosovën. Përveç ikjes nga varfëria, trendet e fundit tregojnë që edhe të kualifikuarit shprehin dëshirën që të emigrojnë për mundësi më të mëdha në tregjet e jashtme. Kjo përbën një sfidë të dyfishtë për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi që pavarësisht ngritjes që ata marrin këtu, largimi i tyre e zhbën çfarëdo investimi të bërë dhe lë një vakum të madh profesional në ekonominë vendase, që është edhe një nga probleme kryesore që kanë identifikuar bizneset.

Sado i madh të jetë investimi në edukim, ky investim është i pavlerë nëse largohen më të kualifikuarit dhe nuk e mendojnë kthimin në vendin e origjinës. Ky fenomen shihet si simptomë e një ekonomie në rënie, prandaj shumë shtete kanë ndërmarrë veprime për angazhim dhe kthim të këtyre profesionistëve, qoftë edhe për periudha të shkurtra kohore. P. sh. Taiwani ka krijuar një databazë të profesionistëve nga diaspora për t’i lidhur dhe njoftuar ata me mundësitë e tregut brenda vendit; Lituania ka ngritur një rrjet global të shkencëtarëve, studiuesve dhe akademikëve me origjinë lituaneze, me qëllim të angazhimit të tyre në sistemin e edukimit të vendit. Shtete të tjera si Etiopia, Greqia etj., kanë krijuar programe shkëmbimi (fellowships) për studentë e hulumtues nga diaspora me synim afrimin dhe shfrytëzimin e potencialit të tyre për institucionet shtetërore. Krejt këto me qëllim të plotësimit të kapaciteteve deficitare në vend, aq të nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm. Shumë institucione dhe organizata por edhe të rinj në Kosovë mund të përfitojnë nga njohuritë e profesionistëve nga diaspora të cilët mund të vijnë në Kosovë ne periudha të ndryshme kohore përmes programeve të shkëmbimit.

Investimet Direkte nga Diaspora

Investimet Direkte nga Diaspora (IDD) janë trajtuar pak në Kosovë, edhe si koncept por edhe si potencial. IDD-të përfshijnë shumë aspekte të angazhimit të diasporës por më e rëndësishmja në rastin tonë: investimi i kapitalit financiar në ekonominë e Kosovës. Sensi altruist dhe patriotik është motiv shtesë i pjesëtarëve të diasporës për të investuar, duke u shndërruar njëkohësisht në lëvizësit e parë (first movers) drejt investimeve në atdhe. Informacioni mbi rrethanat ekonomike, sociale, nevojat e shoqërisë dhe tregut u jep përparësi biznesmenëve nga diaspora. Ndërsa, për vendin, investimet e tyre janë më frytëdhënëse për faktin se ata përveç financave sjellin edhe njohuritë (know-how) të cilat për shkak të motiveve të lartpërmendura, kanë dëshirën t’i ndajnë me potencialin njerëzor në vend, pa iu frikësuar rritjes së konkurrencës, siç ndodh me investitorët e tjerë të huaj. Investimet nga diaspora mund të vijnë në forma të ndryshme, si p. sh. përmes marrëveshjeve me bizneset lokale, partneritetit me institucionet publike në projekte kapitale, por edhe përmes investimit në instrumente financiare si bono apo aksione, të cilat mund të ofrohen nga institucionet financiare.

Rrjetëzimi

Përtej angazhimit ekonomik të drejtëpërdrejtë, diaspora luan një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e urave të bashkëpunimit afatgjatë në mes të vendeve pritëse dhe atyre të origjinës. Anëtarët e saj përbëjnë një dritare të re në ekonominë globale për vendet pritëse – mund të shërbejnë si ndërmjetësues në investime edhe për kompanitë që nuk janë të udhëhequra nga diaspora; si dhe një faktor shtytës për bizneset lokale të vendeve të origjinës – ato mund të adoptojnë praktikat më të mira të ekonomisë së tregut të lirë përmes lidhjeve dhe mentorimit që mund t’i marrin nga profesionistët e diasporës. Krijimi i mekanizmave insitucional për forcimin e lidhjeve fillimisht midis pjesëtarëve të diasporës dhe pastaj në mes tyre dhe rrjeteve, institucioneve, forumeve ekonomike lokale të vendit amë është proces mjaft i rëndësishëm. Këto rrjete rrisin presionin për largimin e barrierave institucionale dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe efikasitetit të administratës shtetërore. Vendet si Irlanda, Izraeli apo Armenia kanë arritur që të forcojnë lidhjet me diasporën përmes krijimit të rrjeteve të ndryshme të bizneseve dhe profesionistëve, organizimit të konferencave dhe forumeve të cilat kanë vendosur bazat e një komunikimi të qëndrueshëm. Për rrjedhojë, është forcuar lidhja e diasporës me vendin e origjinës, janë ngritur fonde për investime, dhe mekanizma të tjerë për qarkullim dhe shkëmbim të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Kosova ka fatin e mirë që ka një diasporë të madhe krahasuar me numrin e banorëve, diverse dhe me shumë potencial ekonomik, intelektual, kulturor, artistik e sportiv. Angazhimi i diasporës, përveç aspektit politik, është irrelevant nëse nuk kontribuon edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Shembuj të ndryshëm tregojnë se sa i rëndësishëm është afrimi i diasporës për zhvillimin e ekonomisë. Mirëpo, angazhimi ekonomik i diasporës është një proces që kërkon vullnet, mirëbesim dhe planifikim serioz nga ana e institucioneve shtetërore. Ato duhet të krijonë ambient të lirë dhe të favorshëm biznesi, që nënkupton edhe qeverisje të përgjegjshme, sundim të ligjit dhe siguri juridike. Gjithashtu, diasporës duhet t’i ofrohet informacion i detajuar mbi potencialin ekonomik. Nuk duhet të harrojmë që diaspora nuk sjell vetëm kapitalin financiar në vendlindje, ajo bashkë me të mund të sjellë edhe aftësitë dhe shpirtin e ndërmarrësisë aq të nevojshëm për rrethanat tona. Në anën tjetër, organizatat e shoqërisë civilë janë ato që mund të shndërrohen në katalizator të këtij procesi përmes avokimit të politikave, asociimit të lidhjeve që kanë për qëllim angazhimin e diasporës. Ato duhet të bëjnë presion mbi vendimmarrësit në funksion të lehtësimit të këtij angazhimi.

Lirim Krasniqi është Analist i politikave dhe Menaxher i projektit në Organizatën joqeveritare GERMIN, organizatë kjo që mbështet parimet dhe idealet e saj në besimin se diaspora luan rol të gjerë dhe proaktiv në zhvillimin pozitiv të vendeve të Ballkanit perëndimor, aty ku jetojnë shqiptarët.

Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autorja janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.